Rama i përgjigjet Bashës: Është e drejta jote të ribëhesh qesharak

Rama i përgjigjet Bashës: Është e drejta jote të ribëhesh qesharak
Kryeministri Rama i është përgjigjur “flakë për flakë” rivalit të tij në opozitë, Lulzim Basha.

“LB ishe ti apo isha unë në Çadër, kur ulërije “të gjitha mediat janë të kapura nga droga përveç një kanali tv”, të cilin i’a rekomandoje publikut si burim të kulluar?! Unë kurrë s’e kam imagjinuar, jo më ta them një veshëgjatllëk të tillë. Eshtë thjesht shpifje!” shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ai i ka kërkuar kryetarit të Partisë Demokratike t’u kërkojë falje mediave që “i dekriminalizoi me baltën e Çadrës për muaj të tërë”.

Rama i ka kujtuar Bashës se është një njeri që vjen nga media.

“Mos e harro, unë kam jetuar me ta, kam punuar me ta, kam ngrënë kopaçe kokës e më ka dalë edhe gjak për lirinë e fjalës bashkë me ta. Apo s’e mban mend?! Kështu që nga unë e nga fjalët e mia dje, sot e mot, atyre mund t’u dalë më shumë vrer nga goja kundër meje e qeverisë sime, po kurrë nuk u ka hyrë, nuk u hyn e nuk t’u hyjë një gjemb në këmbë. Kurrë”, vijon Rama.

Rama ka bërë edhe një shpjegim të thelbit të fjalimit të tij.

“Gojë s’kanë vetëm ata dhe gojën time e kam pasur, e kam dhe do ta kem sa të kem frymë, për të vërtetat e mia që nuk i negocioj e as i kyç në heshtjen hipokrite të medemek respektit për median!... Të respektosh median, do të thotë të respektosh lirinë e tyre edhe kur gënjejnë e shpifin, po jo të heshtësh edhe kur gënjeshtrat e shpifjet e tyre bëhen mal para syve të tu”, shkruan Kryeministri.

Rama akuzoi Bashën se po shpif prej një muaji e ca dhe se po bëhet qesharak.

“Ashtu sikundër ja edhe tani, në këtë moment, ti je i lirë të gënjesh e të shpifësh ndaj meje, siç po bën prej një muaji e ca - më vjen vërtet gjynah për ty po është e drejta jote të ribëhesh qesharak”, vijoi Rama duke i kujtuar Bashës se “kush i merr shqiptarët për budallenj, e pëson dhe sa më shumë t’i bëjë për budallenj, aq më keq e pëson”. /a.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: