Ministri i Jashtëm grek, Kotzias: T’i zgjidhim çështjet e hapura sot, e duam Shqipërinë në BE

Ministri i Jashtëm grek, Kotzias: T’i zgjidhim çështjet e hapura sot, e duam Shqipërinë në BE
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka deklaruar se çështjet e hapura duhen zgjidhur sa më shpejtë, në mënyrë që të zhvillohen perspektivat e Shqipërisë për në BE.

Kujtojmë që prej dy ditësh në ishullin e Kretës, dy ministrat e Jashtëm, Bushati dhe Kotzias, po zhvillojnë një takim lidhur me çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve fqinje.

Në fokus të bisedimeve kanë qenë Marrëveshja Detare, Ligji i Luftës, minoritetet, etj.

“Me kolegun tim, Ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, ne kemi filluar bisedimet që nga e premtja në mëngjes. Ne do të vazhdojmë debatin deri nesër përpara se fluturoj për në Bruksel, ku do të mbahet Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së. Ne po diskutojmë çështjet që janë të hapura, duam t’i zgjidhim ato sot, për të zhvilluar perspektivat për nesër”, u shpreh Kotzias.

Gjithashtu kryediplomati grek u shpreh se vendi që ai përfaqëson dëshiron ta shohë Shqipërinë si anëtare të Bashkimi Evropian.

“Ne po punojmë shumë intensivisht dhe në mënyrë të pandërprerë. Ne gjithashtu duam që Shqipëria të bëhet një shtet anëtar i BE-së” tha Kotzias.

Nesër pritet që dy ministrat të zhvillojnë një konferencë për mediat ku do të informojnë mbi arritjet e takimit dhe marrëveshjet e zgjidhura.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: