“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Blendi Klosi tregon të vërtetën: Visho na e veshi, Edi e zhveshi

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Blendi Klosi tregon të vërtetën: Visho na e veshi, Edi e zhveshi
“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me bashkëllafosjen me shokun Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe i Mjedisit Joturistik). Bëjmë me dije se bashkëllafosja u bë në rrugë celularonike. Falenderojmë paraprakisht Ministrin që, megjithëse në kushte të vështira, apo siç i thonë në gazetari, të një "situate të agravuar", pranoi të bashkëllafosej me ne.

Intervista u bë pardje, pas inspektimit të bërë prej tij në grykën e derdhjes, së atij pak uji të mbetur nga (ish) lumi Erzen.

Antena: Përshëndetje shoku Klosi! “Antena Jashtë Familjes” jemi. Si jeni?

Blendi Klosi: Përshëndetje edhe juve! Jam rrugës për të ardhur në Tiranë. Nuk mund të flas dot gjatë, pasi pak më parë më ndaloi policia dhe...

Antena: Policia?! Përse? Kishit thyer ndonjë rregull të qarkullimit rrugor?

Blendi Klosi: Më ndaluan, pasi dyshuan te unë.

Antena: Dyshuan te ju? E çuditshme! Ju nuk jeni përfolur për ndonjë tender. Përse ju kishin ndaluar...?

Blendi Klosi: Më panë duart të gjakosura, ndaj.

Antena: Ju me duar të gjakosura?! Si është e mundur shoku Klosi?!

Blendi Klosi: I gjakosa duke mbledhur shkarpa...

Antena: Keni mbledhur shkarpa për ngrohje? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua...

Blendi Klosi: Jo, jo! Po mblidhja shkarpat në grykëderdhjen e lumit Erzen. Më çau një shkarpë dorën dhe më gjakosi. Ata policët menduan se mos kisha kryer ndonjë gjë të paligjshme, ndaj më ndaluan.

Antena: Nuk ju njohën ata që ishit ministër?

Blendi Klosi: Nga të më njihnin, si isha bërë unë. Unë as veten nuk e njoha te pasqyra e makinës. Më është mbushur fytyra me puçrra.

Antena: Si është e mundur, shoku Blendi?

Blendi Klosi: Nga ilaçet që hedhin firmat farmaceutike në lumë. Vetëm mos i kapsha, se do ta shikojnë. Mandatin e parë shpëtuan pa i kapur, se dihet që nuk e kishim ne "tepsinë" e pushtetit mjedisor. Ama këtë mandat s'na shpëtojnë...

Antena: Si do i kapni? Keni përpunuar ndonjë strategji kapjeje?

Blendi Klosi: Do t’ i detyrojmë t'i bëjnë ilaçet me çip elektronik. Kështu do ta kem të lehtë t'i mbërthej, kudo që ato do hidhen.

Antena: A është e mundur kjo, teknikisht?

Blendi Klosi: Plotësisht e mundur. Do merrem vetë personalisht me këtë proces.

Antena: Shumë mirë! Pra do i riktheheni zanatit tuaj, të elektronikës d.m.th.?

Blendi Klosi: S'kam ç'bëj tjetër! E di që do më duhet një punë e madhe studimore, pasi kam kohë që e kam lënë elektronikën, por do punoj edhe në fundjavë, që të kap kohën dhe dijet e humbura.

Antena: Fundjavën, mesa di unë, e keni të zënë, pasi jeni në stadium ku shkoni të shikoni  Partizanin. Si do mund ta...?

Blendi Klosi: Nuk do shkoj ta shikoj më, jo!

Antena: Do hiqni dorë nga Partizani? E çuditshme!

Blendi Klosi: Ka mbledhur ca lojtarë "plehra" Moxhi aty, që nuk shikohen dot kur luajnë. Leri mos m'i kujto "plehrat", se nga plehrat e Ervjenit vij.

Antena: Të Ervjenit? E keni llafin për emrin e lumit Erzen?

Blendi Klosi: Po, po për atë e kam llafin. Ama siç është katandisur Erzeni, do i propozoj Ramës që ta quajmë Ervjen.

Antena: Lere, lere, kështu janë bërë shumë lumenj. Punë të vështirë keni. Kushedi sa fonde duhen për t'i pastruar.

Blendi Klosi: Fonde s'ka. Kështu si ka ardhur puna, më duket se do kthehem te elektronika prapë unë. Do hap ndonjë dyqan, e të rregulloj televizorët.

Antena: Më thatë më parë që po vinit në Tiranë, me të shpejtë. Përse?

Blendi Klosi: Doja të shikoja në tv dorëheqjen e atij kryetarit të SHISH-it, ndaj.

Antena: Do iki shoku Visho, nga SHISH. Po përse? Dini gjë?

Blendi Klosi: Ai ja bëri vetes. Vishua, ç'do gjë të keqe që bëhej, ja vishte partisë sonë. E mori Edi para disa ditësh në zyrë dhe i tha: “O Visho, do të të zhvesh nga detyra që mban, nëse vazhdon t'ia veshësh Rilindjes, çdo të keqe!”

Antena: Po shoku Visho si ju përgjigj?

Blendi Klosi: Vishua e pa trimërisht në sy Edin dhe i tha “Nuk më zhvesh dot! Jam Visho unë, e s'mund të bëhem Zhvisho. Unë nesër të lë çelësat në dorë, e iki me punë jashtë vendit.” Dhe ja la mbi tavolinë një çelës. Atë të kasafortës ku mbante dosjet për Rilindjen. Çelësat e tjerë do t’i lerë më vonë, me inventar.

Antena: Pra kështu paska ndodhur, d.m.th. Shumë faleminderit që e ndatë këtë lajm me ne, shoku Blendi! Po ju përse ishit në takim? Ju, mesa si unë nuk jeni pjesë e grupit më të ngushtë të Kryeministrit...

Blendi Klosi: Më telefonoi Edi, ndaj shkova! -Eja, më tha, se ti Blendi mbete me dorashka në dorë dhe vetëm ti i kupton këto muhabetet e tipit "me dorashka" të këtyre spiunëve. Hajde më tha Edi, se ti i merr  vesh këto punët me shifra dhe tabela elektronike...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: