Rikthehet “Shqipëria 1 Euro”, tre kontrata në një ditë

Rikthehet “Shqipëria 1 Euro”, tre kontrata në një ditë
Tre kontrata brenda një dite të vetme. Të gjitha nën tarifën “1 Euro”. Duke rikthyer kështu në skenën e ekonomisë shqiptare, nismën e njohur “Shqipëria 1 Euro”. Kjo është ajo që qeveria ka bërë në mbledhjen e saj të radhës, teksa ka firmosur tre vendime për dhënie të mjediseve publike me qira 1 euro/m2 ndaj disa subjekte private.

Konkretisht, vendimi i parë ka zyrtarizuar dhënien e plot 40 mijë metra/katorëve të ish-Ndërmarrjes së Rritjes dhe Zënies së Peshkut në Spitallë të Durrësit ndaj shoqërisë “Naim Tragaj Group”.

Një sipërfaqe publike kjo, e cila deri më tani ka qenë në varësi të ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, por që tani i është lënë në duar privatit për një periudhë 20-vjeçare. Ndërkaq, po me tarifën 1 euro/kontrata, është lidhur edhe ajo e dhënies me qira të 865 metra/katrorëve në “NPV”-në e Durrësit, ndaj kompanisë “Al Alto Gradimento”, për një periudhë 10-vjeçare.

Kurse me vendimin e tretë të ngjashëm, qeveria i ka dhënë në shfrytëzim qiraje me tarifën 1 euro, plot 1.650 metra/katrorë të ish-Ndërmarrjes Kimike, në Porto-Romano të Durrësit, kompanisë “Alba Cosmetic 2014”, për një periudhë 20-vjeçare.

Siç edhe mund të shihet nga këto vendime, qeveria përveçse një rikthimi tek nisma “Shqipëria 1 Euro”, ka ndërhyrë madje edhe tek zona e Spitallës, të cilën e shpalli si ofertë për zonë të lirë ekonomike para pak kohësh, gjë e cila nuk u realizua dot. Kujtojmë sakaq, se nisma në fjalë u lançua fillimisht nga ish-qeveria e së djathtës, së drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, si një nxitje më shumë për investimet e huaja dhe ato vendase në Shqipëri. Por që e kritikuar nga opozita e asaj kohe, ajo gjeti zbatim edhe kur kjo e fundit erdhi në pushtet.

Kështu, mjafton të kujtojmë se në mandatin e kaluar, qeveria “Rama” ka nënshkruar disa kontrata qiraje me tarifën “1 Euro”, të tilla si ato për Ish-Ndërmarrjen Gjeofizike në Patos”, 12.507 metra/katrorë; Agjencinë e Rezervave të Shtetit në Librazhd, 38.200 metra/katrorë; apo edhe 9.800 të tjera dhënë me qira pikërisht brenda mjediseve të kompanisë “Albpetrol” në Patos.

Risjellim sakaq ndërmend se vetëm një vit më parë, ish-ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi do të deklaronte se qeveria e së majtës “ka realizuar 21 kontrata, dhënie objektesh shtetërore me qiranë simbolike 1 Euro”. Të gjitha sipas saj, “në ndihmë të sipërmarrjes, të cilat kanë mundësuar investime me vlerë 25 milionë euro dhe kanë punësuar 3000 persona”.

Si mund të përfitosh nga qiradhënia 1 euro e objekteve shtetërore për të bërë biznes?

“Pasuritë shtetërore, me sipërfaqe mbi 500 m², u jepen të tretëve edhe me kontrata qiraje, me tarifë simbolike 1 euro/kontrata, kur një subjekt, propozon që aty ai të zhvillojë aktivitete prodhuese industriale në nivele investimi mbi 10 milionë euro, apo edhe veprimtari të regjimit “Fason”. Kështu citohet saktësisht në ligjin përkatës i cili zyrtarizoi nismën “Shqipëria 1 Euro” disa vite më parë, si e tillë. Duke shtuar sakaq se po me një tarifë të tillë jepen mjedise për kryerjen e investimeve në vlera mbi 2 milionë euro për veprimtari në fushën e sportit, kulturës, turizmit dhe trashëgimisë kulturore, por edhe të natyrës sociale. Sikundër, ligji parashikon që edhe të gjithë sipërmarrësve të HEC-ve, që marrin iniciativën për krijimin e burimeve të reja të energjisë së rinovueshme, shteti u ofron truallin vetëm për 1 euro deri në fund të periudhës së kontratës koncesionare prej 35 vjetësh.

PROMOVIMI

Në fillim të lançimit të saj, socialistët e kritikuan nismën “Shqipëria 1 Euro”, por vitet e fundit ata e kanë promovuar atë, madje edhe jashtë Shqipërisë. Kështu, ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili në një takim me investitorë italianë në Milano (viti 2014), i ka ftuar ata me pohimin se “u vë në dispozicion vende të ndryshme, objekte që kanë nevojë për ristrukturim, por që janë ekzistuese, depo të vjetra, baza ushtarake të vjetra”. Kështu që, ne do ta heqim barrën e qerasë dhe do të vendosim qiranë prej 1 euro, pavarësisht sipërfaqes në metër katrorë. Vetëm një euro dhe jo në një muaj”, deklaroi ai para tyre. Teksa në një takim tjetër, po me të njëjtën formulë, ai ka ftuar edhe biznesin kosovar që të bëhet pjesë e nismës “Shqipëria 1 Euro”.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: