“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Prefektët-ish ushtarakë i shkruajnë Komandant Edit: Dita e punës do nisë me gjimnastikën e mëngjesit!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Prefektët-ish ushtarakë i shkruajnë Komandant Edit: Dita e punës do nisë me gjimnastikën e mëngjesit!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes vjen sot me një buqetë lajmesh nga fusha e bukur e politikës, në minirubrikën "Përmbledhje Politike e Shartuar". E sjellim këtë buqetë, për nder të fillimit të muajit nëntor, muajit të “madhërueshëm” të krijimit të Partisë së Punës së Shqipërisë, pra PPSH-së. Spiunojmë përpara lexuesve se, kjo parti, nëna e të gjitha partive, neve na ka vjedhur emrin e minirubrikës, duke kryer kështu një vepër penale.

Me këtë problem ne, do merremi vitet në vijim, sa të nis e marrë udhë "Vlerësimi" i drejtësisë, apo siç i thonë në gazetari, sa të inicohet procesi determinant për vendin, i Vetingut.

Ne si redaksi, problemin e vjedhjes së emrit, nuk do e lëmë me kaq. Kjo parti dhe ata që e drejtuan atë, duhet të ndëshkohen me forcën e ligjit. Kuptohet, për vjedhje intelektuale, siç u ndëshkuan rreptësisht për kafe dhe sheqer.

I lëmë kafet e asaj partie dhe duke ju uruar ju lexuesve tanë që, t'ju bëjë mirë kafja që po pini tani, ju ftojmë të lexoni buqetën me lajme, që kanë të bëjnë me politikën që buçet në ç'do shtëpi, apo lokal, dite dhe madje edhe nate.

Si lajm të parë nga buqeta e lajmeve po sjellim atë që veç ne mundëm ta shtinim në dorë. Bëhet llaf për letrën e disa ish-ushtarakëve, që Kryeministri i vendosi prefektë.

Letra, sipas vëzhgimit tonë, është shkruar me stilograf. Letra është pa zarf. Në këtë letër të hapur, ushtarakët e liruar, apo e thënë ndryshe, në rezervë, kanë shkruar hapur dhe pa asnjë rezervë. Nga kjo letër kuptojmë kushtet e vështira që kanë pasur këta. Ja letra:

I nderuar Kryeministër, apo siç i thonë në gjuhën ushtarake, Komandant.

Jemi mbledhur bashkë në një bunker të sistemit monist dhe vendosëm t'ju shkruajmë, përpara se të fillojmë nga puna që na keni caktuar. Së pari po ju bëjmë me dije se:

Kushtet e shkrimit të kësaj letre janë tepër të vështira. Kemi veç një stilograf, prodhim kinez, të blerë 250 lekë, nga kushëriri i njërit prej nesh, në vizitën që ai kreu në Pekin së bashku me delegacionin që do na sillte katjushkat, në fundin e vitit 1978.

Ato katjusha vërtet nuk i solli, por shyqyr që solli kokën dhe, më e rëndësishmja për neve, edhe këtë stilograf që mbajmë në dorë, herë njeri dhe herë tjetri. Raportojmë se, në bunker kemi ndezur edhe një zjarr, kuptohet për t'u ngrohur. Zjarri nuk është i madh, se s'duam të biem në sy të armikut, për shkak të tymit që shkaktohet. Armiqtë tanë, për fat të keq, e dinë shprehjen tonë popullore "Ku ka tym, ka zjarr", e duke ndjekur fillesën e tymit, do na pikasnin. Ndaj më shumë se me zjarrin, po ngrohemi duke u afruar me shoshoqin.

Raportojmë se, njëri nga ne ka një kapotë ushtarake, që e marrim të gjithë me radhë, çdo pesë minuta. Kohën e matim me një orë Poljot, që njëri nga ne e ka marrë kur ishte kadet në Odesa në vitin 1960, pasi atëherë kishim marrëdhënie të mira me Bashkimin Sovjetik. Raportojmë se ora nuk fut ujë, pasi xhamin e ka të puthitur më së miri me trupin metalik. Meqë ra llafi te uji: Uji po na mbaron. E kemi llafin te uji që pimë, se sa për ujin e hollë, atë e kemi me shumicë, se shumë prej nesh vuajnë nga prostati. Kemi veç dy pagure uji të pijshëm, njërën plot, e tjetra përgjysmë. Po presim që të mbarojmë letrën dhe të dalim të mbushim te ndonjë përrua këtu afër. Po afron edhe nata dhe zona nuk ka ndriçim fare.

E meqë ra llafi te ndriçimi: Ndriçim, bunkeri nuk ka. Neve nuk kemi nëpër shtëpi, jo më të kemi në bunker. Kemi disa fishekë gjurmëlënës që ndriçojnë, por nuk duam t'i hedhim në qiell, pasi nuk duam të zbulohemi. Gjithçka duhet bërë në rrugë konspirative. Arti i luftimit këtë e ka parim, nga më të rëndësishmit, pas parimit “Njeriu, mbi teknologjinë”.

Së pari ju falenderojmë për besimin që keni te ne, duke na emëruar prefekt. Asnjë prej nesh që është këtu në këtë bunker, nuk do ju zhgënjejë. Betohemi për ideal të... Na falni, se ngatërruam betimin! Betohemi, për flamur! Punën do e bëjmë me devotshmëri, korrektesë, vullnet, ndjenjë, të lartë vetëmohimi dhe (pa)partishmëri.

Ne të gjorët s'kemi lënë kanal vaditës pa u shtrirë, e pa pastruar vetë me lopata xheniere, e jo më mos të pastrojmë ca kanale me ekskavatorë, tani që jemi prefektë.

Veç kërkojmë dhe duam që edhe ju Komandant Edi të na plotësoni disa kondita, që në gjuhën ushtarake quhen Kushte Logjistike. Që puna të na eci mirë, së pari duam:

Dita e punës të nisë me gjimnastikën e mëngjesit. Kjo gjë do kalitë punonjësit. Gjithashtu do t’ju kursejë atyre lekë, pasi nuk do ta kenë të nevojshme të shkojnë nëpër palestra.

Gjithkush që punon, apo futet në Prefekturë, duhet të përshëndesë. Nëse e kanë të vështirë që të përshëndesin me grusht, le të përshëndesin fundja me pëllëmbën e dorës së  djathtë. Kështu ka përshëndetur edhe shoku Enver kur hyri me Qeverinë e tij, në Tiranë.

Kjo lloj përshëndetje kërkon që, gishti i mesit të prekë lehtë tëmthin. Për këtë, jemi të gatshëm të stërvitim, apo siç i thuhet në gjuhën institucionale, të trajnojmë vetë ne, punonjësit tanë. Është një ushtrim i lehtë, por që vështirësinë e ka te puthitja e gishtit të mesit. Pikërisht këtu: Ka shumë vetë që e neglizhojnë këtë detaj dhe ju rri gishti i mesit, varur ndaj eprorit, apo kolegut. Ndaj stërvitja dhe kontrolli nga ana jonë, do ta shmangë këtë gjë.

Kërkojmë gjithashtu që në tavolinën e punës të kemi këto pajime, apo takëme:

Një pagure, një lopatë xheniere, një kundragaz, një thikë, mundësisht që ndonjëherë të presë. Nëse mundeni, edhe një palë kallçina, apo siç quhen kambale. Dy palë peceta këmbësh, një pirun, një lugë, jo garuzhdë.

Edhe diçka tepër të rëndësishme: Fakti që na vendosët prefektë, nuk do të thotë që ne si ish-ushtarakë do heqim dorë nga kërkesa jonë ligjore që kanë bërë gjithë ushtarakët për pension shtesë, pasi ai na takon. Ndryshe, të lëmë çelësat në dorë dhe largohemi! Nuk dalim nga bunkeri, pa na u plotësuar kushtet!

(Lajmet e tjera nga buqeta e lajmeve, për arsye se nuk na doli boja në shtypshkronjë, nuk po i botojmë.)

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: