Rama pro nisjes së procedurave për shkarkimin e kreut të KQZ dhe kryebashkiakut të Mallakastrës

Rama pro nisjes së procedurave për shkarkimin e kreut të KQZ dhe kryebashkiakut të Mallakastrës
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar në mbledhjen e grupit parlamentar se është pro nisjes së procedurave për shkarkimin e kreut të KQZ-së dhe kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj.

Sipas Kryeministrit Rama,  kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, ka shkelur rëndë ligjin duke fshehur dosjen e dënimit të kreut të Bashkisë së Mallakastrës me pretendimin se është subjekt i ligjit për dekriminalizimin.

“Me ekspertët e Kryeministrisë po shikohet edhe mundësia e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës si i ndëshkuar nga gjykata italiane që përbën objekt dhe subjekt të ligjit të dekriminalizimit. Fakti që ka në xhep teserën e PD nuk e bën as me imunitet ndaj ligjit as virgjëreshë në raport me veprën që ka kryer”, tha Rama.

Sipas kryesocialistit, kryetari i KQZ me paramendim ose në ndikimin e PD vendosi që të fshehë vendimin e prokurorisë për Kapllanajn.

“Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit duke shtyrë jetën politike të të zgjedhurit të PD. Shembulli konkret është i patolerueshëm. Kapllanaj është i dënuar me dy vite burg për vjedhje në Itali. Është konfirmuar që ky dënim e bën të papajtueshëm dhe të pavlefshëm mandatin, ndërsa kryetari i KQZ nuk e shqyrtoi.

Kryetari është për shkak të besimit që kemi investuar te ky njeri, lidhur me marrëveshjen e 18 majit për zgjedhjet e 25 qershorit. Ne duhet të fillojmë procedurat për shkarkimin e Zgurit” , deklaroi kryetari i PS-së, Edi Rama./l.k./

(Foto: Google)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: