KLSH: Auditimet tona, të paanshme, detyrë e qeverisë të zbatojë rekomandime - Reagim pas shkrimit në "Albanian Free Press"

KLSH: Auditimet tona, të paanshme, detyrë e qeverisë të zbatojë rekomandime - Reagim pas shkrimit në "Albanian Free Press"
Kontrolli i Lartë i Shtetit reagon lidhur me shkrimin e analistit të gazetës “Albanian Free Press”, Plator Nesturi

“Detyra jonë është të realizojmë auditime të mbështetura në fakte, profesionale, të paanshme dhe të mbështetura në standardet ndërkombëtare të auditimit. Është detyrë e qeverisë dhe e enteve në varësi të saj të zbatojnë rekomandimet tona”

Kontrolli i Lartë i Shtetit reagon lidhur me shkrimin e analistit të gazetës “Albanian Free Press”, Plator Nesturi, të premten më 27 tetor 2017, me titull "Institucionet, si bashkëfajtore në krim".

KLSH thotë se duke vlerësuar maksimalisht kontributin “dëshirojmë t’ju falënderojmë edhe në emër të kryetarit të KLSH-së, Bujar Leskaj, për trajtimin e kësaj tematike të vështirë dhe me shumë interes për publikun”.

Në artikull shkruhet se “...Nga një deklaratë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, jepen shifra të frikshme se, nga vetë administrata publike janë shpërdoruar qindra milionë euro... Gjithsesi, vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit duket se pas deklaratës me shifra abuzimi, e quan të larë veten, pas deklarimit të dhënë...”.

KLSH, thotë se “këto ditë kemi prezantuar Buletinin tonë të Tretë Statistikor për vitin 2017, i cili përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera prej nesh në periudhën 9-mujore, Janar-Shtator 2017” dhe detajon: “Në këtë buletin përfshihen dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara dhe shpenzimet e kryera jo në përputhje me parimet e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit (3E), masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, rekomandime për ndryshime apo përmirësim të legjislacionit si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori”.

KLSH vlerëson se “të gjitha gjetjet, shifrat dhe rekomandimet e auditimeve tona (disa shifra te Buletinit janë trajtuar edhe në media ditët e fundit), janë bazuar në auditime profesionale dhe të paanshme dhe si në çdo rast tjetër gjatë periudhës 2012-deri më sot, edhe në Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, ISSAI-t. Ne jo vetëm i kemi bërë publike plotësisht rezultatet e auditimeve tona por i kemi dërguar në Kuvendin e Shqipërisë, në të gjitha institucionet qendrore, në të gjitha OJF-të aktive në luftën kundër korrupsionit, në përfaqësitë diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë, në të gjitha mediat (materiali ka qenë i shoqëruar edhe me një përmbledhje për të qenë lehtësisht i kuptueshëm nga të gjithë), në faqen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në mënyrë që të sensibilizojmë të gjithë aktorët dhe faktorët, me qëllim që subjektet e audituara të zbatojnë rekomandimet tona”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit kujton më tej faktin se “është një institucion i pavarur kushtetues dhe ne nuk ndërhyjmë në punën e institucioneve të tjera të pavarura”, duke shtuar: “Detyra jonë është të realizojmë auditime të mbështetura në fakte, profesionale, të paanshme dhe të mbështetura në standardet ndërkombëtare të auditimit. Është detyrë e qeverisë dhe e enteve në varësi të saj të zbatojnë rekomandimet tona”.

“Duke i deklaruar dhe duke i bërë publike dëmin ekonomik dhe shkeljet e disiplinës financiare të konstatuara prej nesh, ne nuk e quajmë veten të larë, - vazhdon deklarata e posaçme për gazetën “Albanian Free Press”, - por përkundrazi, shfrytëzojmë çdo mundësi kushtetuese dhe institucionale për zbatimin e plotë të rekomandimeve tona”.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucion i pavarur kushtetues dhe mbështetet në veprimtarinë e tij në Kushtetutë dhe në ligj. KLSH në raportet e tij të auditimit jep rekomandime për përmirësimin e punës së institucioneve, të cilat nuk janë të karakterit detyrues për zbatim, por institucioni punon fort në sinergji me Kuvendin dhe me institucionet e tjera të pavarura, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me shoqërinë civile të angazhuar për të arritur shkallën më të lartë të zbatueshmërisë së rekomandimeve të veta”, - vijon deklarata e dërguar nga Drejtoria e Komunikimit në KLSH. Në përfundim ajo shprehet e hapur për takime me drejtues të KLSH-së për të diskutuar rreth rezultateve të auditimeve tona ose për çfarëdo problematike të trajtuar nga KLSH”.

Lexoni këtu shkrimin e analistit të gazetës “Albanian Free Press”, Plator Nesturi

http://afp.al/news/2017/10/institucionet-si-bashkefajtore-ne-krim-opinion-nga-plator-nesturi-57689/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: