Rusi 2018, beteja e fundit për 4 biletat e mbetura (leksioni i Zvicrës me shqiptarët)

Rusi 2018, beteja e fundit për 4 biletat e mbetura (leksioni i Zvicrës me shqiptarët)
Analizë për secilin nga tetë ekipet. Zvicra me politikat e saj për emigrantët, po i jep leksion vendeve të tjera, por edhe vendit të origjinës së tyre, sesi duhet të trajtohet e zhvillohet talenti  

Aranit Muraçi

Katër biletat e fundit për në botërorin Rusi 2018 nga zona e Europës, do të përcaktohen brenda javës. Suedi-Itali nesër, sot luhen dy ndeshjet e para, ndërsa  eliminimi, dramë për secilën prej tyre

Suedia kundër Italisë

Mbisundon ideja se, Italia do të sillte më shumë një Kupë Bote, sesa Suedia. Por të mos harrojmë botërorin 1994, kur një ekip i pazbuluar si Suedia, ndezi turneun në Shtetet e Bashkuara, duke shkuar deri në gjysmëfinale. Suedezët nuk kualifikohen në Kupën e Botës që nga viti 2006, por mund të jenë të gatshëm të japin një tjetër surprizë verën e ardhshme. Zlatan Ibrahimoviç është tërhequr nga futbolli ndërkombëtar, por Suedia ka një ekip që bazohet te një kolektiv të talentuarish dhe ashtu si më 1994 - Emil Forsberg është gati për të marrë rolin e Tomas Brolin.

Katër herë fituesit e Kupës së Botës. Kush ka parë futboll dhe nuk kujton festimet e paharrueshme nga Marco Tardelli deri te Fabio Grosso. Kupa e Botës ka gjithnjë nevojë për Italinë. Për tifozët e futbollit duhet të ketë një turne të fundit për të përshëndetur legjenda si Gianluigi Buffon para se të tërhiqet, një shans të fundit për të parë Barzagli, Bonucci, Chiellini së bashku, si dhe një mundësi tjetër për të qeshur apo për të duartrokitur atë që do të shënojë golin e fitores për Italinë, pasi të jetë mbrojtur gjatë gjithë lojës dhe  të fitojë ndonjë penallti. Bota duhet të shohë Marco Verratti në aksion, apo edhe mrekullitë që mund të na japë Andrea Belotti.

Kroacia kundër Greqisë

Gjenerata aktuale e Kroacisë, mund të jetë më e mira që ka prodhuar kombi, që nga ditët e lavdishme të ekipit që doli i treti në Kupën e Botës 1998, kur luanin Davor Suker, Zvonimir Boban dhe Robert Prosinecki. Megjithatë, me mjeshtrin e tyre në mesfushë, Luka Modric tani 32-vjeç,  turneu në Rusi është ndoshta shansi i fundit për ta parë atë e shokët e tij së bashku në një skenë të madhe.

Gjithkush pëlqen ta urrejë Greqinë. Pranoje: Kupa e Botës do të ishte një turne shumë më interesant, në rast se helenët do të ishin të pranishëm. Një ekip me një përzierje interesante të talenteve brenda dhe jashtë vendit, me stilin e tyre, ata janë të paparashikueshëm. Pas eliminimit  në Euro 2016, Kostas Manolas dhe Sokratis Papastathopoulos, yje të mirëfilltë në klube të mëdha evropiane,  janë të uritur  për të kompensuar kohën e humbur. Nëse mund të arrijnë në Rusi, kush e di se çfarë mund të ndodhë.

Danimarka kundër Irlandës

Më 1986, lojtarë si Michael Laudrup, Preben Elkjaer dhe Morten Olsen mrekulluan botën e futbollit dhe bënë Danimarkën një kandidat për të fituar Kupën e Botës në Meksikë. Gjashtë vjet më vonë, Danimarka fitoi Kampionatin Europian. Pra, danezët e dinë: Çdo gjë është e mundur. Kristian Eriksen është mjeshtri pas ekipit, Simon Kjaer, kapiten dhe udhëheqës në mbrojtje.

Irlanda ka rikthyer në stereotip. Në thelb, mos prisni që të argëtoheni. Irlanda ka një brez të freskët dhe mbështetje të jashtëzakonshme të tifozëve që duan të mos mungojnë në Rusi.  Republika e Irlandës do të ketë vëmendjen e tërë kombit, nëse arrin Rusinë verën e ardhshme.

Irlanda e Veriut kundër Zvicrës

Mundësia për të arritur në Rusi vitin e ardhshëm është përsëri një dëshminë e lakmueshme të drejtimit të këtij ekipi nga trajneri Michael O'Neill. Ekipi konsiderohet edhe më i fortë se ai që u paraqit në finalet e Euro 2016. Kualifikimi është vendimtar për ta mbajtur O'Neillin, pasi disfata pritet ta largojë atë nga Irlanda Veriore.

Nuk ka pasur ndonjëherë ekip nga Europa që me 27 pikë të mos kualifikohej direkt në botëror. Zvicra humbi vetëm ndeshjen e fundit me Portugalinë dhe kaloi në “Play-off”. Skuadra e Vladimir  Petkoviç do të mbështetet në lojën e Xherdan Shaqirit, lojtar që mund të ndriçojë çdo turne, ashtu siç bëri me golin e tij kundër Polonisë në Euro 2016. Stabiliteti i tyre, investimi në zhvillimin e të rinjve dhe inkurajimi për lojtarët me prejardhje emigrantësh është një shembull për vendet e tjera të futbollit që meriton të shpërblehet. Dhe në fakt, Shqipëria mund të përfaqësohet në botëror vetëm me disa lojtarë me origjinë shqiptare që luajnë me Zvicrën, në radhët e të cilëve spikat edhe vëllai i Taulantit, Granit Xhaka.

 

Botërori Rusi 2018

Ndeshjet e para “Play-off”

Sot

20:45 Kroaci – Greqi

20:45 Irlanda V. -  Zvicër

Nesër

20:45 Suedi - Itali

11 nëntor

20:45 Danimarkë – Irlandë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: