Rama ofron “spektaklin” e radhës: Zëvendësohen 12 prefektë me ushtarakë

Rama ofron “spektaklin” e radhës: Zëvendësohen 12 prefektë me ushtarakë
Zëvendësimi i prefektëve vjen pas atyre të drejtorëve të spitaleve dhe hipotekave. Shtatë prej të zëvendësuarve kishin vetëm pak muaj në detyrë. Kryeministri Rama i motivon lëvizjet me fazën e re të qeverisjes dhe shtetbërjen. Reagon Lulzim Basha: 12 prefektët janë 12 anëtarët e rinj të bandës

Pas largimit “në bllok” të drejtorëve të hipotekave dhe spitaleve, radhën e kishin 12 prefektët e emëruar po nga Kryeministri Rama nëpër qarqe.

Shkarkimin e gjithë përfaqësuesve të Qeverisë në bazë, Rama e ka motivuar me “fazën e re të procesit të qeverisjes”, ndonëse shtatë prej të shkarkuarve ishin në detyrë vetëm prej pak muajsh

“Pas një sërë reformash, shënoi një kapitull të ri dhe shtetbërja. Jemi një çeljen e një faze të re, që lipset edhe një institucion i Prefektit i ridemensionuar tërësisht si përfaqësues i Kryeministrit dhe qeverisë në çdo qark”, tha Kryeministri.

Në ceremoninë e prezantimit, Kryeministri tha se ky institucion mbeti në hije, “ndërkohë dinamika e re si edhe pritshmërinë e larta që njerëzit kanë kërkojnë një qasje dhe profil të ri të figurës së Prefektit”.

Të gjithë prefektët e rinj të emëruar nga Kryeministri Rama janë ish-ushtarakë. Shumica e tyre, kolonelë dhe gjeneralë në rezervë.

Në Kukës është emëruar Zenel Kuçana, në Dibër, Nexhbedin Shehu, në Shkodër, Çesk Millja, në Lezhë, Gjergj Prendi, në Elbasan, Maksim Malaj, në Vlorë, Flamur Mamaj, në Durrës,  Roland Nasto, në Tiranë, Suzana Jahollari, në Fier, Baki Bala, në Berat, Arill Dafa, në Korçë, Dhori Spirollari, në Gjirokastër, Astrit Aliaj.

Pas këtyre emërimeve, ka reaguar kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili i cilësoi të sapoemëruarit “anëtarët e rinj të bandës”.

“12 prefektët janë 12 anëtarët e rinj të bandës. Ndoshta, ka prej tyre që nuk janë nisur me atë qëllim, por shpejt, do ta shohin veten si noterë e shërbëtorë të Habilajve e familjeve mafioze që janë realisht prefektët e Edi Ramës në 12 qarqet e vendit”, shkruan Lulzim Basha.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: