Kryeministri tregon një rast shembullor vetëpunësimi, duke anashkaluar “shembullin” e Administratës

Kryeministri tregon një rast shembullor vetëpunësimi, duke anashkaluar “shembullin” e Administratës
Kur postova përpara pak ditësh një video për Anisa Kadarenë, një vajzë 27 vjeçare që ka krijuar punë për veten dhe ka punësuar të tjerë, duke zgjedhur bujqësinë jo kafenenë, pashë jo pak komente negative, përqeshëse, fyese, të cilat nuk më befasuan po më shkaktuan keqardhje për autorët e tyre,” – shkruan kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë kryeministri ka postuar sot edhe një rast tjetër. - “Po postoj sot këtë video, me respektin më të madh për Ersolin, djalin 27 vjeçar nga Pogradeci, që është një tjetër shembull për çdo të ri që ankohet dhe e pret punën t’i vijë në kafene nga shteti. Atyre që ndoshta do të bëjnë komente si ato që përmenda më lart, u shpreh paraprakisht të gjithë keqardhjen time.” Megjithatë edhe në këtë rast ka pasur komente që nuk pajtohen me rastet e servirura nga kryeministri Rama.

Përtej shembujve, e rasteve spontane të vetëpunësimit, "njerëzit e zakonshëm" në komentet e tyre vazhdojnë të mos pajtohen me kryeministrin, e në fakt kjo lidhet me paradokset me vendet e punës në Administratën Publike që vazhdojnë prej 27 vjetësh. Detyrë e çdo qeverie është të zgjidhen e të paguhen sipas punës e meritës, më të mirët.

Shembulli në sistemin arsimor ku pagat rriten vit pas viti, ku ka më tepër të diplomuar se nevojat e tregut dhe nuk ka ende asnjë përgjegjës por vetëm "heronj" për këtë dukuri, ndërkohë që për këto shkaqe kërkesa mbetet e lartë për një vend pune arsimtar, është më shumë se një paradoks.

Sipas “ligjeve” të tregut, arsimi duhet të ishte sektori i fundit në këto momente ku duheshin rritur pagat, për shkak se kërkohet balancim i kërkesës me ofertën për një vende pune në këtë sektor. Sakaq, punësimi i arsimtarëve është zhvilluar deri tani pa asnjë kriter, e ndërsa Reforma në Arsim nuk ka prekur drejtuesit më të lartë të këtij sektori, në universitetet publike. Pra, pretendohet sukses në arsim me të njëjtën njerëz që kanë “gatuar” për disa dekada dështimin.  

Dhe dihet se cili është shërbimi që afrojnë të punësuarit në publik, në çdo sektor, si në shëndetësi, drejtësi, e deri te ata që vlerësojnë ndihmën ekonomike, apo kategoritë e njerëzve më në nevojë e invalidët. Qytetarët si kudo në botë kërkojnë t'u afrohen shërbimet që u takojnë, madje edhe irritohen si taksapaguesit e tyre, edhe atje, në një tjetër realitet që nuk ka lidhje me Shqipërinë tonë. Por dallimin e bëjnë e të vërtetën të gjithë e dinë. E përderisa pranohet se niveli i korrupsionit mbetet i lartë, e sa kohë që të aftët e njerëzit "fair"nuk gjejnë vendin që u takon, kërkesa e debatet nuk do të shuhen asnjëherë për një vend pune, në një vend, ku ata që e kanë punën e afruar nga shteti i shtojnë pagës së tyre shpesh të ardhura të tjera të pamerituara.           

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: