MPJ shqiptar Bushati, flet për takimin e Kretës me homologun Kotzias

MPJ shqiptar Bushati, flet për takimin e Kretës me homologun Kotzias
“Kemi hyrë tani në një fazë edhe më delikate sepse është bërë një punë e mirë, shpresoj që me vullnet të mirë një pjesë e dosjes të avancojë”

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati foli sot në Tiranë, mbi takimin e pritshëm më 10 nëntor në Hersonisos të Kretës me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, raporton Albanian Free Press.

Bëhet fjalë për një raund bisedimesh intensive për të cilin Bushati dhe Kotzias kanë rënë dakord të zhvillohet për dy ditë në Kretë, me qëllim, zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.

Bushati tha se po punohet për të zgjidhur të gjitha çështjet të cilat konsiderohen të hapura me Greqinë dhe sipas tij tashmë është hyrë në një fazë edhe më delikate.

Ai pohoi se dialogu me shtetin fqinj Greqinë, “është një dialog që ka vështirësitë e veta, por angazhimi i qeverisë do të jetë maksimal për ta vijuar”.

MPJ tha se janë një sërë çështjesh që ende konsiderohen të nxehta, dhe për të cilat kërkohet një kohë e caktuar për t’u zgjidhur.

“Është një dialog që ka vështirësitë e veta. Pikëpamjet janë të qarta. Ka çështje me të cilat jemi pranë zgjidhjes. Ky është një diskutim në një format që bota e njeh dhe e aplikon, nuk është një negociatë. Do të ketë angazhim të qeverisë shqiptare për të qenë më angazhuese në këtë proces, për të qenë më të hapur me Greqinë”.

Bushati pohoi në vazhdim se çështjet janë bërë disa herë publike si nga ai ashtu dhe nga Kotzias dhe shtoi: “Për këtë vendosëm këtë dialog. Nuk diskutohet që një pjesë e çështjeve konsiderohen ende të nxehta. Ato kanë lidhje me çështjet konsullore, të drejtat e pakicës, roli i shqiptarëve që jetojnë e kontribuojnë në Greqi. Ne jemi të prirur për të gjetur zgjidhjet më të mira”.

Bushati tha se nuk mendon se do të jetë një dialog i shkurtër, por theksoi se “shpreh gatishmërinë time për të vijuar këtë dialog me Greqinë”.

Këtu ai pohoi se bisedimet kanë hyrë në një fazë më delikate: “Kemi hyrë tani në një fazë edhe më delikate sepse është bërë një punë e mirë, shpresoj që me vullnet të mirë një pjesë e dosjes të avancojë”.

Pyetje-përgjigjet e plota:

Cilat janë çështjet që ju do të diskutoni gjatë takimit të Kretës me homologun tuaj Kotzias?

Bushati: Nga momenti që ne krijuam mekanizmin dypalësh në një nivel teknik dhe tani, të gjitha çështjet do të diskutohen edhe në një nivel më politik. Natyrisht që është një dialog që ka vështirësitë e veta. Pikëpamjet janë bërë të qarta. Ka çështje të cilat njihen si të tilla dhe jemi afër skicimit të rrugëzgjidhjeve dhe ka çështje për të cilat ka vështirësi edhe më të mëdha. Duhet të siguroj vetëm për dy gjëra. E para, ky është një diskutim në një format që praktikisht bota e njeh dhe e aplikon. Është më i strukturuar, më intensiv, me ministrat dhe ekipet respektive. Nuk është një negociatë, që të jemi shumë të qartë në këtë pikëpamje. Dhe gjëja e dytë që dua të them është qëndrimi i qeverisë shqiptare për të qenë sa më angazhues në këtë proces për të zgjidhur të gjitha çështjet të cilat konsiderohen të hapura me Greqinë, që nga shporta historike deri tek çështjet e aktualitetit, pasojat e së cilës i vuajnë qytetarët.

Pse i komplikuan? Na thoni diçka më tepër?

Bushati: Besoj se çështjet janë bërë disa herë publike si nga ana ime ashtu edhe nga ana e homologut grek. Këto ishin edhe arsyet që ne vendosëm këtë mekanizëm dialogu duke zhvilluar disa raunde bisedimesh dhe konsultimesh. Ka disa Komisione gjithashtu të përbashkëta ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk diskutohet që një pjesë e çështjeve konsiderohen sot e kësaj dite të nxehta apo të komplikuara që nga shporta e Luftës së Dytë Botërore, që është e pa adresuar e deri te çështjet e aktualitetit që kanë lidhje me shërbimet konsullore, të drejtat e pakicës, rolin e shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Greqi, por ju them edhe një herë tjetër, angazhimi ynë mbetet i plotë. Nuk diskutohet që diplomacia dhe demokracia janë baras me konsensus dhe ne jemi të prirur për të gjetur zgjidhjet më të mira që respektojnë jo vetëm interesat e palëve, por mbi të gjitha respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe t’i zgjidhim si fqinjë të mirë në një frymë evropiane. Nuk mendoj se do të jetë një dialog i shkurtër dhe besoj dhe shpreh të gjithë gatishmërinë time në emër të Qeverisë shqiptare, në emër të kryeministrit Edi Rama, për të vijuar këtë dialog me Greqinë.

Ministër, ju thatë që nuk do të jetë një dialog i shkurtër, do të ketë një raund të dytë në Shqipëri. Cilat janë çështjet që janë më afër zgjidhjes nga ky dialog që do të zhvillohet në Kretë?

Bushati: Ka çështje që janë thjesht të njëanshme që nuk kanë shumë nevojë për një ujdi mes palëve, sikundër ka çështje të cilat kërkojnë kohën e duhur për t’u zgjidhur ashtu siç duhet. Ne jemi përpjekur për të ndjekur një përqasje tematike dhe për të zgjidhur çështjet të cilat i konsiderojmë që janë të lidhura më njëra tjetrën, qoftë ato të shportës së Luftës së Dytë Botërore, qoftë çështjet e aktualitetit apo çështje që kanë të bëjnë me regjimin e kufijve dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për detin por e kam fjalën edhe për kufijtë tokësorë. Tani kemi hyrë në një fazë edhe më delikate për hir të së vërtetës sepse është bërë një punë e mirë paraprake, janë studiuar disa variante, shpresoj shumë që me vullnet të mirë një pjesë e dosjes të avancojë. Thashë që jemi të angazhuar për një dialog konstant, pikërisht i nisur nga arsyeja që për një pjesë të çështjeve nevojitet shumë më tepër kohë dhe një mandat për t’u negociuar në nivele edhe më teknike.

***

Deklaratat e z.Bushati u bënë pak pasi ai shkoi në Parlament, ku mbrojti draftin për buxhetin e vitit 2018 për ministrinë që ai drejton.

Debati mbi këtë buxhet u zhvillua te Komisioni për Integrimin Evropian dhe Komisioni për Politikën e Jashtme.

Gjatë prezantimit të tij, z. Bushati u shpreh se buxheti i MEPJ është rreth 2.9 miliardë lekë dhe krahasuar me 2017, ka një rritje në vlerë absolute me 0.74 %.

Bushati tha se prioriteti kryesor i qeverisë dhe institucionit që drejton, është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Komisionet e miratuan në parim projektbuxhetin e shtetit për vitin 2018, të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. /IBNA/

Lexoni edhe: Detaje mbi takimin Bushati-Kotzias në Kretë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: