KUSH PO ARRESTON “SHTETIN”? – OPINION NGA FRROK ÇUPI

KUSH PO ARRESTON “SHTETIN”? – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Janë hapur lajme se po arrestohen pjesa më “vitale” e drejtorëve të policisë së shtetit. Pjesa “vitale” nënkupton “pasuri, pasuri pa fund dhe të pa regjistruar” si dhe krim të madh. Në konceptin e “arrestit”, që nga nocioni “britanik norman” ka dy lloje arrestimesh; këta hyjnë në llojin e “krimeve të mëdha” ku duhet të dorëzojnë edhe rripat e pantallonave dhe lidhëset e këpucëve.

Bashkë me këta i vjen rrotull arrestimi edhe një ministri; ndërsa një deputet është thërritur për dëshmi në “Krimet e Rënda”. Të gjithë akuzohen se “kishin ngritur një shtet më vete”. Shteti “më vete”, deri tani, kishte ndërtuar financa, GDP, njëfarë ushtrie, ekzekutorë, logjistikë të lëvizjes detare dhe tokësore, trafik influencash shtetërore, ministra, deputetë, ekspertë krimi, policë, financierë, etj.

Atëherë, pyetja shtrohet: Cili shtet po arreston shtetin tjetër?

Dje, dështoi operacioni i shtetit të votuar çdo katër vjet nga populli; dhe hera e fundit e votimit ishte 25 qershori i vitit ku jemi. Nëse “do të presim hollë”, në logjikën e shekullit se për shkak të teknologjisë “individi mund të bëhet më i fuqishëm se qeveria”, atëherë sot në mëngjes duhej të ishim zgjuar me frikën se “ndodhemi në dorën e shtetit të pavotuar”; ose të shtetit që nuk u arrestua mbrëmë nga shteti që kemi votuar.

Pamja më e butë e kësaj që po ndodh, mund të përshkruhet si “përplasje  e dy vezëve” ku njëra nga vezët do të thyejë tjetrën. Momenti është shumë delikat dhe i frikshëm: Ja ndodhi që thyhet “veza” e shtetit të votuar!?

Dilemat janë të shumta dhe thuajse ekzistenciale. Po të mendojmë se “shteti po ha veten?” Kjo përsëri nuk shkon, sepse epoka e socializmit që është tipike për “shtetin që ha veten”,  ka perënduar.

Megjithatë, një gjë po ndodh: Po arrestohet “shteti”. Por kush po e arreston? Kur shikojmë se vetë shteti është i implikuar në krim: që nga trafiku i drogës, te shitja e njerëzve dhe pas pak vrasjet masive për shkak të klaneve në krim; dhe, përballë kemi një shtet që po kërkohet për në burg - jemi të prirur të mendojmë në mënyrë biblike se “një dorë nga lart” po bën punë.

1.

A është shteti “i votuar”, ai që po arreston shtetin e mafies?

Askush nuk mund të jetë i sigurt për këtë. Shteti i votuar akoma nuk ka pranuar se ka “krim dhe drogë”. Sinjali i lëshuar prej tij se “nuk ka”, nënkupton urdhrin: “Arrestoni ajrin, por jo ministrin dhe shefat e policisë”..., sepse nuk ekzistojnë. Në anën e “shtetit të votuar” ndodhen punëtorët e  shtetit ilegal. Shteti ilegal ka pará pa llogari, ka drogë, është i pamëshirshëm,  ka fitime të mëdha për dhjetë njerëz dhe “ç’të duhet me popullin”. Dje agjentët e shtetit ilegal që ndodheshin brenda shtetit “të votuar” iu dhanë sinjal shefave se “po vijmë për arrestimin, fshihuni”.

2.

A është opozita ajo që para 27 vjetësh, mori përgjegjësinë e instalimit të shtetit pluralist “garant për individin”? Kjo mund të ishte vërtet, në një situatë kaosi ku shteti ilegal jeton brenda shtetit të votuar, opozita mund të merrte në dorë situatën e purifikimit. Por opozita, aq sa nuk ekziston, aq edhe nuk ka interes për purifikim real. Po të kishte marrë opozita në duar “të drejtën e shtetit të votuar”, mbrëmë mund t’i kishte prurë vetë në burg ata që iu ishte prerë urdhër-arresti. Në Zimbabwe, shtet i Afrikës, opozita ushtarake bëri për vete edhe partinë në pushtet, për të pastruar vendin nga krimi i kreut të shtetit. Kjo ka veç dy ditë që ka ndodhur...

3.

A është dora e Perëndimit që po arreston shtetin ilegal?!

Perëndimi nuk mund të mendohet kurrë se, para shtetit ilegal mund të zgjedhë të fusë duart te pushteti i votuar. Por Perëndimi, sidomos BE-ja, aktualisht është “edhe kështu, edhe ashtu”. Përgjithësisht eurokratët që vizitojnë Shqipërinë, këto vitet e fundit, i përkasin elitës së vjetër politike dhe kërkojnë një status quo në Shqipëri, qoftë edhe një miksim mes shtetit të votuar dhe shtetit ilegal. Eurokrati më i lartë që foli për ministrin e “shtetit ilegal”, Knut Fleckenstein, u pa i interesuar që “asgjë të mos ndodhë me Tahirin”. Ai tha fjalë për fjalë se “se tashmë hetimet janë të mundshme” duke shtuar se ‘nuk i takon atij për të dhënë një gjykim mbi to”. Influencat purifikuese të Shteteve të Bashkuara po pengohen me shumë mënyra, në vend të hapjes së portës për iniciativat e shtetit Amerikan. Në Tiranë, thërritet i biri i George Soros që mendohet si arkitekt i kanabizimit të vendit.

4.

Kush po e arreston “shtetin”, pra?

Përsëri mund ti kthehemi idesë biblike; afërisht të destinisë. Destinia e shtetit është që të mbrojë individin - ky është thelbi. A mendoni se po vepron “shpirti i shtetit” që rron që nga krijimi i tij si i paprekur?... Besoj se po. Tradicionalisht, termi “përgjegjësia e shtetit” ka reflektuar mbrojtjen e individit nga çdo rrezik, deri edhe te “plagët që mund të shkaktojnë alienët”.

... Një gjë është këtu që po e arreston “shtetin”, ndoshta është qiellore.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: