PËR VITIN E SKËNDERBEUT DHE FESTAT E NËNTORIT – OPINION NGA ALFRED PEZA

PËR VITIN E SKËNDERBEUT DHE FESTAT E NËNTORIT – OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ditët e festave të nëntorit këtë vit, më shumë se për kremtimet e aktit të shpalljes së pavarësisë dhe ditës së fitores së Shqipërisë mbi fashizmin, shërbyen si një moment për të startuar zyrtarisht aktivitetet për atë që është shpallur më herët nga kryeministri, si viti i Skënderbeut. Në 17 janarin që po vjen, mbushen plot 550 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ndaj i gjithë viti 2018 që përkon me këtë përvjetor, do të jetë i mbushur me aktivitete dhe simbolika për nder të kryetrimit të Krujës dhe prijësit të shqiptarëve, kundër pushtimit osman. Viti i ardhshëm pritet të jetë gjithashtu, një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, në hedhjen e hapave vendimtarë të integrimit, anëtarësimin në familjen e bashkuar europiane, për vlerat e së cilës ka luftuar këtu e 5-6 shekuj më parë edhe Skënderbeu, e për të cilën qytetërimi perëndimor i ka qenë dhe i është mirënjohës.

Me siguri që përgjatë  muajve të ardhshëm, do të bëhen shumë takime, kongrese, konferenca, seminare, simpoziume, ekspozita e botime, do emetohen monedha e pulla të reja, do përurohen përmendore, rrugë, sheshe e shkolla me emrin e kryeheroit. Sikundër mediat do të transmetojnë live ose jo, do përgatisin e shfaqin emisione, dokumentarë, filma, koncerte dhe çdo gjë tjetër me interes për publikun. E sigurt është që, aktivitete me përmasa të tilla, gjithmonë kanë nevojë për angazhimin e historianëve dhe institucioneve të specializuara, për kontributin e studiuesve dhe personaliteteve në të gjitha fushat, e mbi të gjitha, për financat e buxhetit dhe mbështetjen e qeverisë dhe politikës në tërësi.

Këto festa, këto ndërmarrje, nisma e angazhime për vende dhe popuj si ne, kanë rëndësi, sepse jemi ende në kërkim të kristalizimit të identitetit dhe kemi nevojë për t’u frymëzuar nga shembujt e historisë, për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga e kaluara, për të patur mundësi të vrapojmë drejt së ardhmes. Por sado mirë t’i bëjmë këto aktivitete, sado frymëzuese e spektakolare të jenë ato, në fund të fundit, vjen një moment e harrohen dhe kujtimi i tyre do të tretet si kripa në oqeanin e rutinës së përditshmërisë.

Nëse do të duam vërtetë që, krahas këtyre aktiviteteve, t’i shërbejmë në mënyrë afatgjatë, si përkujtimit të Skënderbeut, ashtu edhe 28 dhe 29 nëntorit, na duhet të investojmë edhe për projekte që frutet mund të mos i japin shpejt e shpejt, por vlerat e tyre të jenë të papërsëritshme e të përjetshme.

Për çfarë konkretisht e kam fjalën?

Së pari, viti i Skënderbeut do të bëhej më i plotë në përmasën e vet, në rast se për shembull, më në fund, do të ishin rikthyer në Shqipëri, origjinalet e armëve dhe përkrenares së Skënderbeut. Është fakt i ditur botërisht, se ato ndodhen në Vjenë dhe se duhet të bëjmë të pamundurën për t’i rikthyer. Sigurisht që nuk është një proces aq i thjeshtë. Procesi i rikthimit të artefakteve të trashëgimisë historiko-kulturore, është një nga më të ndërlikuarit e më të vështirët në marrëdhëniet dypalëshe dhe ato ndërkombëtare, sot në botë. Në arkivin e ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, gjendet një seri dokumentesh që hedhin dritë mbi një përpjekje diplomatike, institucionale dhe shtetërore, të paktën 95-vjeçare të shtetit tonë, për rikthimin e tyre nga Austria në Shqipëri.

Kjo përpjekje ka nisur që pas Kongresit të Lushnjes, ku shkresat datojnë të paktën që nga viti 1922, e deri më sot. Në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, bashkë me Mesharin e Gjon Buzukut nga Vatikani në Bibliotekën tonë Kombëtare, erdhën në Tiranë edhe armët e përkrenarja e Skënderbeut, për tu ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Shqipëria ndoshta mund të mos i ketë të gjitha objektet e saj të humbura e grabitura përgjatë shekujve këtu, por të paktën ato që shënjojnë elementet thelbësorë të identitetit tonë kombëtar, duhet të bëjmë të pamundurën t’i kemi. Me anë të kësaj matet edhe pesha, rëndësia dhe serioziteti ynë si shtet, për t’ia lënë trashëgim më pas brezave.

Së dyti, edhe 28 nëntori, dita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, do të ishte më e plotë në përmasën, simbolikën, memorien dhe në përkujtimin e vet, nëse do të ekspozoheshin bashkë me shumë dokumente historike të asaj periudhe, edhe origjinalet e dy prej dëshmive thelbësore të këtij akti. Edhe ato na mungojnë, e janë: Dokumenti i deklaratës së shpalljes së pavarësisë, bashkë me firmat e etërve themelues të shtetit tonë. E dyta, flamuri origjinal kuq e zi që u valëvit në ballkonin e vlorajve, nga Ismail Beu atë ditë të vjeshtës së tretë, në Vlorë.

Sipas dëshmisë së historianit Kristo Frashëri, lënë para vdekjes në një intervistë të dhënë për "Zërin e Amerikës", ajo që dihet me saktësi është se dokumenti ka ekzistuar deri më 1937 të paktën, në festimet e 25-vjetorit të pavarësisë. Kjo edhe për shkak se ai dokument që qarkullon sot, është një foto me rezolucion të shkëlqyer, e bërë nga origjinali prej Kel Marubit, pinjollit të dinastisë së famshme të Shkodrës, i cili, në atë kohë, ka qenë fotografi zyrtar i Oborrit Mbretëror Shqiptar. Ndërkohë që më 1962, me rastin e 50 - vjetorit të shpalljes së pavarësisë, profesor Frashëri thotë se ka qenë dëshmitar okular kur e ka parë me sytë e tij, dokumentin origjinal.

"Ai që e kishte, pronari i saj, tha se ia kishte dorëzuar Ismail Qemali me dorën e vet". Pas kësaj, ky dokument nuk ka dëshmi që të jetë parë më dhe prej 55 vjetësh, nuk dihet se ku është. Historianë të tjerë thonë se familja që e zotëron dokumentin, ndoshta sot nuk jeton në Shqipëri. Ndërsa flamuri origjinal i pavarësisë, sipas një shkrese zyrtare në arkivat e ministrisë së Jashtme, me shkrimin dhe firmën e Eqerem bej Vlorës, është rrëmbyer në Delvinë nga grekët që kishin pushtuar jugun e Shqipërisë dhe, sipas tij, me siguri është djegur dhe zhdukur përgjithmonë.

Së treti, edhe 29 nëntori, dita e fitores së Shqipërisë mbi fashizmin, do të ishte më e plotë në përkujtimin e vet, nëse do të ekzistonte procesverbali origjinal i aktit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Partizanët dhe drejtuesit e kësaj partie, hynë si triumfues në Tiranën e çliruar, udhëhoqën dhe e drejtuan për 45 vjet me radhë këtë vend. Spartak Ngjela dëshmon se në vitin 1986, kur ka qenë në burgjet politike të regjimit, i ka dërguar një letër Foto Çamit dhe Ramiz Alisë, ku i njofton se kishte dijeni për ekzistencën dhe vendin se ku mund të ishte dokumenti.

Ai vetë e kishte mësuar këtë nga një bashkëvuajtës, Zef Mala, ish-kryetari i grupit komunist të Shkodrës, i cili i kishte thënë se ato ndodhen në arkivat e Italisë, marrë gjatë pushtimit, kur u kishin rënë në duar një pjesë e arkivave të PKSH-së. Origjinali i këtyre dokumenteve do të hidhte dritë mbi shumë enigma dhe të vërteta, rreth krijimit të kësaj partie, me të cilat mund të shpjegohen më pas, të gjitha rrjedhat që mori nën drejtimin e saj Shqipëria.

I takon shtetit shqiptar të bëjë të gjitha përpjekjet, jo vetëm për këto akte, dokumente dhe artefakte që lidhen me çështjet e këtyre ditëve, por edhe të shumë provave e dëshmi të identitetit tonë kombëtar, të punohet në vijimësi për t’i rikthyer në Shqipëri. Ka edhe shumë e shumë gjëra të tjera si këto, që duhet të sigurohen, për të pasuruar arkivat tona, muzetë, memorien, dëshminë tonë për të shkuarën dhe për të ardhmen. Nuk duhen shumë pará për ta bërë këtë. Duhet veç ndërgjegje kombëtare, largpamësi dhe shumë vullnet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: