NA DUHET LIGJI I MOS-INFORMIMIT – OPINION NGA FRROK ÇUPI

NA DUHET LIGJI I MOS-INFORMIMIT – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nganjëherë pyes veten: pse duhet të jemi kaq shumë të informuar?... Jo pse jemi ‘kaq shumë të informuar’, por pse gënjejmë veten se jemi ‘?! Prandaj na duhet  ta kursejmë veten dhe të krijojmë një ligj mbi mos-informimin. Atëherë shpëtimi (ose fajtori ynë) do të jetë ligji- jo vetë ne; do të themi “na e ndalon ligji” dhe biem rehat... Kështu nuk po gjejmë qetësi...

....Kush na e ka fajin: Mediat, apo ata që yshtin mediat; shteti apo individi?! Sa pyetje të vështira si në rrethin “veza pulën apo pula vezën?”...

Na sjell puna te çështje jetike: A duhet të hamë a të mos hamë vezë?. Deri  në këto dilema na ka çuar over- informacioni. Veza ka kolesterol dhe na çon në vdekje- thotë një over- informacion; kush ha vezë nuk ka kolesteraol- thotë po over-informacioni tjetër... Po pse na duhet gjithë jo? Pse na duhet të na thonë se ‘lopa është alergjike para barit”, ose se misri ka shumë sheqer; dhe ne t’i besojmë të gjitha. Misri, për shembull, është konsumuar 20 mijë vjet me radhë, por  vetëm njëqind vjeteshin e fundit doli se ka sheqer.. Jo pse na duhet “ta dimë”?, por pse na duhet një over- informacion, dhe pas kësaj të bëjmë të njëjtën gjë?...

Pse na duhet një ligj mbi mos- informimin? Nuk është vetëm kaq, por më konkrete dhe më e thjeshtë për ne:

1.

Pse duhet të informohemi nga një lajm që nuk është çfarë ka ndodhur, por që dikush thotë se ka ndodhur ?

Ne kemi mijëra dhe miliona burime informacioni; por vetëm dy prej tyre funksionojnë: Burimi që thotë se ‘dikush ka thënë’’, dhe burimi që thotë se ‘e di vetëm unë çfarë ka ndodhur”. Edhe pse kemi miliona burime informacioni, në fakt jetojmë në epokë terri informativ. Na intereson informacioni mbi jetën tonë të ditës, mbi ekonominë, mbi sigurinë, por nuk e kuptojmë; po të mos e kuptojmë do të thotë se nuk e marrim... Të dy palët politike, si qeveria edhe maxhoranca, prej kohësh po na thonë se dikush ka thënë.... Çfarë kanë thënë?... Ndërkombëtarët kanë thënë për ekonominë dhe sigurinë tonë!. Qeveria ka thënë se ‘të huajt kërkojnë reforma’ dhe se ‘Banka Botërore ka miratuar rritjen 3.5%’”; ndërsa opozita ka thënë se ka një program ekonomik që ‘e dinë ata të CDU në Gjermani’. I bie që ne u informuam? Jo, sigurisht. Prandaj na duhet një ligj që të na protektojë. Të paktën t’i themi shtetit (qeveri+opozitë) se ligji i ndalon të na informojnë mbi atë se ‘dikush ka thënë se ka ndodhur’.  Asnjë media nuk na sjell para syve atë që ka ndodhur, por atë çfarë qeveria, opozita dhe policia thonë se ‘ka ndodhur’. Në qoftë se media përdor ndonjëherë kamera ose mikrofon ose dëshmi, këtë e bën vetëm për njerëzit e showbiz-it. Media përgjon facebook-un e këtyre dhe na transmeton çfarë thanë ata, edhe kur bëjnë një ‘p....’.  Mirëpo as veza, as misri, as kolesteroli, as varfëria nuk janë showbiz... Ja që na duhet ligji.

2.

Pse na duhet të dimë si e preu me thikë ai burri gruan?

Makabriteti ka zbritur në kuzhinat tona, para filxhanit të kafesë, mbi kokën  shtratit të natës ku rri varur një televizor ose aty ku lexohen mesazhet e fundit në android.  Si kanë zbritur? Përmes informacionit. A nuk  na duhet një ligj që të na mbrojë? Pse duhet të më tregojë informacioni, mes fëmijëve a i vetëm, se si e vrau ai burri gruan (në Pogradec a diku gjetke)?! Si e theri me thikën e bukës... Është një pasion i medias të tregojë si u krye krimi, në detaje deri në kockë. Nëse ka harruar një detaj, lajmi i kthehet përsëri dhe tregon gjithë vrasjen makabre. Ti e merr ‘dozën’ për të dytën e të tretën herë. Më vonë një makabritet tjetër: I hynë në shtëpi për ta vjedhur por i përdhunuan vajzën, ja vajza që u përdhunua, ja emrat. ... Derisa të çmendesh ose të bëhesh shok me krimin.

Nuk është pasion, është një biznes. Media e tregon makabritetin sepse këtë e ka më të lehtën për të bërë; media nuk di shumë, është edhe injorante. Të keqen maksimale e tregon lehtësisht edhe budallai i lagjes, edhe po të flitet me gishta- e keqja merret vesh. Ky është biznes i lirë... por akoma më ‘biznes’ bëhet kur  makabriteti kërkohet nga viktimat- që quhen edhe konsumatorë të informacionit. Pse e duan kaq shumë njerëzit lajmin e tmerrshëm? Ka dy arsye: E para se i ruhen të keqes që mund t’u ndodhë si në lajm; dhe e dyta, se aty e gjejnë veten më lehtë. E vërteta është shumë e vështirë për t’u treguar, sidomos nga gazetarë të mësuar që të kapin ‘lajmin e zi’. Prandaj  nformacioni me makabritet kërkon një ‘gardian’.

3.

Na duhet një ligj që të mos marrim vesh gjë zyrtarisht.

Ne në fakt nuk po marrim vesh gjë, edhe pse kemi miliona burime informacioni. As e dimë se ç’mendje ka shteti për jetën tonë nesër në mëngjes; as na thotë njeri çfarë do të bëhet me lagjen, as me qytetin as me rrugën, as me gjobat. As na ka treguar njeri ku shkuan gjithë ato fitime nga droga; as sa vetë janë vrarë në luftën mes klaneve. As na ka treguar njeri ku është fshehur pasuria jonë publike që vetë politikanët thonë mes veti, se e grabitën. As e dimë pse jemi kaq të varfër. As e dimë se si janë ndarë hesapet mes atyre që quhen ‘në qeveri’ dhe atyre që quhen ‘në opozitë’.

A keni kuptuar një gjë: Të gjithë luftojnë me njëri tjetrin për lajmin, domethënë për informacionin. Jo për të treguar të vërteta, por për ta pasur pronë edhe lajmin. Nuk i keni dëgjuar akuzat ndaj njëri tjetrit se ‘ti nuk i do mediat’, ‘unë i dua’. Qëllimi është një soj si në një tender ose parcela hashashi: më i forti kap parcelën, tjetri mbetet. Jemi kthyer në situatën e diktatorit Stalin që shkruante: Kush ka informacionin, ka fitoren”. Në këtë rast ka shumë naivë që besojnë se dikush e ka me zemër për të mbrojtur informacionin dhe mediat. Askush nuk ka në qendër të synimit jetën tënde e timen e të popullit. Vetëm po të jesh idiot që të mendosh se kanë hallin  tënd...

Po atëherë pse duhet ta dish ti këtë, zyrtarisht?  Më mirë ta ndjesh dhe ta marrësh me mend, edhe me dyshime. Pse duhet të hapësh kanalin që ata të fusin në veshin tënd lajmet e tyre, përderisa nuk ndryshon dot asgjë? Asnjë lajm nuk ka punë me ty? Atëherë pse e do? Pse duhet të marrësh vesh zyrtarisht se sa keq funksionojnë ata rreth teje? Më mirë ta ndjesh dhe ta marrësh me mend, edhe me dyshime.... Një ligj për mos- informimin do të ishte një ‘gardian’ që nuk na lë të gabojmë me veten.

Në fund të fundit, njeriu është ngopur me lajme false, që kurse ka lindur. Gënjeshtra nuk është gjë e re në jetën e njeriut. Njerëzit kanë mashtruar njëri- tjetrin që në Kopshtin Eden.  Shimpanzetë, qëllimisht kanë çmendur njëri tjetrin duke u shikuar në distancë. Macja jote të jep përkëdhelje në shkëmbim të ushqimit. Ky është shkaku pse i rrinë pranë lajmit..

Jeta jonë është mbingarkuar me ‘fakte’ dhe me ‘prova’ nga informacioni...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: