Luiz Ejlli: Rrëzohemi në jetë, që të mësojmë të ringrihemi!

Luiz Ejlli: Rrëzohemi në jetë, që të mësojmë të ringrihemi!
Luiz Ejlli është një nga zërat më të bukur, që ka panorama e muzikës së lehtë shqiptare! Ashtu si në historitë më të bukura dhe të njohura të zërave të fuqishëm amerikanë, ai vjen nga koret kishtare, ku duket se Zoti ka dashur të zbulohet talenti i tij. Me vakuume, por me rikthime, ka qenë e gjithë karriera e djalit nga Shkodra, që sot është një jurist me formim francez, por me zemrën tek kënga. Vjen në një rrëfim tepër të sinqertë për Albanian Free Press, këngëtari i mjaft festivaleve, i cili me pozitivitet, por me shpirt kritik, flet për jetën dhe muzikën shqiptare.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Në moshën 10-vjeçare, ke fituar çmim në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër; Këtu kanë qenë fillimet e tua?

Ka qenë çmimi “Zëri më i bukur” dhe për mua ishte më tepër se një çmim i parë. Mbaj mend që ato ditë, vetëm flisja nëpër shtëpi dhe i thosha motrës: E shikon çfarë zëri kam! Këndoja gjithë kohën, sa në një moment më thoshte nëna: “Hajt he burrë, se na shurdhove! E morme vesht maaaaaaa...! hajt tesh, ec përpara!”.

Por është e vërtetë se ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme.

Më trego disa kujtime nga fëmijëria, nga roli si solist në kor për shembull...

Fillimet e mia i kam qysh në moshën 6-vjeçare. Shkoja çdo të diel në Kishën Françeskane në Shkodër, me nanën dhe motrën. Kori i kishës aty, kishte nevojë për këngëtar dhe këngëtare. Motër Violeta Lleshdedaj, e cila drejtonte korin e Kishës, m’u afrua dhe më tha të shkoja që të më provonte si këndoja. Nga ai moment e deri në moshën 14-15-vjeçare, 5 herë në javë, isha në korin e kishës. Pastaj, ajo më zgjodhi si solist ku, pothuajse në çdo këngë që këndohej gjatë meshës, unë isha solist.

Mbaj mend kur kam qenë pak a shumë 10 vjeç, kam pyetur Provincialin (i pari i françeskanëve) i thashë, si vendos njeriu që të bëhet Frat? Ai m’u përgjigj duke më thënë se: “Të thërret Zoti” dhe me kaq, e la. Kur u bëra 15 vjeç, ai më tha: “Luiz, pse nuk bëhesh Frat?” “Nuk më ka thirrur akoma”, - i thashë, ha ha ha ha.

Gjithsesi, fal atyre njerëzve të mirë, unë zbulova talentin tim në të kënduar dhe i jam mirënjohës gjithë jetën.

Sa të ka mbështetur familja në këtë pasion? A ishin ata dakord për këtë rrugë tënden?

Nana ime ka punuar 35 vjet në kuzhinën e konviktit të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër. Ajo vetëm tralala dëgjonte, nga mëngjesi deri në darkë. Në moshën 6-vjeçare më ka futur në klasë të parë në atë shkollë. Në fillim jo se e mendonin që kisha talent për muzikë, por si nanat që duan ta kenë fëmijën e tyre afër, ajo bëri këtë zgjedhje. Pastaj, me kalimin e viteve, e kuptuan që kam talent dhe e kam me qejf shumë muzikën. Më mbështetën çdo ditë dhe vazhdojnë ta bëjnë edhe sot e kësaj dite. Sakrificat e tyre janë të jashtëzakonshme, në shi, borë, në zheg, më çonin e më merrnin nga shkolla me biçikletë, për 5 vite rresht, deri sa fillova vetë të merrja autobusin e qytetit, sepse e kisha pak larg shkollën nga shtëpia.

Vetëm kur arrin në një moshë madhore dhe të pjekur, fillojnë dhe të vijnë ndër mend sakrificat dhe vuajtjet e prindërve, jo vetëm në rastin tim, por në përgjithësi.

Më trego diçka më shumë mbi familjen tënde të origjinës; ke të preferuar mes tyre?

Të preferuar nuk mund të them se kam, sepse u bënë shumë vite që familjen nuk e kam në Shqipëri. Unë jam vetëm dhe kam shumë mall për ta, por motrën e kam pikë të dobët. Edhe pse është më e madhe se unë, mua më duket gjithmonë e brishtë, e sinqertë, e vogël. Gjyshi im ka kënduar dhe më thonë që i kam ngjarë atij. Ai ndërroi jetë, kur baba ka qenë vetëm 12 vjeç dhe është rritur jetim, ndaj nuk kam pasur mundësi ta njihja. Nga mënyra si ma përshkruajnë, po ta kisha njohur personalisht, besoj se do ishte ai ndoshta, më i preferuari.

I ka rënë qemanes i themi violinës ne, shkodranët e vjetër, dhe ka kënduar. Dhe meqë ra fjala për shkodran të vjetër, nga babai me origjinë të largët, këtu e s’di ku, jam nga Fishta, nga nëna jam nga Shkreli.

Ti je djalë shkodran e nga ai qytet kanë dalë shumë këngëtarë, nga më të mirët në vend. Pse? Cila është magjia e Shkodrës?

Besoj do jetë klima, ha ha ha. Të them të drejtën, e kam menduar edhe vetë se si ka mundësi që të gjithë këndojnë, kërcejnë, kanë humor, janë artistë dhe të pasur në shpirt, pavarësisht se në të vërtetë të varfër nga anët e tjera.

Unë kam bërë një krahasim dhe mendoj se ne shkodranët jemi si napolitanët. Edhe ata njëlloj si ne janë, në gjithçka.

Kaq talente prodhon Shkodra, sa “Gjeniun e vogël” e kanë fituar veç shkodranë pothuajse, fabrikë këngëtarësh jemi. Pavarësisht se Shkodra ka një problem, ajo nxjerr këngëtarë me të kënaq zemrën, shpirtin dhe veshin, e jo “syrin”, siç ndodh aktualisht. Nejse, kjo është temë tjetër.

Ke pasur përkrahje në fillimet e tua, nga artistët më me përvojë dhe kë do të kujtoje?

Gjithë jetën vetëm “bërryla”, si në çdo fushë. Po them bërryla, në kuptimin që konkurrenca është goxha e fortë, sidomos në Shkodër ku, siç e thashë më sipër, ka shumë talente të cilët duan të çajnë përpara dhe të jenë dikush.

I vetmi që ka pasur besim tek unë dhe që më ka dhënë kurajë, duke më mbështetur, ka qenë Shpëtim Saraçi, i cili më thoshte gjithmonë, “Lubo” (nofkë shkodrane), po të duash e bën, po të duash ia del.

E falënderoj shumë për gjithçka, për besimin tek unë, mbi të gjitha.

Si rrodhën më pas, pjesëmarrjet e tua në festivale? Çfarë kujton nga bashkëpunimet me kompozitorët ose njerëzit e skenës?

Në shtëpi, ne gjithmonë shikonim festivalin e fundvitit. Mësoja gati çdo këngë përmendësh, s’kisha qenë kurrë në Pallatin e Kongreseve, as si spektator dhe ajo skenë më dukej magji e vërtetë. Kur mora pjesë, për herë të parë në vitin 2005, me këngën “Hëna dhe yjet dashurojnë” e kompozitorit Shpëtim Saraçi, më dridheshin gjunjët, jo nga kënga apo konkurrimi, por që pas kuintave, unë po rrija me gjithë ata këngëtarë që i adhuroja dhe ia dija të gjitha këngët. Ndërsa tani, isha në konkurrim me ta. Atë vit, zura vendin e dytë dhe Ledina Çelo zuri vend të parë, por kënaqësia ime ishte shumë e madhe, duke marrë parasysh që kisha dalë më i miri nga gjithë ata që i shikoja si idhuj.

Çfarë ndjen një këngëtar kaq i ri, kur përfaqëson vendin në Eurosong?

Në vitin 2006, fitova festivalin dhe isha në Eurosong. Atë vit bëhej në Greqi. Isha tepër i ri dhe kur dola në skenë që ishte stadiumi i Athinës, i mbushur plot e përplot, u fikën dritat para se të fillonte kënga, kam parë që nuk i gjeja fundin njerëzve të pranishëm dhe gati sa nuk m’u morr fryma. Ishte një përvojë e rrallë dhe e jashtëzakonshme.

Në festivale ke marrë pjesë disa herë, madje edhe e ke fituar atë. Sa rëndësi ka për një artist të jetë fitimtar? Sa mendon se e kanë shpërblyer drejtë, përpjekjen tënde si artist?

Është më se normale që edhe në një festival lagjeje po të marrësh pjesë, ke dëshirë të fitosh, sepse njeriu duhet të ketë pak sedër, ego dhe shpirtin e konkurrimit. E vërteta është që në Shqipëri, çfarë nuk dëgjon; jo e fitoi ky, se ka atë; jo e fitoi kjo, se është e dashura e këtij, etj. Ato çmime që kam fituar, që janë shumë, i kam fituar si Luiz e jo duke futur mik apo ku di unë. Në fakt, kështu thonë të gjithë, por unë ju fola pak a shumë dhe për familjen time dhe për mundësitë e mia, qofshin ato ekonomike apo me miq të fortë. Sa i takon shpërblimit, përveç kënaqësisë shpirtërore, asgjë më shumë nuk kam marrë. Shqipëria i kujton dhe i nderon artistët, gjithmonë pas vdekjes, se sa janë gjallë nuk i intereson kuj a kanë bukë, a kanë shtëpi, etj. E njëjta gjë ndodhi me Gent Demaliaj të “Djemve të detit”, e njëjta gjë me doktor Florin, me Françesk Radin, Vaçe Zelën ose Tonin Tërshanën. Të mendosh që ky i fundit ka qenë pa shtëpi, pa rrogë, pa pension special etj. Nga ana tjetër, nuk ngeli kush pa marrë titull “mjeshtër i madh”, “artist i popullit” etj. Mos vallë e meritonin më shumë se sa Tonini? S’e besoj! Unë, sa ishte gjallë, e kam ndihmuar duke i gjetur shtëpinë, me shoqëri e me gjithçka. Ka qenë dhe ngelet për mua, këngëtari mashkull më i mirë shqiptar, deri më sot! Morali i fabulës është që, në këtë vend, del në skenë, fiton nuk fiton pak rëndësi ka, sepse veç duartrokitjeve në sallë, kur të ikësh në shtëpi, duhet të bësh llogaritë si të mbijetosh me atë profesion si këngëtar, sepse maksimumi që mund të bëjë më i miri, është të këndojë në dasma dhe lokale.

Bën përshtypje fakti se, tek zërat e bukur meshkuj që nuk janë shumë, ka më shumë përpjekje për të respektuar muzikën e lehtë të pastër. Pse ndodh kjo?

Po, sepse një mashkull, po të dalë të këndojë i zhveshur, bëhet i neveritshëm dhe të bën të ndërrosh stacion direkt, kurse femrat janë në garë, kush zhvishet më shumë. Siç më tha një shok njëherë:

- S’ma pranuan të dashurën tek një edicion për këngëtare.

- Pse- e pyeta?Ajo ka super vokal.

- Ehhhh, - tha. Justifikimi ishte se ka këmbët e shtrembëta.

Kështu që këtu ndahen kategoritë, ata që pëlqejnë këngën dhe muzikën dhe ata që pëlqejnë trupin etj. Po të shikosh sot videoklipet e këngëtareve femra, çdo këngë fillon në pishinë dhe mbaron në krevat. Kamera fokuson vetëm këmbët dhe nga mbrapa. Kurse klipet e meshkujve, fillojnë me drogë, alkool, makina luksi, armë e bixhoz. Me sa di unë, videoklipi duhet të jetë një plus për këngën, që të të transmetojë një mesazh, po çfarë dreqin transmetojnë ato? Hajde merre vesh! Pa folur pastaj për tekstet që po t’i lexosh si poezi, kap kokën me grushte, sepse nuk merr vesh se çfarë thotë, ose me 3 fjalë fillon e mbaron kënga.

Ka pasur kohë kur je shkëputur nga muzika, nga kënga. Je rikthyer. Si ndihesh larg këngës?

Unë fizikisht jam shkëputur, por me shpirt e me zemër, kurrë!!!

Kam pasur një periudhë të vështirë, kohët e fundit dhe s’kam pasur kohë të merrem me muzikë, sepse, siç jua thashë, më duhej të punoja që të sistemoja ca gjëra personale. Unë do të rikthehem dhe do të mundohem të jap më të mirën time, me aq sa kam mundësi.

Për të të njohur pak më shumë; ti vetë, çfarë muzike dëgjon?

Gjithçka, sepse që të flasësh për muzikë ose të kritikosh, duhet të dëgjosh dhe të arrish të kuptosh domethënien e asaj që kompozitori apo këngëtari ka dashur të transmetojë me atë këngë. Me dy fjalë, respekt për të gjitha rrymat muzikore dhe krahinat. Personalisht pëlqej dhe dëgjoj muzikë epike, kolonat zanore të shumë filmave, sidomos ato të bëra nga Ennio Morricone, Thomas Bergerssen, Hans Zimmer, Klaus Badelt etj.

Si preferon ta kalosh kohën e lirë? Për shembull, të pëlqen të shikosh futboll?

Kohën e lirë e kaloj duke dëgjuar këngë në shtëpi, filma, dhe të them të drejtën, futbolli më është mërzitur pak, që kur është bërë modë kjo puna e llotove - p.sh., të luajë Real-i Madrid me Gramozin dhe të dalë 1-1. Hajde më jep përgjigje tani, si ka mundësi. Kështu që nuk ia vlen të shkatërrohesh emocionalisht duke i parë e duke ulëritur, në një kohë që shumica e ndeshjeve trukohen.

Je ulur edhe të shkruash këngë; pra, ka përpjekje të tuat për të qenë kantautor?

Po edhe e kam bërë. Kur t’i kem gati do t’i sjell në publik.

Si e shikon veten, më shumë një jurist apo një këngëtar?

Të dyja. Njëra është punë që të sjell bukën në tavolinë dhe ushqen trupin, tjetra është kënaqësi që të sjell emocion dhe të ushqen shpirtin.

Sa kërkesa ke për këngët që interpreton? Si i  preferon ato? A u jep rëndësi teksteve të tyre?

Teksti është shumë i rëndësishëm dhe për këtë më vjen keq që shumica nuk i japin rëndësi. Ka raste që mërzitem kur dëgjoj një këngë shumë të bukur, por që ia ka futur tekstit kot fare dhe e shëmton duke i humbur vlerat.

Je personazh publik, a i druhesh mendjemadhësisë? Apo je ti me këmbë në tokë?

Në jetën time, s’kam qenë mendjemadh, jeta është grafik. Kam pasur rastin dhe e kam të rri me të parët e shtetit shqiptar, francez e të tjerë; me artistë, sportistë, etj., por edhe me horra, edhe me të papunë, me të pasur e të varfër, unë i njëjti jam me të gjithë. Nuk më intereson se çfarë ke apo nga kush i ke apo i kujt je, rëndësi ka, ti çfarë bën, si sillesh dhe si je në raport me mua. Kjo, në fakt, dhe më ka dëmtuar, në disa raste, se dikush-dikush ka menduar se unë do t’i nënshtrohem lartmadhërisë së tyre, por e kanë gabim.

Për çfarë do luftoje më fort në jetë, cilat janë vlerat më të larta, sipas teje?

Siç i themi ne në Shkodër, “për ftyrë” njeriu nuk duhet të shkelë kurrë, mbi parimet e veta, nuk duhet kurrë të ndjehet i nënvlerësuar, nuk duhet kurrë të ulë kokën, para dikujt që ka gjithçka, nuk duhet kurrë të dorëzohet! Të gjithë kemi momente kritike në jetë, por pyetja është, pse rrëzohemi në jetë? Që të mësojmë të ringrihemi.

Ke miq të ngushtë, nga ato që njeriu i ka në krah për gjithë një jetën?

Kam, sepse tek e fundit, ata janë të vetmit që një hall apo gëzim, dëshiron ta ndash me ta. Ndoshta më lirshëm se sa me familjen tënde, por nuk po i them cilët janë, se po na i ngel hatri të tjerëve.

Cilat janë planet e tua më të afërta, lidhur me këngën?

Do të marr pjesë ne Festivalin e fundvitit të RTSH-së, me një këngë duet, me shpresën që të dalë shumë e bukur dhe ta fitoj, pse jo! Meqenëse s’kam qenë kurrë në Portugali, ha ha ha ha ha.

Si e shikon të ardhmen? Ku e shikon ose ku ëndërron të jesh nesër?

Këtë s’e kam menduar. Në fakt, mundohem të jetoj të tashmen dhe të luftoj me gjithçka kam, t’ia bëj vetes më të lehtë gjithçka që kam. Plane kam pasur, në fakt, por që m’u shkatërruan. Tani duhet të rifilloj gjithçka, se tek e fundit jeta vazhdon, koha do ta tregojë a kemi bërë zgjedhjet e duhura apo jo në jetë...

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: