Panairi dhe kriza e librit, dija përballë sfidës së "hoteleve me pesë yje"

Panairi dhe kriza e librit, dija përballë sfidës së "hoteleve me pesë yje"
Panairi Kombëtar i Librit ka çelur dyert për lexuesin dhe si asnjëherë tjetër, në vend që të kishte dyndje njerëzish për të blerë ndonjë libër, botuesit janë organizuar për të kërkuar njëzëri reduktimin e taksave mbi librin pasi ndryshe paralajmërojnë falimentimin.

Duhet të ishin ditë feste, ditë të gëzueshme ku të bashkoheshin autorët me lexuesit, por...

Libri në krizë. Edhe dija shqiptare rezulton të jetë në krizë. Atëherë duhet pranuar zyrtarisht e kundërta, se gjithnjë e më shumë në këtë vend po triumfon dhe po zgjerohet injoranca.  Si mund të shpjegohet që nga paketa fiskale t’iu hiqet “taksat e banesës”  hoteleve me pesë yje, me argumentin për të zhvilluar turizmin dhe nuk mendohet aspak për librin, për shtëpitë botuese, bibliotekat, me qëllim për të nxitur e për të pasur më shumë lexues, si dhe për të zgjeruar dijen e kombit. A ka ndonjë komb të zhvilluar që dijen e nëpërkëmb apo e lë atë të fundit?!

Mungesa e politikave të shpërndarjes së librit, rrjeti i degraduar dhe mosfunksionimi i bibliotekave në gjithë Shqipërinë dhe TVSH e lartë mbi librin mbeten pikëpyetjet pa zgjidhje të botuesve shqiptare. “Kjo TVSH që është 20% që Europa e ka 6% më të lartën, Italia 4%, Greqia e ka 6%, Franca 6% dhe ne e kemi 20%, dhe është një tvsh absurde sepse është 20% në blerje dhe 0 në shitje, pra nuk është një taksë e rimbursueshme. Mesa di unë bashkia është duke vënë tulla nëpër biblioteka, por biblioteka nuk janë tullat janë librat” - tha kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri.

Ata kërkojnë së pari reduktim të TVSH-së mbi librin si dhe sidomos për uljen e taksës mbi krijimtarinë që prek autorët dhe përkthyesit.

Lehtësirat fiskale që kërkojnë botuesit edhe ministrja e kulturës Kumbaro është zotuar që të lëvizë të gjitha instrumentet institucionale për realizimin e tyre.

/a.m./

Shpërndajeni me miqtë tuaj: