KUSH E VRAU SALI TIVARIN, SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË KOMUNITETIT MYSLIMAN

KUSH E VRAU SALI TIVARIN, SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË KOMUNITETIT MYSLIMAN
Nga cikli “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”

Gazeta “Albanian Free Press” publikon sot detaje mbi një tjetër nga ngjarjet më të mistershme në Shqipëri, atë të vrasjes së Salih Tivarit, Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Mendohet se kanë qenë tre persona që kanë marrë pjesë në vrasjen e Tivarit. Vrasja e Tivarit ka qenë pjesë e raporteve të institucioneve të shtetit amerikan si një akt terrorist nga organizata terroriste si kundërpërgjigje ndaj aksioneve të policisë dhe drejtësisë shqiptare. Nga viti 1998 deri në vitin 2002 kur u vra Tivari, Policia e Shtetit kreu disa aksione kundër disa celulave terroriste që ishin prezente në Shqipëri. Nga viti 1998 deri në vitin 2002 drejtësia shqiptare bllokoi shumë llogari bankare dhe sekuestroi shumë pasuri që u përkisnin elementëve terroristë të penetruar në Shqipëri. Salih Tivari kishte pasur debate brenda radhëve të Komunitetit Mysliman lidhur me këto financime.

Detajet që gjeni në këtë speciale, janë pjesë e librit më të ri të publicistit Roland Qafoku, opinionist i “Albanian Free Press”, “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, një vepër që vjen në kuadrin e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Nga ROLAND QAFOKU

Duket se vrasjet e klerikëve myslimanë u kthyen në një ritual edhe pas rënies së sistemit komunist. Vrasja e Nijazi Dedeit, vrasja e Selim Brahjas dhe vrasja e Mustafa Xhanit ishin të largëta në kohë, por duket sikur u ringjallën në memorie pas një vrasjeje në kohët moderne. Sekretari i përgjithshëm i këtij komuniteti, Salih Tivari, u vra në krye të detyrës, në zyrën e tij, më 13 janar 2002, nga një person i panjohur, duke shënuar një nga krimet më të rënda të ndodhura jo vetëm brenda Komunitetit Mysliman, por edhe në historinë e Shqipërisë.

SKENA E KRIMIT

Pasi i ka vëzhguar të gjitha lëvizjet autori ka shfrytëzuar momentin që në godinën e Komunitetit Mysliman nuk ka pasur njeri dhe Salih Tivari ishte i vetëm në zyrë. Ka hyrë në godinë, ka ngjitur pa asnjë shqetësim shkallët dhe ka hyrë në zyrën e Salih Tivarit. Aty e ka qëlluar duke e lënë të vdekur. Në godinën e Komunitetit Mysliman  në qendër të Tiranës, në orën 08.30 të së dielës së 13 janarit, nuk kishte njeri dhe kjo e kishte ndihmuar vrasësin ta kryente krimin i pashqetësuar. Nga të gjitha të dhënat mendohet se për disa kohë janë vëzhguar lëvizjet e viktimës dhe se në vrasje kanë marrë pjesë më shumë se dy vetë. I pari ishte autori, i dyti personi që ka kontrolluar në godinë dhe i treti personi që ka vrojtuar jashtë godinës për ndonjë të papritur.

DY PISTAT E HETIMIT

PISTA 1: VRASJE PËR MOSPAJTIME FETARE BRENDA KOMUNITETIT MYSLIMAN

Përplasja brenda Komunitetit Mysliman  ishte pista e parë dhe më e rëndësishme për të cilën hetoi grupi hetimor. Ishte koha kur në Shqipëri kishte një intensifikim të luftës ndaj terrorizmit dhe disa aksione të policisë shqiptare në bashkëpunim me CIA-n kishin sjellë arrestimin, dëbimin dhe zbulimin e disa celulave terroriste. Më i rëndësishmi ishte arrestimi dhe dëbimi në Egjipt i tre terroristëve që akuzoheshin për atentat ndaj kryeministrit të Egjiptit. Mouget Mustafa dhe Fonda u kapën në Shqipëri në 1998 dhe pas një operacioni u dërguan në Kajro, ku edhe u ekzekutuan. Pas kësaj ngjarjeje Alqaeda reagoi duke hedhur në erë dy ambasada egjiptiane më 7 gusht 1998 në Tanzani dhe Kenia, duke sjellë 250 persona të vrarë. Pas këtij akti terrorist, Shqipëria i ngjante një vendi ku elementë të lidhur me celulat e Xhihadit islamik ishin në zhdukje e sipër. Salih Tivari ishte një nga mbështetësit e shkatërrimit të këtyre celulave. Është interesant fakti që Departamenti Amerikan i Thesarit në një raport të 6 shkurtit 2004 e cilëson Salih Tivarin si përkrahës të një islami modern, ndërsa vrasjen e tij e lidh pikërisht me përplasjen mes dy rrymave.

“Para vrasjes së tij, Tivari kontrolloi financat, vendimet e personelit dhe donacionet brenda Komunitetit Mysliman  Shqiptar. Kjo i dha atij fuqi të konsiderueshme, duke bërë të mundur që ai të mbijetonte disa përpjekje nga ekstremistët e trajnuar jashtë shtetit për ta zëvendësuar ose për të uzurpuar fuqinë e tij”.

Raporti me afro një faqe kompjuterike dhe me informacione për çdo shtet ku vërtetoheshin se kishte transaksione financiare në shërbim të organizatave terroriste, gati të jepte versionin dhe motivin e vrasjes.

“Pak para se të vritej, Tivari informoi se ai kishte për qëllim të zvogëlonte “ndikimin e huaj islamik” në Komunitetin Mysliman  Shqiptar”.

Ndërsa mediat në Tiranë shpreheshin të bindura se vrasja ishte bërë nga organizata terroriste, e drejtuar nga kryeterroristi i botës, Osama Bin Laden, gazeta “Korrieri” e 31 gushtit 2004 jepte motivin e vrasjes, shpjegimin përkatës, skenën e krimit dhe një “gjysmëpretencë”: “Njerëzit e Bin Ladenit vranë Tivarin”. Raporti/ Shërbimet Sekrete Amerikane hedhin dritë mbi misterin e krimit. Provat e reja me konspiracionin mes shqiptarëve. Shoqata humanitare arabe dhe anëtarët e HAMAS-it në Ballkan. Gjithçka pas deklaratës së Salih Tivarit: Do reduktoj influencën e huaj në radhët e besimtarëve shqiptarë”.

E, megjithatë, mungonte kryesori: autori i krimit. Edhe pse hetimet në këtë pistë morën asistencë edhe nga SHBA-ja, nuk arritën të zbulonin një krim mjaft të sofistikuar. Policia arrestoi pas vrasjes Ermir Gjinishin, një zyrtar në Komunitetin Mysliman, por pas disa orësh e liroi atë, sepse nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme për t’i ngritur akuzë.

Por duket se përplasjet në Komunitetin Mysliman kishin nisur të publikoheshin më parë. Studiuesi Piro Misha, vetëm 3 ditë përpara vrasjes së Salih Tivarit, duket sikur bëri parashikimin e vrasjes, teksa jepte alarmin në një shkrim të tij. Misha e shoqëronte shkrimin me publikimin e një fjalori botëror të islamizmit, ku një vend të veçantë zinte edhe Shqipëria. Midis të tjerave Misha lajmëronte atë që hetuesit e dyshonin pas vrasjes së Tivarit: “Ka një përpjekje të veçantë për të zëvendësuar islamin tradicional me një islam në format e tij më radikale, i cili praktikohet në Arabinë Saudite dhe në vendet e tjera, të ashtuquajtura të Gjirit”.

Eduart Shefiku, myftiu i Durrësit, që ishte mbështetës i Salih Tivarit, ka deklaruar se miku i tij kishte marrë kërcënime kohët e fundit nga disa të rinj besimtarë myslimanë. Sipas tij, ata janë të rinj të diplomuar në Arabinë Saudite dhe Malejzi, përfaqësues të Selafi.

TË DYSHUARIT E PADYSHIMTË

Mes personave që u shoqëruan në policia pas vrasjes ishin dy personazhe shumë të njohura. Ermir Gjinishi dhe Artan Kristo. Të dy kishin pasur debate dhe mosmarrëveshje me Salih Tivarin, por kjo nuk do të thoshte që domosdoshmërisht ishin të implikuar. Për 4 orë Gjinishi dha shpjegimet e tij në polici e më pas u shpreh për gazetën “Tirana Observer”.

“Unë me Salih Tivarin kam pasur marrëdhënie pune. Unë drejtoja sektorë të ndryshëm në Komunitetin Mysliman  dhe Saliu sektorë të tjerë. Kemi pasur ndonjëherë debate për çështje pune, por marrëdhëniet mes nesh nuk kanë pasur probleme. Nuk kam pasur ndonjëherë konflikte me të. Madje, doja të merrja pjesë në varrimin e tij, në Durrës, nëse nuk do të më kishin mbajtur aq gjatë në polici. Unë nuk e di kush e ka kryer këtë vrasje. Por uroj që organet kompetente t’i zbulojnë autorët e vrasjes, në mënyrë që të hiqet njolla e zezë nga Komuniteti Mysliman”.

Në fakt hetimi për këtë vrasje kishte edhe një të dyshuar tjetër si të implikuar. Por këto dyshime u shuan me kalimin e ditëve. Quhej Artan Kristo dhe ishte personi që kishte debatuar më shumë se një herë me Salih Tivarin. Por vetë Kristo i ka shpjeguar këto mosmarrëveshje, por edhe përse dyshohej që ai kishte dorë në vrasje.

“Kjo për arsye se kemi pasur disa konflikte dhe kemi pasur edhe mosmarrëveshje. Në lidhje me disa gjëra fetare që Saliu i ka regjistruar dhe i ka mbajtur shënim me emra, duke i dërguar në organet shtetërore. Aty ka qenë edhe emri im dhe i disa shokëve të mi”.

Por gjithçka  ka rënë poshtë, sepse Kristo ka dhënë alibinë e fortë se nuk ndodhej në Shqipëri kur u vra Tivari.

“Unë kam qenë vetëm besimtar dhe nuk më ka lidhur puna asnjëherë me Tivarin. Unë kisha në drejtim një shkollë dhe isha mësues. Marrëdhënia ime me Tivarin ishte vetëm pune dhe nuk kishim shoqëri. Në momentin e vrasjes unë kam qenë në Siri dhe nuk kam qenë fare prezent në Shqipëri. E kam marrë vesh vdekjen e tij me anë të një mesazhi nga të njohurit në Shqipëri. Kështu që nuk jam fare në dijeni të asaj që ka ndodhur. Unë nuk u thirra në polici, por shkova vetë për të bërë pasaportën, për ta firmosur. Por policët më morën në pyetje për Tivarin me arsyetimin se duhet të sqarohet kjo çështje edhe për të gjitha konfliktet që kam pasur me të. Dua të them se ato konflikte që unë kam pasur me të nuk mund të arrijnë kurrë në ekstrem. Unë nuk jam vrasësi dhe duhet ta gjejnë diku tjetër. Ai është i lirë dhe fajtori nuk jam unë. Normalisht ata nuk kanë fakte dhe nuk kanë si t’i kenë për diçka që nuk ekziston”.

PISTA 2: VRASJE MAFIOZE PËR ÇËSHTJET E TROJEVE NË TIRANË

Por ndërsa pista e një vrasjeje nga ekstremistë ishte pista e vetme serioze dhe më afër asaj që dyshohej, në horizont doli edhe një pistë tjetër. Ajo lidhej me aktivitetin si noter të Salih Tivarit dhe kishte të bënte me disa konflikte për çështje trojesh në Tiranë për të cilat Tivari kishte bërë certifikimin si noter. Por edhe kjo pistë nisi të zbehej kur faktet vërtetuan se puna e Tivarit kishte qenë korrekte. Hetuesit shtronin shesh pyetjen nëse kishin të bënin me një vrasje për shkak të korrektësisë së Tivarit? Faktet dhe detajet ishin të vagullta. Edhe përgjigjja po ashtu. Pas shumë veprimesh hetimore dosja u pezullua dhe i kaloi për hetim Policisë së Tiranës.

 

10 FAKTE

  1. Salih Tivari ishte sekretar i përgjithshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar prej vitit 1990
  2. Salih Tivari ishte diplomuar si jurist dhe prej shumë vitesh ushtronte profesionin e noterit
  3. Salih Tivari ishte në zyrë që në orën 07.00, edhe pse ishte ditë e diel
  4. Ekzekutimi i Salih Tivarit u bë me pistoletë të tipit “Beretë”
  5. Mendohet se kanë qenë tre persona që kanë marrë pjesë në vrasjen e Salih Tivarit
  6. Vrasja e Salih Tivarit ka qenë pjesë e raporteve të institucioneve të shtetit amerikan si një akt terrorist nga organizata terroriste si kundërpërgjigje ndaj aksioneve të policisë dhe drejtësisë shqiptare
  7. Nga viti 1998 deri në vitin 2002 kur u vra Salih Tivari, Policia e Shtetit kreu disa aksione kundër disa celulave terroriste që ishin prezente në Shqipëri
  8. Nga viti 1998 deri në vitin 2002 drejtësia shqiptare bllokoi shumë llogari bankare dhe sekuestroi shumë pasuri që u përkisnin elementëve terroristë të penetruar në Shqipëri
  9. Salih Tivari kishte qenë i prerë në kontrollet e tij për financimet e dyshimta që vinin në Komunitetin Mysliman nga organizata të dyshimta myslimane
  10. Salih Tivari kishte pasur debate brenda radhëve të Komunitetit Mysliman lidhur me këto financime

 

10 MISTERE

  1. A ishte vrasja e Salih Tivarit një reagim ndaj shumë aksioneve të policisë dhe shtetit shqiptar kundrejt organizatave të huaja myslimane që operonin në Shqipëri? A ka lidhje vrasja e Salih Tivarit me faktin që ai quhej mbështetës i një islami të moderuar në Shqipëri dhe kjo i solli përplasje me krahun që kërkonte një islam më radikal nën shembullin e disa vendeve si Arabia Saudite etj?
  2. A lidhet vrasja e Salih Tivarit me bashkëpunimin e tij me strukturat e shtetit shqiptar ndaj elementëve të dyshuar si pjesë e terrorizmit botëror?
  3. Përse Salih Tivari shkoi në zyrë ditën e diel, kur e kishte pushim, madje shumë herët? Si ka mundësi që autori me bashkëpunëtorët e tij ta kryenin vrasjen në zyrë? A mund të përjashtohet fakti që ata kanë pasur bashkëpunim nga brenda Komunitetit Mysliman?
  4. A kishte lidhje vrasja e Tivarit me qëndrimin e tij që të huajt, sidomos ata nga Arabia Saudite, të mos kishin ndikim në Komunitetin Mysliman Shqiptar?
  5. A ishte vrasja e tij një hakmarrje për kërkesat e shumta që bënte Tivari, si njeri i ligjit, në mënyrë që Komuniteti Mysliman të funksiononte konform ligjeve?
  6. Përse Salih Tivari kishte kërkuar që të gjitha donacionet për Komunitetin Mysliman të bëheshin nëpërmjet bankës?
  7. Cilët persona ishin prekur nga kjo kërkesë dhe mund të kishin pasoja? A ka lidhje vrasja me njerëzit që e kërcënuan Tivarin dhe që ai i kishte paditur në Policinë e Durrësit?
  8. Si ka mundësi që, edhe pse hetimi ka qenë intensiv dhe me bashkëpunimin e ekspertëve të huaj amerikanë, procesi hetimor dështoi? A ka pasur sabotim të hetimeve edhe nga brenda radhëve të grupit hetimor, duke përfshirë nga policia deri te prokuroria?
  9. Përse u prish vendi i ngjarjes nga personat që e kanë gjetur, duke menduar se i kishte rënë të fikët? Edhe pse ka pasur shumë pak gjak, nuk ishte e nevojshme të lëvizej trupi dhe, aq më tepër, të prishej vendngjarja
  10. A ka lidhje vrasja me daljen publike të Tivarit për të reduktuar 5 faljet e detyrueshme për besimtarët dhe ritet e zgjatura të varrimeve?

 

DËSHMI DHE DEKLARATA

 

Fatos Klosi, kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror

“Ngjarja është kështu. Rreth dy vjet më parë Salih Tivari më ka kërkuar takim dhe unë e kam pritur. Ai më ka ngritur shqetësimin e vet se në Komunitetin Mysliman kishin nisur problemet mes dy rrymave. Një prej të cilave ishte ajo radikale me prirje fondamentaliste dhe tjetra e moderuar, të cilën e përfaqësonte Tivari. Pas këtij takimi jemi takuar dhe disa herë të tjera, ku çështje kryesore ka qenë kjo kontradiktë.”

 

Fatos Nano, kryeministër gjatë hetimeve të vrasjes

“Nuk duhet të lini njeri të nxjerrë përfitime nga ky rast. Kjo do të ndihmonte edhe miqësinë tuaj edhe shtetin të veprojë më saktë. Me vrasjen e Salihut janë goditur simbolet e shenjta. Ne duhet të ruajmë karakteristikat e Myslimanizmit shqiptar i cili nuk është fondamentalist. Ai është një besim i hapur që mbron disa vlera të mëdha mbarënjerëzore. Tivari ishte i pazëvendësueshëm në punën që bënte. Unë besoj se edhe drejtuesit e Komunitetit Mysliman  ndajnë të njëjtin mendim. Besoj se edhe ata e dënojnë ashpër këtë akt.”

 

Thedhori Sollaku, Prokuror i Përgjithshëm

“Një nga pistat ku po heton prokuroria për vrasjen e Salih Tivarit është lufta e nëndheshme mes dy fraksioneve në Komunitetin Mysliman dhe kjo pistë nuk është rrëzuar.”

 

Ervin Hatibi, poet

“Vrasja e Salih Tivarit po përdoret si një fushatë e cila nxin dhe ashpërson imazhin e besimit mysliman, sidomos të eksponentëve të rinj të këtij besimi. Të gjitha akuzat që aludojnë për një lidhje fetare me krimin e ndodhur, janë ndikuar nga aktualiteti ndërkombëtar dhe jo nga ai vendas. Ndoshta pas akteve terroriste të 11 shtatorit”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: