“Luftë” kundër Rilindjes, tetë pikat e Konventës së LSI-së

“Luftë” kundër Rilindjes, tetë pikat e Konventës së LSI-së
Partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi sanksionon “opozitën e qartë e pa kompromis kundër qeverisë së Rilindjes”. Por bën dallimin me PS, duke theksuar se do të ketë bashkëpunim me socialistët e thjeshtë. Petrit Vasili paralajmëron rrëzim të shpejtë të qeverisë. Tetë pikat e Rezolutës

Në Konventën e djeshme të LSI-së, kryetarja, Monika Kryemadhi, tha se “kemi përballë një qeveri arrogante, qeveri e cila gjendet në kaosin e zullumit të ministrave të saj”.

Në këtë mënyrë, LSI u pozicionua qartë dhe prerë kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Duke e konsideruar “të pamundur bashkëpunimin me Rilindjen”, në rezolutën e Konventës bie në sy fakti se “shigjetat” e sulmit janë përqendruar mbi Rilindjen, duke bërë kështu një dallim me Partinë Socialiste. “Bashkëpunim me socialistët e thjeshtë, por jo me Rilindjen”, thuhet në pikën e fundit të rezolutës së LSI-së.

“Do ta rrëzojmë shumë shpejt, në mënyrë shumë të shpejtë, çështje javësh këtë Kryeministër të degraduar”, tha kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili.

Tetë pikat që përbëjnë rezolutën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që doli nga punimet e Konventës Kombëtare, janë:

  1. Mandatojmë Kryetarin e Partisë, Grupin Parlamentar dhe Kryesinë e LSI, që të jenë në krye të betejës për dekriminalizimin e politikës, të luftës së hapur ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
  2. Nuk do të pranohet asnjë aleancë me grupe apo individë në politikë, që kanë probleme me drejtësinë.
  3. Mbështesim plotësisht Kryetarin e Partisë dhe forumet drejtuese të LSI, që të drejtojnë Partinë në bashkëpunimin politik me parti, aktorë të shoqërisë civile e faktorë të tjerë politikë e shoqërorë të të gjitha niveleve,që janë të gatshëm për një opozitë të qartë e pa kompromis kundër qeverisë së Rilindjes. Bashkimi bën fuqinë!
  4. Aleancat antikrim dhe antidrogë nuk mund të pengohen kurrsesi nga asnjë ndasi ideologjike. Vendimmarrja politike e Kryetarit, e KDK dhe e Kryesisë të përshtatet në varësi të zhvillimeve konkrete politike në vend,por në asnjë rast të mos pranohet asnjë marrëveshje apo kompromis me bashkëpunëtorët e krimit të organizuar dhe drogës.
  5. Kanabizimi i vendit dhe vendosja e Shqipërisë në hartën e trafiqeve më të rrezikshme ndërkombëtare të drogës është projekti më kriminal me të cilin Rilindja nxiu e damkosi vendin. Konventa e denoncon njëzëri këtë projekt si antikombëtar, rrënues dhe të papranueshëm.
  6. LSI e ka propozuar dhe mbështet fort dhe pa asnjë hezitim heqjen e plotë të imunitetit për çdo zyrtar të shtetit! Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit!
  7. LSI do të mbështesë çdo prokuror, oficer të policisë gjyqësore apo gjykatës, që në bazë të ligjit kërkon të hetojë politikanë të cilitdo subjekt e grupim politik qofshin në maxhorancë apo opozitë.
  8. LSI e konsideron bashkëpunimin me Rilindjen si të pamundur. Ai është një grup në funksion të interesave të krimit e drogës, të provuara këto gjerësisht. Bashkëpunim me socialistët e thjeshtë, por jo me Rilindjen”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: