Kamer Qaka risia e papritur e Panucci, nis grumbullimi i kuqezinjve në Antalia

Kamer Qaka risia e papritur e Panucci, nis grumbullimi i kuqezinjve në Antalia
Skuadra përfaqësuese e futbollit nis sot pasdite grumbullimin e saj në Antalia të Turqisë. Ishin në listë 25 lojtarë, por në mungesë të Abrashi, Panucci ka ftuar një lojtar të ri, i cili u bashkohet risive të tjera si Astrit Ajdareviç e Ylber Ramadani.

Trajneri Christian Panucci, së fundmi i ka shtuar listës së tij të lojtarëve të grumbulluar edhe një tjetër futbollist, për shkak të pamundësisë së rikuperimit të Amir Abrashit, i cili vazhdon terapinë intensive të detyruar për riaftësimin e tij, në klubin e Freiburgut.

Kamer Qaka është lojtari më i ri që vjen në skuadrën kombëtare të futbollit.

Ai ka lindur në Kosovë në vitin 1995, luan në pozicionin e mesfushorit, dhe aktualisht aktivizohet në radhët e ekipit rumun të CSM Politehnica Iași.

Nga viti 2010 e deri me fillimin e këtij sezoni, futbollisti Kamer Qaka ka luajtur me skuadra të ndryshme në kampionatin norvegjez, duke nisur që me Valerengën, teksa një edicion më parë ishte në radhët e skuadrës së Kristiansund. Me skuadrën rumune Qaka ka luajtur 11 ndeshje.

Ekipi kombëtar i futbollit do të qëndrojë një javë në Antalia për të përgatitur ndeshjen miqësore të 13 nëntorit në Antalia me skuadrën përfaqësuese turke.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: