Rreth 18 mijë tatimpagues 10 ditë afat për të shlyer detyrimet, ndryshe përdoret forca

Rreth 18 mijë tatimpagues 10 ditë afat për të shlyer detyrimet, ndryshe përdoret forca
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në fund të muajit tetor rreth 18 mijë tatimpagues rezultonin me detyrime të papaguara në afat.

Nëse brenda 10 ditësh nga data e marrjes së njoftimit për pagesë të detyrimeve tatimore, tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë borxhin tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në rubrikën “Tatimet Këshillojnë” jep të dhënat mbi borxhin tatimor, se çfarë përbën ai, çfarë ndodh në rastet kur nuk paguhet borxhi tatimor, si dhe masat që merren për mbledhjen e tij. Në këtë rubrikë janë publikuar edhe rastet kur mund të bëhet marrëveshja për pagesën me këste.

Administrata Tatimore publikoi në faqen zyrtare të saj listën e plotë të tatimpaguesve me masë sigurie dhe hipotekore si dhe listën e tatimpaguesve, shoqërive tregtare për të cilët Administrata Tatimore ka kërkuar fillimin e procedurave të falimentimit në përputhje me ligjin për falimentin.

Borxh tatimor konsiderohet detyrimi tatimor i vetdeklaruar nga tatimpaguesi dhe i papaguar brenda afatit ligjor si dhe detyrimi tatimor i vlerësuar nga administrata tatimore në përfundim të një kontrolli tatimor, verifikimi apo çdo procedure tjetër ligjore, i papaguar brenda afatit ligjor.

Nëse brenda 10 ditësh nga data e marrjes së njoftimit për pagesë të detyrimeve tatimore, tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë borxhin tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë deri në konfiskim të pasurisë nga administrata tatimore në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 15 ditëve nga sekuestrimi i pasurisë.

Tatimpaguesi, ndaj pasurisë së të cilit ka dalë një vendim për vendosjen e masave të sigurisë qoftë në formën e barrës së sigurisë apo barrës hipotekore, në rastet kur pretendohet se zbatimi i tyre nuk është ekzekutuar në mënyrë të rregullt, ka të drejtë ankese pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.

Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: