Panairi i Librit, Betim Muço zgjidhet Autori i Vitit

Panairi i Librit, Betim Muço zgjidhet Autori i Vitit
Betim Muço, me veprën e tij “Yjet janë fare pranë”, është vlerësuar si Autori i vitit, nga Panairi i Librit, juria e të cilit ka ndarë çmime të ndryshme në fund të këtij eventi.

Kurse Diana Çuli u vlerësua si përkthyesja më e mirë e vitit, për sjelljen në gjuhën shqipe të autorit arbëresh Carmine Abate.

“Sigurisht çdo vlerësim për punën tonë është një kënaqësi shumë e madhe. Kishte konkurrentë të fortë, njohës të gjuhës e përkthimit, kështu që ndihem e vlerësuar që në atë grup të ndriçuar u vlerësova”, tha ajo.

Ndërsa “Faik Konica dhe dritëhijet e një diplomati”, me autor Agron Alibalin, u vlerësua në kategorinë e letërsisë studimore origjinale.

Më tej, Persida Asllani, në tentativën e saj për të sjellë një libër për fëmijë, qëlloi e suksesshme duke marrë çmimin me botimin “Më quajnë Musine Kokalari”.

Gjithashtu, për herë të parë, me çmime në këtë edicion të veçantë u vlerësuan edhe Shtëpia Botuese “Onufri” dhe “Pika pa sipërfaqe”, si edhe 3 libraritë “Adrion”, “Arjan Goga” në Shkodër dhe “Artini” në Prishtinë, për kontributin në afrimin e librit sa më pranë lexuesit.

/n.e/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: