Panucci, përse mungon Rey Manaj?!

Panucci, përse mungon Rey Manaj?!
Sulmuesi i Granada-s, i angazhuar te skuadra e tij spanjolle, priste një ftesë nga Christian Panucci ndaj Turqisë, duke parë se sulmi ka nevojë për emra të tjera. Manaj nuk figuron as në listën e Bushit 

Nga Aranit Muraçi

Ndaj Turqisë, trajneri Christian Panucci do të ketë vetëm një sulmues të mirëfilltë: Armando Sadikun. Mbetet ende enigmë, përse nuk u grumbulluan prej tij sulmuesit Sokol Cikalleshi i Osmanlıspor, si dhe Bekim Balaj, që mësohet se e ka kaluar dëmtimin.

Nëse të dy lojtarët janë lënë jashtë planeve të Panucci-t, kjo duhet pranuar prej tij dhe është e drejtë e trajnerit të besojë tek emrat që i duhen për të përmbushur objektivin që i është vendosur, por mbetet ende e pakuptueshme se përse nuk janë afruar emra të rinj për t’u provuar në sulm. Në kualifikueset e fundit Rusi 2018, mungesa e golit është konsideruar si problemi kryesor i Kombëtares shqiptare. Përveç golave të fitores në Izrael, dy prej të cilëve i shënoi Sadiku ndaj Maqedonisë, në të dyja ndeshjet Shqipëria vuajti në gjetjen e rrjetës. Sakaq, ishte e pamundur t’i shënoje Italisë e Spanjës. Mbetet gjithashtu e pakuptueshme që sulmues të së ardhmes si, Rey Manaj, Kristal Abazaj dhe Endri Çekiçi, nuk janë ftuar nga Panucci për t’u testuar ndaj Turqisë, me qëllim që të shohin veten gati për kualifikueset e Euro 2020. Duke përfshirë në ekip lojtarë të dëmtuar si Abrashi, Basha, apo të tjerë në ikje si, Lila dhe Lenjani, apo një lojtar pa ekip si Naser Aliji, ndaj Turqisë  vetëm për sulmin, testi nuk do të ketë vlerë. Një mesfushor me tipare sulmuese si Kristal Abazaj, i cili  po shkëlqen te Luftëtari dhe U-21, priste me padurim ftesën në Kombëtaren A. Ashtu edhe Endri Çekiçi. Por mësohet nga burimi pranë stafit kuqezi për “Albanian Free Press”, se zhgënjimi më i madh ka qenë për Rey Manaj.

Sulmuesi shqiptar i Granada-s, në ligën e dytë spanjolle, po përgatitet këto ditë për ekipin e tij Granada dhe jo për kombëtaren. Ai priste një ftesë nga Panucci (jo nga Alban Bushi), prandaj edhe është justifikuar se  i duhet të mendojë për ndeshjen e 12 shtatorit, ndaj Sevilla Atletico, e cila luhet një ditë para ndeshjes miqësore të Shqipërisë ndaj Turqisë. Ndeshja kundër Sevilla Atlético për Manaj, duket “më e vështirë” se ajo që luajti kundër Osasunës, sepse “ne duhet të jemi të përqendruar çdo kohë,” – thotë Manaj.

Lidhur me nuhatjen dhe golin ai shton:

“Më pak e rëndësishme është se kush shënon, nëse ekipi fiton”. Ai thotë se si te ekipi spanjoll, sikurse te kombëtarja, është e pamundur ta gjesh vetveten brenda një kohe të shkurtër.

“Mendoj se sa më shumë kohë kalon, më shumë lojtarët e njohin njëri-tjetrin, më mirë përshtaten me trajnerin, ashtu sikurse dinamika e ekipit do të jetë edhe më mirë. Dhe kjo është ajo që shpjegon ecurinë e mirë të ekipit.”

Manaj shprehet shumë i kënaqur me evolucionin e tij personal dhe në veçanti edhe për ekipin e tij në Spanjë, duke anashkaluar çdo pakënaqësi për mos-grumbullimin nga Panucci. Lojtari që është në pronësi të Inter, vetëm 20-vjeç, pas përvojave të kaluara me Pescara e Pisa, është huazuar këtë vit nga zikaltërit në Spanjë, dhe meritonte medoemos një vëmendje më të madhe nga Panucci e stafi i tij, aq më tepër kur kombëtarja ka pak alternativa në rolin e tij, si në rastin konkret. Manaj nuk ka mbushur ende 20-vjeç. Ai nuk është përfshirë as në grumbullimin e fundit të kombëtares U-21 nga Alban Bushi, duke shprehur në një farë mënyrë zhgënjimin që priste nga Kombëtarja A.  Nga De Biasi, Manaj ishte ftuar në tre ndeshje të kaluara miqësore dhe priste një vlerësim më tepër nga Panucci.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: