“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoqata e Libër Prodhuesve, letër Kryeministrit: Aman, t'u bëfshim kurban! Riboto librin "Kurbani"!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoqata e Libër Prodhuesve, letër Kryeministrit: Aman, t'u bëfshim kurban! Riboto librin "Kurbani"!
Satirë

Antena Jashtë Familjes" vjen sot me nënrubrikën e fundjavës, që e kemi titulluar PPSH; pra, me Përmbledhjen Politike të Shartuar. Në këtë PPSH, kemi mbledhur tri ngjarje me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. E para ka të bëjë me...

Më mirë, lexojini vetë me kafenë e sabahut, përpara se të shkoni të blini ndonjë libër te Panairi. Ja përmbledhja:

Lasgush Poradeci do të theshte; Të lumtë, shoku Edi Shalsi...!

Para disa ditësh, ministri i Kulturës, shoqja Mirela Kumbaro, vizitoi shtëpinë ku ka jetuar poeti i shquar Lasgush Poradeci. Shoqja Kumbaro shoqërohej në Poradec, midis të tjerash, edhe nga i famshmi, shoku Eduard Shalsi. Ky i fundit, për të mos "u njohur" nga Lasgushi që siç tha edhe shoqja Kumbaro, "jeton, pavarësisht se është ndarë fizikisht", kishte lënë mjekër.

Themi "për të mos u njohur", pasi siç e kujtoni, shoku Shalsi, përpara zgjedhjeve të vitit 2013, bëri një premtim të bujshëm, duke thënë "Ne (rilindasit), nuk do vjedhim si këta!"

Duke qenë se, deklarata e tij për vjedhje ndryshe, nuk doli e vërtetë, shoku Shalsi ka menduar që te shtëpia ku ka jetuar dhe "jeton" Lasgushi, të maskohej, apo siç i themi ne në gazetari, të kamuflohet nga turpi.

Përshëndesim, shokun Shalsi për këtë veprim, apo siç i thonë në gazetari, akt!

Të tillë njerëz i duhen politikës sonë, që të turpërohen për ato që kanë thënë.

Edhe Lasgushi besoj, kur të ka parë te shtëpi e tij bashkë me shoqen ministre, ka thënë:

Të lumtë, shoku Shalsi! Je një njeri që po ndjen turp për ç'ka po bëjnë shokët dhe shoqet e tu!

Ç'do bëhet me vallen greke, që kërceu ministri Bushati...

Shoku Ditmir Bushati, në cilësinë e ministrit të Jashtëm, vizitoi Greqinë, e konkretisht ishullin e famshëm të Kretës. Aty, ministri ynë, ia "hodhi vençe" edhe një valleje popullore. Ne, si rubrikë, kemi mësuar arsyen e kësaj vençeje greke. Ju kujtohet besoj, pritja që iu bë Taipit në Serbi, në cilësinë e Presidentit të Turqisë.

Aty, Daçiç, siç e pamë edhe te lajmet e Titogradit, pasi mbaroi kënga "Pozdravi Ja Pozdravi", në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Serbisë, këndoi një këngë turke, me motive të Shqipërisë së Mesme. Pala greke, duke u informuar rreth kësaj ngjarje, ka menduar që, shokun Bushati ta stërvitë, apo siç i thonë në gazetari, ta trajnojë që ta hedhë vallen, sipas dëshirës së Greqisë.

Mbetet për t'u parë se, a do ta kërcejë shoku Ditmir, vallen greke edhe tani që është në Shqipëri. Për t'u parë qëndron gjithashtu, çështja: A do e kërcejë shoku Ditmir, këtë valle edhe kur të takojë Taipin, apo deri atëherë do e ketë harruar? A do t’ia mësojë këtë valle, Kryeministrit? Le t'ia lëmë kohës dhe analistëve, përgjigjen e këtyre pyetjeve...

Shoqata e Libër Prodhuesve, letër Kryeministrit: Aman, t'u bëfshim kurban! Riboto librin "Kurbani"!

E meqë ra llafi te koha. Megjithëse koha ka qenë me vranësira e me reshje, kjo gjë nuk i ka penguar lexuesit që të shkojnë te Panairi i Librit, në Tiranë. Fluksi i njerëzve, me thënë të drejtën, nuk ka qenë si më parë, si p.sh., në vitin kur doli libri "Kurbani". Kjo gjë u vërejt, më së shumti, nga "Shoqata e Libër Prodhuesve", të cilët, nëpërmjet një kartoline të bukur, ku ishte një libër pa titull, e uronin Kryeministrin për rritjen më të madhe ekonomike në rajon, si edhe i luteshin që të ribotojë librin e tij, e ndër të tjera edhe...

Pa e zgjatur, lexojeni vetë letrën:

I nderuar, Kryeministër! Së pari, ju urojmë për rritjen ekonomike të vendit, sidomos në rritjen ekonomike të të pasurve, që janë bërë akoma më të pasur. Shpresojmë që, ata një ditë, të mësojnë të lexojnë, e më pas të blejnë ndonjë libër.

Gjithsesi, nuk është kjo arsyeja e letrës sonë, pasi kjo, që të realizohet ajo që shprehëm, do disa vite që të bëhet realitet.

Me anë të kësaj letre, kërkojmë prej jush, i nderuar që, aman t'u bëfshim kurban, të ribotoni librin "Kurbani"!

Jemi të bindur se, me ribotimin e këtij libri, vizitorët në panair, do të disafishohen, padyshim.

Janë të shumtë rilindësit që e kërkojnë me ngulm leximin e tij. Në drejtim të shoqatës tonë, gjatë gjithë vitit, midis panairit të kaluar dhe këtij tani, kanë ardhur me qindra, e qindra letra, ku kërkojnë prej nesh, të ribotojmë këtë libër. Ne si shoqatë, ju kërkojmë leje për të drejtën e autorit, që të paktën vitin tjetër, të nxjerrim mbi 100 mijë kopje. Jemi të bindur që do shitet i tëri. E kush socialist nuk do dëshironte në bibliotekën e tij, një libër të tillë, nga "i pari" i tij!

Ne si shoqatë, kemi menduar që ju të sillni për botim vizatimet tuaja. Ramë dakord që ato t'i nxjerrim për shitje, në mijëra kopje. Ju mund dhe duhet të na ndihmoni që, ta bëni të detyrueshëm që, ato të blihen nga administrata.

Vetëm kështu mund të mbijetojmë.

Edhe diçka tjetër, shoku Kryeministër; nëse mundeni, uleni pak TVSH-në për librin, që mos të vrasë xhepin e atyre që lexojnë, siç ulët të hoteleve me katër, apo pesë yje, ku shkojnë më së shumti ata që nuk lexojnë. Kështu edhe neve, do kemi mundësi të botojmë dhe shesim libra me cilësi "katër apo pesë yje", pasi atëherë nuk do të jemi të detyruar nga halli të marrim lekë për botim, nga kushdo që i teket që të botojë libër. Do përzgjedhim veç librat që ia vlejnë të botohen.

Na kuptoni, besoj! Derisa të na kuptoni, mirupafshim!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: