"Ruthenium 106", lënda radioaktive që mbuloi Evropën në fund të shtatorit

"Ruthenium 106", lënda radioaktive që mbuloi Evropën në fund të shtatorit
Një re e madhe radioaktive ka mbuluar të gjithë kontinentin europian në fund të shtatorit, gjë që u kalua në heshtje.

Stacionet dhe institutet e specializuara në Gjermani, Francë, Itali e Zvicër, kanë detektuar sasi të një elementi radioaktiv të quajtur "ruthenium 106", i cili ka dalë, sipas intepretimit të lëvizjes së rrymave ajrore, diku mes Kazakistanit dhe Rusisë, nga një burim i panjohur.

“Zona më e mundshme e çlirimit të ruthenium 106 duhet të jetë midis Uraleve dhe lumit Vollga, mes Rusisë dhe Kazakistanit”, tha për Nju Jork Tajms Jean-Marc Peres, drejtori i institutit francez për mbrojtjen nga rrezatimi dhe sigurinë bërthamore.

Kjo gjë u konfirmua edhe nga institutet gjermane, ndërkohë që autoriteti rus i prodhimit të energjisë bërthamore Rusatom i hodhi poshtë këto supozime. Sipas këtij enti, asnjë nga ndërmarrjet ruse të energjisë bërthamore nuk ka regjistruar nivele të larta të rrezatimit në zonat në fjalë. Në të kundërt, rusët hodhën dyshime se shkaku mund të jenë incidente të mundshme në vendet lindore, sot anëtare të Bashkimit Europian.

Specialistët u shprehën se prania e ruthenium 106 është disi e çuditshme pasi kjo lëndë nuk përdoret në centralet bërthamore por në satelitë dhe anije hapësinore.

Nga ana tjetër, agjencitë gjermane dhe franceze sqaruan se niveli i lëndës mbi Evropë nuk kishte nivele shqetësuese që të cenohej shëndeti i banorëve në kontinent ndërkohë që datës 6 tetor nivelet e ruthenium 106 mbi Evropë u normalizuan sërish.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: