Sherefedin Shehu: Koncesionet? Logjike që do ta rrisin borxhin

Sherefedin Shehu: Koncesionet? Logjike që do ta rrisin borxhin
Flet për “Albanian Free Press”, ish-zv/ministri i Financave, eksperti i njohur i ekonomisë, Sherefedin Shehu

Intervistoi: Eglantina Nasi

Z.Shehu, si do ta komentonit ju deklaratën e bërë dje nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, se Partneriteti Publik-Privat nuk do të ndikojë në borxhin publik?

Që do ta rrisë, ajo është jo vetëm logjike, por siç ka thënë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duhet që të zbatohen standardet ndërkombëtare të pasqyrimit të borxhit të rritur për shkak të këtyre të ashtuquajturave ‘koncesione’. Sepse këto terma që përdor qeveria, ‘partneritete’, këto nuk janë të vërteta, sepse këtu kemi një kontraktim me pagesë të mëvonshme. Ose ndryshe, me një borxh, të cilin nuk ua merr bankave, por do t’ua marrë bizneseve. Ose shpenzimet e investimeve të cilat do të bëhen gjatë këtij viti buxhetor që do të fillojë, duhet të pasqyrohen në mos si borxh i parë, duhet të regjistrohen si detyrime që duhen paguar në vitet e ardhshme. Sepse natyrshëm, ato në një ose dy vitet e ardhshme do të fillojnë që të paguhen.

Në fakt, edhe FMN ka deklaruar se PPP-të do ta rrisin borxhin publik. 

Në fakt, ajo që kërkon FMN-ja është zbatimi i praktikave më të mira ndërkombëtare, që do të thotë se detyrimet të cilat kontraktohen, ose shpenzimet që bëhen në vitin e ardhshëm, minimalisht duhet të pasqyrohen si detyrime të njohura, qoftë edhe jashtë llogarive buxhetore. Por në raportin e buxhetit 2018 nuk ka asnjë parashikim, asnjë vlerësim dhe asnjë fjalë rreth këtyre detyrimeve. Pastaj nëse është apo jo borxh, ajo besoj se është një aritmetikë e thjeshtë, sepse vetë qeveria deklaron që pas vitit të dytë të fillimit të këtyre lloj investimesh, do të fillojë kryerja e pagesave. Që do të thotë se qeveria sot ka nënshkruar pagesa për 15 vitet e ardhshme. Nuk i ka formalizuar në një kredi standarde bankare, por i ka në formën e një kredie të pashkruar, apo të fshehur, që ajo i ka marrë biznesit.

A ka probleme të tjera që krijohen nga të ashtuquajturat Partneritete Publike-Private?

Po, ka çështje të tjera për të diskutuar. E para, që kredia që merr qeveria ndaj biznesit është shumë më e shtrenjtë nga kredia që do të kishte marrë ndaj sistemit bankar, sepse biznesi nuk mund të paguajë me paratë e veta shpenzime të cilat do t’i arkëtojë në 15 vitet e ardhshme. Do të shkojë në sistemin bankar dhe logjika është që qeveria i merr borxhet shumë më mirë sesa biznesi, për shumë arsye. E dyta, është që biznesi do të punojë me logjikën e vet, pra, do të llogarisë që lekun të cilin do ta investojë sot, do ta arkëtojë në 15 vite. Pra, është ajo që quhet “vlera e ardhshme e parasë”, që 1 lek sot, vlen të paktën 1.5 lekë po të llogarisim me normën minimale të kthimit të investimeve. Kështu që ky fitim i munguar i biznesit dhe kjo kosto më e madhe e kredisë që ai merr në raport me shtetin, do të jenë kosto e shtuar në projektet që do të realizohen me këtë mekanizëm.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: