Legalizimi i ndërtimit pa leje, arrestohen për korrupsion nëpunës të Hipotekës dhe ALUIZNI-t

Legalizimi i ndërtimit pa leje, arrestohen për korrupsion nëpunës të Hipotekës dhe ALUIZNI-t
Katër persona, mes të cilëve 2 nëpunës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), u ndaluan me urdhër të prokurorisë së Tiranës nën akuzën e korrupsionit aktiv dhe pasiv, në lidhje me legalizimin e një objekti të ndërtuar pa leje.

Në bazë të veprimeve procedurale të kryera nga Prokuroria e Tiranës, nisur nga informacioni i referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë së Shtetit, rezulton se shtetasi M.S. ka aplikuar për lejen e legalizimit të një ndërtimi pa leje, në zyrat e ALUIZNI-t, Tiranë, në vitin 2014. Prej asaj kohe, ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin e saj.

Për t’u interesuar për ecurinë e aplikimit, është interesuar vazhdimisht edhe vajza e aplikueses, K. S, e cila është efektive në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në sallën operative.

Kjo e fundit është njohur me S. Musallaj, e cila i ka siguruar se kishte njohjet e duhura për të mbaruar punën me dokumentet.

Musallaj ka vendosur kontaktet ndërmjet të interesuarës, K. Sala dhe një punonjësve të Hipotekës së Tiranës, B. Belli. Kjo e fundit, pasi ka konsultuar letrat e aplikimit të bëra nga nëna e K. Salës, ka thënë se nuk ishte punë që e mbulonte institucioni i saj (Hipoteka).

Gjithsesi, punonjësja e Hipotekës i ka thënë të interesuarës se kishte një mikun e saj te ALUIZNI-i i Tiranës, dega Laprakë, e konkretisht, M.Bezhani.

Pas disa komunikimeve ndërmjet personave të mësipërm, është rënë dakord që e interesuara, K.Sala, të paguante shumën prej 6 mijë eurosh tek shefi i ALUIZNI-t për Laprakën, M. Bezhani.

Shuma e parave, në formë ryshfeti, është dorëzuar nga K.Sala tek punonjësja e Hipotekës, B.Belli, ditën e djeshme (dt. 12.11.2017).

Belli është takuar pasditen e së dielës me M. Bezhani, duke i dorëzuar shumën e parave.

Në vijim të kësaj “pagese”, ditën e sotme (dt. 13.11.2017), aplikuesja K.Sala ka marrë lejen e legalizimit në bazë të aplikimit të kryer nga nëna e saj në vitin 2014.

Prokuroria e Tiranës ka qenë në ndjekje dinamike të kësaj situate dhe, pasditen e sotme, ka kryer ndalimet e shtetasve: K. Sala, punonjësve policie (aplikante), B. Belli, punonjëse e ZVRPP (Hipoteka) Tiranë, M. Bezhani, përgjegjës zyre ALUIZNI, Laprakë, Tiranë dhe S. Musallaj./l.k./

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: