Kryetarja e Bashkisë, Ademi: Nuk u ndalova nga policia, qyteti i bllokuar nga partrulla që pengojnë qytetarët

Kryetarja e Bashkisë, Ademi: Nuk u ndalova nga policia, qyteti i bllokuar nga partrulla që pengojnë qytetarët
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar pas aksionit të policisë në qytetin e saj.

Përmes një statusi në faqen e saj në Facebook, Ademi ka mohur fillimisht se është ndaluar nga policia pasi shkeli rregullat rrugore, gjë që u aludua nga mediat.

Ajo ka drejtuar kritika ndaj policisë duke thënë se qyteti është mbushur me patrulla policie, që më shumë ua vështirësojnë lëvizjen qytetarëve se sa i orientojnë apo u shërbejnë atyre.

 “Sërish propaganda prodhon fake news.

Paraditen e kësaj të shtune ndërsa isha nisur për në zyrën time në Bashkinë e Shkodrës, në krye të detyrës për tu shërbyer qytetarëve, u përballa me një situatë të paprecendent në qytetin e Shkodrës.

Një qytet tërësisht i bllokuar nga policia në akset ku mund të lëvizin automjetet. Qytet i mbushur me patrulla policie, që më shumë ua veshtirësojnë lëvizjen qytetarëve se sa i orientojnë apo u shërbejnë atyre.

Në këtë aksion alla-komunist, ku u futet frika qytetarëve, u përballa vetë me policinë rrugore.

NUK JAM NDALUAR nga Policia Rrugore, sepse makina ime ishte në oborrin e Bashkisë së Shkodrës, por kam preferuar të komunikoj vetë me ta drejtpërdrejt pas situatës që pashë në rrugët e qytetit tim.

Nuk mund të pranoj që të paralizohet tërësisht qarkullimi dhe jeta e qytetareve nga pseudo post-blloqe të policisë.

Një polici selektive ndaj qytetarëve që nuk sheh parkimet dyshe në çdo rrugë apo në rrugët që janë destinuara për biçikleta. Një polici e verbër përballë automjeteve që për vite me radhë kanë bllokuar qarkullimin duke u lënë aty për shitje.

Pra nuk është ndaluar kryetarja e bashkisë, sepse unë isha në oborrin e Bashkisë së Shkodrës, por situata e rrugëve në qytet është e papranueshme e kjo është krijuar nga policia rrugore.

Nisur nga kjo komunikova vetë drejtpërdrejt jo vetëm me efektivët rrugore por edhe me drejtuesit e tyre që më siguruan që do të marrin masa.

E këtu është një pikë ku unë bie dakort: të merren masa për tu shërbyer qytetarëve e jo për të “shitur” fake news”, shkruan Ademi.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: