Me shoqet, me shoqet moj, trularaskë!

Me shoqet, me shoqet moj, trularaskë!
Nga Juela Meçani

Filmi i njohur shqiptar që përshkruante histori në kohë lufte, na ka përcjellë deri në ditët e sotme, këtë shprehje, e cila ka mbetur si motiv i një prej marrëdhënieve më të rëndësishme që kemi në jetë ne femrat. Babai fanatik (jo nëna këtë herë), paragjykonte një miqësi, teksa nuk donte që vajza të dilte, sepse mendonte se shoqet, ato trularaskat, do ndikonin për keq vajzën e tij “të ndershme”. Sa herë në fëmijëri, shumë shpesh madje, na ka ndodhur kjo? Në shumicën e rasteve ishin nënat ato, femra edhe vetë, që na tërhiqnin vëmendjen të kishim kujdes nga shoqet. Asnjëra prej tyre ose vetëm ndonjëra, u pëlqente, pavarësisht se kur na bujtnin në shtëpi, silleshin si mikesha në sy të tyre. Por, sapo shoqet tona largoheshin, kalonim në një pyetësor të gjatë e na përplaseshin në fytyrë të gjitha ato “detajet” e imëta, që nënat kishin vënë re.

Kur e mendoj sot, pas kaq vitesh, kur jam vetë nënë e një vajze, më vjen të qesh. Nuk di mirë ende, nëse ishte xhelozi ndaj çdo figure të re femërore që hynte në jetën time, ishte pasiguri dhe mbrojtje prej klloçke, apo ishte instinkti i një gruaje ndaj djallëzisë tipike femërore që, në fakt, jeta ka provuar, se nuk është dhe aq pa baza. Pavarësisht ankesave prej nëne, duhet pranuar se, miqësia mes femrave është ajo më e forta, kur është e tillë. Sa herë kujtoj me nostalgji fëmijërinë time, kujtoj edhe që sitës së jetës i ka mbijetuar të paktën një mikeshë, e që kohët e kaluara mes vajzash, qoftë edhe duke gatuar në shtëpi, janë nga më të bukurat në jetën time. E nuk është vetëm mendimi im ky, ma besoni!

Teksa bisedoj me shoqe, gjithmonë kur argumenti del në sipërfaqe, beqare ose të martuara, me fëmijë ose të vetme, u ndriçohen sytë dhe e thonë pa mëdyshje se, argëtimi më i bukur është ai mes shoqesh, pazari më i mirë ai me shoqet, qarja më eficiente e halleve, është ajo me mikeshat e zemrës. Asgjë në jetën e një femre nuk ka shije, sa një gotë verë me mikeshat. Ose një lajthitje e ëmbël, teksa je ndarë me atë që do. Dhe ajo, mikesha, ndez makinën e ikni diku larg, të duron kur lag jastëkun me lot të hidhur e të dëgjon pa fund, kur ankohesh për atë, të ligun e radhës. E di, do më thoni se e kundërta ndodh kur miqësitë femërore prishen ose thyhen. Aty plas marazi dhe zgjat pa fund lufta me armë llafesh. Por kjo sakrificë ia vlen, sepse, në fund të fundit, kur je femër, grua, nënë, gjyshe, asnjë nuk të kupton më mirë, se sa një tjetër femër, grua, nënë, gjyshe.

Miqësia mes femrave këtu, e ka dhe vlerën e saj apo edhe plotfuqinë mbi të gjitha. Si “djallushe” që jemi një mashkull e kuptojmë dhe vihemi në petkun e tij, dimë madje edhe ta këshillojmë siç duhet. Ndërkohë, një mashkull kurrë nuk mund të veshë dot petkun tonë, as të njohë luhatjet tona, as të respektojë vendimet tona të papritura instiktive, por mbushur me emocion.

Ndaj rrofshin “trularaskat” që na e bëjnë jetën më të bukur, me urimin që sa më shumë prej tyre të jenë besnike dhe të kuptojnë se asgjë nga një miqësi femërore nuk harrohet. Ajo magazinohet, mënjanohet në një cep dashurie, vihet në gjumë, por sa të rigjesh fillin aty ku e le, miqësia nis nga e para.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: