Konfindustria: Duhet ndryshuar projektligji për nxitjen e investimeve në turizëm

Konfindustria: Duhet ndryshuar projektligji për nxitjen e investimeve në turizëm
Organizata e njohur e biznesit, Konfindustria, përmes një deklarate për shtyp, bëri me dije sot se ka kërkuar zyrtarisht pranë Kuvendit të Shqipërisë, që projektligji për nxitjen e investimeve në sektorin turistik si pjesë përbërëse e paketës fiskale 2018, t’i nënshtrohet ndryshime thelbësore për t’i shërbyer interesit publik në terma afatgjatë.

“Konfindustria vlerëson, se kushti kryesor për të përfituar favorizime fiskale me ndërtimin e resorteve dhe hoteleve turistike, duhet të jetë vlera e investimit jo më e vogël se 50 milionë euro. Kushti i mësipërm mungon në propozimin e paraqitur nga ekzekutivi në paketën fiskale 2018. Si kushte të tjera të domosdoshme, që duhen plotësuar për të përfituar favore fiskale në investimet në turizëm, duhet të jenë edhe domosdoshmërisht: - niveli vetëm me 5 yje sipas standarteve ndërkombëtare dhe - largesia në të paktën 3 km në vijë ajrore nga zonat e mbrojtura natyrore të vendit”, cilëson ajo.

Për të përfunduar me faktin se gjithashtu, përfitimet fiskale, që mund të përfitohen për investimet në turizëm, që plotësojnë kushtet e mësipërme, duhet të jetë vetëm përjashtimi nga tatimi mbi fitimin dhe dividendin në maksimumi 10 vitet e para të aktivitetit.

“Favorizimet fiskale të parashikuara në projektligjin e paraqitur nga ekzekutivi si pjese e paketës fiskale 2018, rrezikojnë të dëmtojnë:- konkurrencën ndërmjet operatorëve, - janë kosto financiare të paarsyeshme për interesat e pushtetit vendor dhe janë burim subjektivizmi dhe korrupsioni në dëm të interesit publik në afatgjatë”, bën me dije ndër të tjera Konfindustria.

Për të konkluduar se propozimi i mësipërm është pjesë e paketës prej 16 kërkesash të Konfindustrisë drejtuar Kuvendit në diskutimet për buxhetin e vitit fiskal 2018.

/n.e/

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: