“Peshku” i ambasadorëve përplas politikanët shqiptarë

“Peshku” i ambasadorëve përplas politikanët shqiptarë
Deklaratat e ambasadorëve të huaj për “peshqit e mëdhenj” që nuk duhet të shpëtojnë nga rrjeta e Drejtësisë, kanë shkaktuar reagime nga politika shqiptare. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka: Peshku i madh është Edi Rama. Deputeti socialist Ulsi Manja: Peshqit e mëdhenj ishin në dosjen e CEZ, prokuroria e groposi

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka njoftuar mbërritjen e një agjenti special të FBI-së, që do të ndihmojë strukturat e reja të ngritura në kuadër të reformës në Drejtësi, SPAK dhe BKH.

“Shqipëria ka një problem mes lidhjeve mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Arben Frrokut, Elvis Roshit dhe Gentian Mahmutajt”, tha Lu në një aktivitet të organizuar në Ministrinë e Brendshme.

Ambasadori amerikan tha qartazi se “deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale”. Ai shtoi se SHBA do angazhohen fuqimisht kundër krimit të organizuar pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me politikanë, biznesmenë, gjyqtarë e prokurorë.

“Ju thoni ‘peshku i madh e ha të voglin’. Për një herë të vetme në Shqipëri le të hamë peshkun e madh”, tha LU, duke qartësuar objektivat e goditjes së strukturave të reja antikrim.

Fjala e tij u përforcua nga ambasadorja e BE, Romana Vllahutin dhe ai i Britanisë së Madhe, Sir Alan Dunkan.

“Peshqit e mëdhenj duhet të kapen, nuk duhet të dalin nga rrjeta”, tha ambasadori britanik.

Por pikërisht simbolika e “peshkut të madh” ka shkaktuar replika mes mazhorancës dhe opozitës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se “peshku i madh” i krimit në Shqipëri është një dhe vetëm një, ai quhet Edi Rama.

“Unë nuk mund të ç’kodifikoj kodet e askujt, por unë dhe gjithë shqiptarët dimë shumë mirë se ‘peshku i madh’ i krimit në Shqipëri është një dhe vetëm një e quhet Edvin Kristaq Rama”, shkruan Paloka.

Deputeti i PS-së, Ulsi Manja deklaroi se prokuroria groposi dosjen e CEZ, e cila, sipas tij, kishte “peshq të mëdhenj”, ndërsa nuk është marrë në konsideratë asnjë e dhënë e komisionit hetimor të Kuvendit.

Manja i kërkoi prokurorëve të distancohen nga politika dhe të kryejnë detyrën e tyre konform ligjit. “Thirrje prokurorëve të ndershëm që të presin Vettingun me qetësi dhe të distancohen të mos vazhdojnë që të marrin më urdhra. Është ora që peshqit e mëdhenj të shkojnë para drejtësisë” deklaroi Manja.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: