Mos kini zili!

Mos kini zili!
Nga Juela Meçani

Se ç’është një lloj snobizmi delirant, që karakterizon vendet e varfra, shpesh më duket shumë lindor. Që kur i jam rikthyer gazetarisë së mirëfilltë, kam hasur disa raste kur të njohur ose të njohura, më kanë shprehur se e kanë parë me habi këtë rikthim e se kishin pasur pritshmëri të tjera nga personazhi im. Ky konstatim ka ardhur jo vetëm nga njerëz që nuk e kanë haberin nga media, por edhe nga njerëz që kanë punuar aty me dhjetëvjeçarë. Ta marr si dashuri? Ta marr si vlerësim? I futa një të qeshur të thellë e vetëm kaq. Sa snobizëm ka në botën tonë të letrave, i frikshëm e i pashpresë!

Ka kudo në fakt, por imazhi im për gazetarët, ka qenë gjithmonë ai që kam hasur jashtë kufijve ose ai i pedagogëve të mi të huaj në fakultet, që shpesh vinin nga zona lufte. Kam pasur fatin të kem lidhje pune me shumë nga gazetarët më të mirë në botë, sepse isha pika e tyre lidhëse me personalitetin që do të intervistohej. Në sallat e mëdha me luks e drita, ata ia behnin me çantat e tyre të shpinës, xhupat me shumë xhepa, disa celularë, me mjekër e jo gjithmonë të krehur e të qethur. Po ky trend ishte edhe për femrat gazetare, të thjeshta, me xhinse, pa grim, por kur uleshin, ishin enciklopedi e duhet të mendoheshe mirë përpara tyre. Por emrat e tyre ishin në majën e gazetarisë botërore dhe në tregun mediatik, ishin liderë të padiskutueshëm. Por në panoramikë, ishin vetëm dhe vetëm gazetarë. Po përse vallë, këtu në këtë vend ku liria hodhi hapat e parë, dikur, edhe përmes gazetarëve, sot që ata “të dikurshmit” janë me kollare, këmishë me inicialet e tyre dhe kostume mijëraeuroshe, të bësh gazetarin quhet jashtë konsideratës së borgjezisë snob të këtij vendi? Sepse ne vazhdojmë jetojmë për të tjerët e me imazhin e tyre, rendisim ditët dhe ndërrojmë lëkurë sipas çorbës që na japin, ende nuk ka kaluar ajo periudha e frikshme e kolektivitetit e ndaj, të bësh atë që dashuron më shumë të bësh, nuk quhet lumturi e as realizim.

Nuk kanë edhe shumë faj, po ta mendosh hollë-hollë, ekranet u servirin një “modë” edhe në të bërin gazetari, e kanë bërë “gardh” lajmin e nuk lënë aktivitete e parada pa shkuar, si modele e modelë të sprovuar. Por sa shpejt u harrua se, dikur kishte shumë dallim mes një gazetari dhe një moderatori, mes një prezantueseje dhe një skenaristeje, mes një ideje dhe një interpretimi.

Të jesh gazetar ose thjesht njeri i letrave, të bën më vëzhgues, të bën më plëngprishës, s’të bën sigurisht të denjë për çdo oborrtar, por nëse e lë, e rinis, e lë dhe e rinis përsëri, është si ato dashuritë e pakonsumuara kurrë deri në fund. Mos i kini zili oborrtarët e gazetarisë, edhe ata dikur kishin pasion për atë që shkruajnë, thjesht i ka zënë pak dëshira për rehati. Por nëse pak e gërric lëkurën e një gazetari ose gazetareje “rrace”, do të shikosh menjëherë që pasioni fle, por nuk ka vdekur. Mos i kini zili profilet e tyre prej VIP-ash të regjur! Aq të lumtur sa kanë qenë dikur kur shkruanin me stilolaps e bllok, por i zbulonin mjaltin këtij vendi me shije të hidhur, nuk kanë për të qenë kurrë më! Dhe për këtë, vetë ata që ju bëjnë kaq snob, janë të vetëdijshëm...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: