Rama quajti reportazhin italian si "kazan" dhe filmimet të vjetra, gazetarja konfirmon xhirimet

Rama quajti reportazhin italian si "kazan" dhe filmimet të vjetra, gazetarja konfirmon xhirimet
Gjatë vizitës së sotme në Bulqizë, kryeministri Rama nuk la pa “sulmuar” edhe mediat italiane duke i quajtur edhe ato si “kazan” pas një reportazhi të bërë në Bulqizë ku trajtohej problemi i fëmijëve që punon gjithë ditën në stoqet e mineralit të kromit për të fituar 100-200 lekë në ditë.

Emisioni investigativ italian “Le Iene” transmetoi një reportazh nga Bulqiza ku fëmijët dëshmonin me zë dhe figurë se kjo ishte një mënyrë për të ndihmuar familjet e tyre të varfra teksa gazetarja Alice Martineli i shoqëroi ata përgjatë një dite pune me mineralet.

“Më erdhi inat me ca italianë se dhe atje kazanë sa të duash ka. Kishin bërë një reportazh të ndyrë për Bulqizën më filmime të vjetra, me fëmijët që turreshin për të mbledhur krom. Faktikisht sot nuk është më si fenomen. Ka raste sporadike, por nuk është më. Po ishin filmime të vjetra mo… edhe e nxjerrin atje: “Ja Shqipëria, turren…tmerr. Tmerr. Çfarë të thuash!”- tha Rama në një familje në Bulqizë.

Ndërkohë “Nisma Thurje” kontaktoi gazetaren që bëri reportazhin  duke e pyetur se kur janë bërë xhirimet.

Gazetarja konfirmoi se xhirimiet janë bërë nga datat 14 në 16 tetor të këtij viti. Kur i sqaruan se përse po e pyesnin gazetarja tha se për këtë çështje do të ketë edhe një deklaratë zyrtare nga "Le Iene" dhe se ishte e shokuar. /f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: