Rama në Burrel: Ka shumë parazitë e grabitqarë në administratë që i shohin qytetarët nga xhepi

Rama në Burrel: Ka shumë parazitë e grabitqarë në administratë që i shohin qytetarët nga xhepi
Gjatë mbledhjes së qeverisë nga kryeministri në Dibër, Rama është ndalur në qytetin e Burrelit ku ka zhvilluar një takim me qytetarët.

Kreu i qeverisë teksa prezantoi “platformën bashkëqeverisëse” foli lidhur me problematikat e administratës, teksa u shpreh se ka shumë parazitë, grabitqarë dhe njerëz që i shohin qytetarët nga xhepi.

“Do vazhdojmë të rrisim ndjeshmërinë e qytetarëve dhe do t’i nxisim të bëhen pjesë e koalicionit të madh qeverisës. Një nga hallet më të mëdha në këtë vend është se po qe se nuk ndesh në njeriun e duhur në zyrën ku troket je në det të hapur.  Ne po punojmë çdo ditë për ta luftuar dhe zmbrapsur, pasi kemi një fenomen të trashëguar të administratës, ku ka shumë parazitë, grabitqarë, njerëz që i shohin qytetarët nga xhepi dhe s’ua kërcet fare kush është përballë”, tha Rama.

Teksa fliste për platformën, kryeministri ftoi qytetarët për tu regjistruar, kështu kanë mundësi të bëjnë sugjerime, ankesa dhe të bëhen pjesë e bashkëqeverisjes.

“Në administratë ka shumë njerëz të mirë, por ka edhe parazitë dhe grabitqarë që i shikojnë njerëzit nga xhepi. I sorollasin njerëzit pafund. Ky është një aplikacion që duke e futur në xhep, fut në xhep qeverinë. Mjafton të hysh në platformë të regjistrohesh dhe menjëherë bëhesh pjesë e bashkëqeverisjes”, tha Rama.

Rama gjithashtu përmendi deputetin Nard Ndokën duke thënë se nuk ka asgjë më shumë se çdo fshatar i thjeshtë i Shqipërisë. Gjithashtu kryeministri sqaroi se mori rastin e deputetit në fjalë jo personalisht por si fenomen.

“Çfarë ka Nard Ndoka më shumë si deputet më shumë se çdo fshatar tjetër i Shqipërisë? Pse Nard Ndoka merr shërbim direkt për një çështje? Se ai është deputet. Pra çdo qytetar duhet të marrë pushtetin që ka për të influencuar qeverinë. Nuk e kisha me Nardin personalisht, por me fenomenin deputet, tha Rama.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: