Përplasja për koncesionet, qeveria: Nuk do ta rrisin borxhin publik. FMN: Paraqesin rreziqe fiskale

Përplasja për koncesionet, qeveria: Nuk do ta rrisin borxhin publik. FMN: Paraqesin rreziqe fiskale
Nuk është e vërtetë se koncesionet e llojit të njohur si “Partneriteti Publik-Privat” do të ndikojnë në rritjen e borxhit publik. Një fakt të tillë e ka bërë dje me dije dje vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, para deputetëve, teksa ka mbrojtur para tyre investimet e parashikuara të bëhen prej qeverisë në vitin e ardhshëm, pikërisht përmes PPP-ve. Sipas tij, për çështje teknike, këto loj koncesionesh nuk do të njihen fare si borxh për shtetin, prandaj sipas tij, shqetësimi i ngritur nga opozita rreth tyre nuk qëndron aspak. Duke dhënë edhe një shifër konkrete për to, rreth 78 milionë dollarë që qeveria do të akordojë pikërisht lidhur me koncesionet në vitin e ardhshëm.

Por duket se me një gjë të tillë nuk ka qenë aspak dakord Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili i ka thënë qeverisë shqiptare që të ketë kujdes, me të ashtuquajturat “PPP”. “Axhenda ambicioze e autoriteteve për investime publike përmes Partneritetit Publik Privat (PPP) paraqet rreziqe të konsiderueshme fiskale”, thuhet saktësisht në deklaratën e institucionit të njohur financiar ndërkombëtar për Shqipërinë, e datës 2 tetor 2017. Duke shtuar në këtë kuadër edhe faktin se është me rëndësi të madhe që të forcohet zbatimi i kornizës së PPP-ve. “Paraqitet me një rëndësi të vazhdueshme që të fillohet të përdoren kompetencat ligjore të Ministrisë së Financave, të zgjeruara kohët e fundit, për të vlerësuar dhe monitoruar projektet e PPP-ve”, citon më tej deklarata e FMN-së. Për të vënë gjithashtu në dukje edhe faktin tjetër se “ndryshe nga praktika aktuale, ndikimi i PPP-ve në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të pasqyrohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ndërkombëtare”. Gjithmonë sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministria e Financave duhet të zgjasë më tej maturimin e borxhit publik dhe të diversifikojë bazën e investitorëve, duke shmangur kështu rreziqet që paraqiten.

Ndërkaq, edhe vetë përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke, në një intervistë të fundit, ka pohuar se “detyrimet që i takojnë shtetit nga PPP-të duhet të regjistrohen sipas praktikave më të mira ndërkombëtare”. Çka do të thotë sipas tij që PPP-të kontribuojnë në borxhin publik. “Praktikat aktuale në planifikimin dhe ekzekutimin e investimeve nuk i plotësojnë këto standarde, duke rritur rrezikun që të përzgjidhen projekte të varfra dhe që rreziqet fiskale të nënvlerësohen”, ka nënvizuar zyrtari i njohur i FMN-së.

REAGIMI

Opozita: Koncesionet po e gërryejnë buxhetin e shtetit

 Zgjedhja e aplikimit të koncesioneve përmes formulës Partneritet Publik-Privat, nuk është gjë tjetër veçse një paaftësi të qeverisë për të bërë investime publike dhe për të menaxhuar buxhetin. Ky ka qenë reagimi i nënkryetares së komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku. Prandaj, sipas saj, ajo po i transferon nëpër koncesione, ose partneritete publik-privat siç ka dëshirë t’i quajë. “Koncesionet janë duke e gërryer buxhetin e shtetit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe koncesionet janë duke u bërë diskutimi primar parësor edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe këtu i referohem FMN-së”, apeloi ajo. Kurse ministri Ahmetaj është mbrojtur duke thënë se “Programi “1 miliard dollarë” i PPP-ve është një program i cili fokusohet tek investimet në infrastrukturë, kryesisht në segmentet kryesore të vendit”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: