“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Kreshnik Spahiu flet nga një vend sekret: Do e pësosh, o Lulëzim Basha...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Kreshnik Spahiu flet nga një vend sekret: Do e pësosh, o Lulëzim Basha...!
SATIRE

"Antena Jashtë Familjes" sjell sot si fillim hyrës, një analizë të ngjarjes më të bujshme, që menduam se ia vlente të merrej në vlerësim, apo siç i thonë në gazetari, në konsideratë.

Do të analizojmë të shkruajturën e Krëshnik Spahiut, liderit historik të Aleancës Kuq e Zi, lëvizjes që për pak iu rrëmbeu pushtetin, partive të mëdha. 

Ja çfarë shkruan, ndër të tjera, shoku Kreshnik në Facebook-un e tij:

..."Lëri Zotit, mallkimin..., sepse unë do të jem atë ditë aty, për t'i dhënë një të shtyrë"

Siç shikohet nga përzgjedhja e llafeve, shoku Kreshnik ka folur si një besimtar i devotshëm. Dihet se, sipas tyre, është Zoti që vendos drejtësi për gjithçka në Tokë. Këtë vendosje, apo e thënë në filozofi, determinim, e ka shprehur qartë edhe Kreshniku te shkrimi i tij.

Pra ai, megjithëse një njeri i Drejtësisë Ligjore, ka hequr dorë nga kjo, e beson më shumë më Drejtësinë Hyjnore. Nuk mund ta themi me saktësi se, kujt i drejtohet kur thotë "lëri...!", por analiza na bën të mendojmë se kjo folje është përdorur, për t'iu drejtuar shqiptarëve të ndershëm, kudo që ata ndodhen.

Duke lënë mënjanë analizën, ne si rubrikë menduam të kontaktonim vetë "të zotin" e këtyre llafeve. Me të, pra me Kreshnikun, bëmë këtë bashkëllafosje:

Antena: Alo, ju flasim nga Antena Jashtë...!

Kreshnik Spahiu: Edhe ju keni ngritur antenë? Bravo! Edhe unë kam ngritur një të tillë.

Antena: Botoni edhe juve! Shumë mirë bëni shoku Kreshnik! Gazetaria ka nevojë për sa më shumë botime të tilla. Urime!

Kreshnik Spahiu: Unë nuk botoj. Jam në fazën e meditimit, akoma. Botoj vetëm në mediat sociale, kur kam lekë në telefon. Jam i vetmi politikan i niveleve të larta, që u largova nga vendi, pa kokërr leku, ju e dini.

Antena: Ju kuptoj! Më vjen keq që u larguat pa lekë. Ku e keni ngritur antenën?

Kreshnik Spahiu: Në kokë, e kam ngritur.

Antena: Si në kokë?!

Kreshnik Spahiu: Po pra, po, në kokë. E dëgjuat mirë. Kam ca kohë që, flas drejtpërdrejt me krijuesin.

Antena: Kush është krijuesi i kësaj antene?

Kreshnik Spahiu: A ti qenke aguridhe fare! E kam llafin për krijuesin, për Zotin. Flas me të. Tani p.sh, kam hipur në majë të një pirgu me dhe, e flas. Nuk ka male këtu ku jam unë. Pika më e lartë që është, vetëm ky pirg me dhe është.

Antena: Keni emigruar në Vendet e Ulëta, me ç'kuptoj. Në Holandë, apo Belgjikë jeni?

Kreshnik Spahiu: Një Kreshnik, nuk mund të rri në vende pa male, ta dish! Thashë që për momentin, jam në një vend që nuk ka vend të ngritur. Vendqëndrimin tim të përhershëm nuk e tregoj, mos më pyesni më. Do ta pësosh, ta dish!

Antena: Ç'do të pësoj? Unë mavriu s'kam bërë keq, që ta pësoj.

Kreshnik Spahiu: Nuk të thashë ty, jo. Tani sapo fola me Krijuesin. E pyeta: A do ta pësojë Rama? Do ta pësojë, ma ktheu. Dhe unë i thashë Ramës, "do e pësosh!"

Antena: Po flisni edhe me Ramën, në të njëjtën kohë që po flisni me mua, d.m.th...

Kreshnik Spahiu: Me të flas shpesh unë. Po më shumë, flas me Lulin.

Antena: Ju merr në telefon, apo e merrni ju atë?

Kreshnik Spahiu: Ai s'më merr ndonjëherë, se s'do të harxhojë lekë. E marr unë, e flas me të, me orë të tëra.

Antena: Flisni me orë të tëra me Lulin? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Po ç'ju  thotë Luli, e ju ç'i thoni, atij?

Kreshnik Spahiu: Të gjitha ja them. S'i lë gjë mangët. E pyes se përse ma punove e më le të ikja nga vendi, e të "merrja rrugët e botës"? Përse nuk më zgjodhe deputet? Ja këto i them...

Antena: Po ai ç'thotë?

Kreshnik Spahiu: Nuk llafos fare. Nuk ma hap telefonin.

Antena: S'ju hap telefonin? Po ju thatë që flisni në telefon me Lulin. Si flisni, kur ai s'ju hap telefonin?!

Kreshnik Spahiu: Unë flas me të. Ç'punë kam unë ç'bën ai? "Më tradhëtove" more i pabesë, "më tradhëtove!"

Antena: Po si ju tradhtova unë, o Kreshnik...?! Unë nuk ju kam premt...

Kreshnik Spahiu: Fola me Lulin, prapë tani, jo me ty. Ika tani të ha një copë bukë, se do dal prapë këtu te ky pirgu i dheut, të flas prapë me Lulin. "Më tradhtove, por do e pësosh. Do e pësosoooosh, ta diiiiish Luuuuuli! Ama ta dish: ditën që do e pësosh, do më kesh nga pas, të të jap një të shtyrëëëëëë!"

Shpërndajeni me miqtë tuaj: