Rama: Vjeshta histerike dhe kazani i politikës nuk na pengon për të bërë shtet

Rama: Vjeshta histerike dhe kazani i politikës nuk na pengon për të bërë shtet
Kryeministri Edi Rama si çdo të dielë, përmes Komunikimit Javor, edhe pse ndodhej në Dibër nuk e prishi traditën, për të folur me bashkëbiseduesit e tij në rrjetin social Facebook, duke i shtuar kazanit të medias edhe kazanin e politikës, të cilët, sipas tij, ziejnë me llafe dhe gënjeshtra e jo me vepra.

“Vetëm me reformat e vështirat dhe jo me gënjeshtra, me hap të vogël, jo me iluzione e pallavra mund ta bëjmë Shqipërinë. Kujt i duhet sherri e konflikti? Njerëzve të zakonshëm jo njëherë. Kujt i duhet pallavrat që shpik politika çdo ditë? Shqipërisë jo njëherë. Është për të ardhur keq, kur sheh kazanin e politikës të ziejë në vorbullën e pallavrave e shpikjeve,” – theksoi Edi Rama, i cili preku disa tema si Rruga e Kombit, investime të tjera në infrastrukturë, ndërtimin e një shteti sa më serioz, duke shtuar se këto janë si përgjegjësi e votës së qytetarëve më 25 qershor.

Vjeshta histerike e politikës

“Është për të ardhur keq kur sheh kazanin e politikës të ziejë në vorbullën e llafeve pa mbarim dhe gënjeshtrave pa asnjë kursim. Ndërkohë që shqiptarëve politika u duhet për të bërë shtetin, për të rritur punësimin dhe garantuar mirëqenien e familjeve të tyre. Kjo vjeshtë histerike e politikës dhe as politika histerike tradicionale e kacafytjes për karriget e humbura dhe jo për idetë e pasura nuk mund të na pengojë dhe nuk do të na pengojë të bëjmë detyrën tonë, të mbajmë të plotë përgjegjësinë.”

Premtimi për Rrugën e Arbrit

“U deshën shumë hapa të vegjël për të arritur një hap larg nga nisja e ndërtimit të Rrugës së Arbrit, plot katër vjet për të ardhur deri këtu, ama erdhëm jo si të tjerët që u nisën dhe u harruan gjithnjë rrugës duke e kthyer Rrugën e Arbrit në një nga premtimet më të përsëritura dhe më të pambajtura të historisë së politikës shqiptare. Ndryshimet e vërteta bëhen me punë, duan durim, kohë dhe kanë vështirësi të panumërta.”

Investime të tjera në infrastrukturë

Kemi një program masiv investimesh që do të fillojë me Rrugën e Arbrit dhe do të vazhdojë për ti kthyer rrugët kombëtare në rrugë europiane, siguri dhe lëvizshmëri të garantuar, me standarte të certifikuara dhe natyrisht me hijeshi ditën dhe ndriçim si duhet natën. Merreni me mend, 27 vjet në gjithë Shqipërinë ndriçohet vetëm aksi Rinas-Tiranë, sa shumë akoma kemi për të bërë.Do krijojmë shumë më tepër mundësi zhvillimi ekonomik, punësimi dhe integrimi social për gjithë shqiptarët nga veriu në jug.”

Rilindja rurale nga veriu në jug

Në buxhetin e ri do të financojmë edhe një program masiv ndërhyrjesh për ta çuar rilindjen urbane përtej qendrave të qyteteve që tanimë janë pothuajse të gjitha të rindërtuara, me përparësi zonat rurale ku ka nisur pak nga pak por mund të zhvillohet shumë më tepër turizmi. Duam të nxisim jo vetëm turizmin në bregdet por edhe atë malor prandaj duam të ndërhyjmë për të çuar rrugët e rilindjes urbane në Theth dhe Kurvelesh, në Lurë dhe Frashër e me radhë në çdo destinacion ku bukuritë e jashtëzakonshme të natyrës dhe talenti i sipërmarrjes së njerëzve të zakonshëm mund dhe do të bëjnë diferencën mes të shkuarës pa shtet dhe të nesërmes me shtetin në krah.”

Qëndrimi dy ditor i qeverisë në Dibër

Gjatë dy ditëve të punës në komunitetin në qarkun e Dibrës jemi ulur së bashku me kryebashkiakët e bashkive të qarkut pa dallime partiake dhe kemi folur për jetën reale, infrastrukturën e rrugëve dhe reformën jetike të ujit, për mbështetjen për bujqësinë dhe shërbimet shëndetësore, arsimore e sociale që duhen përmirësuar patjetër”.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: