Shpresat e Shqipërisë, në varësi të “importit”

Shpresat e Shqipërisë, në varësi të “importit”
Emrat e të ardhmes së futbollit shqiptar, që figurojnë në listat e publikuara nga trajneri i përfaqësues U-21, vijnë nga përtej kufijve, në mungesë të akademive dhe strategjive afatgjata

 Aranit Muraçi

Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Flamurtari, Teuta dhe Vllaznia, klubet më të suksesshme të momentit dhe ato tradicionale të futbollit shqiptar, nuk e njohin talentin, ose nuk kanë lidhje me lojtarin e perspektivës. Këtë e dëshmojnë listat e ekipeve tona përfaqësuese, U-21 dhe U-20, të cilat dominohen nga lojtarë që janë rritur e luajnë jashtë vendit. Paradoksalisht ka mjaftueshëm lojtarë ekipi i Laçit, më shumë se ekipet e qarkut të Tiranës, Vlorës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit e Korçës, qytete që kanë furnizuar tradicionalisht kombëtaren tonë, çka do të thotë se në Shqipëri, nuk punohet e nuk kujdeset askush me të rinjtë dhe talentin.

Alban Bushi

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, zbardhi listën e të grumbulluarve për ndeshjen eliminatore “Euro 2019”, me Irlandën e Veriut, e cila do të luhet në “Selman Stërmasi”  më 10 nëntor, ora 18:00.  Ai përpiloi edhe një listë me lojtarë për ndeshjen miqësore U-20, kundër Gjeorgjisë në transfertë, më 14 nëntor. “Nuk meritonim të humbnim ndaj Irlandës së Veriut, pasi luajtëm një ndeshje të barabartë ndaj tyre dhe u ndëshkuam nga një penallti në minutën e 95-të. Irlanda e Veriut ka 9 pikë, por pati shumë fat”, – theksoi Alban Bushi. Listës së fundit të Alban Bushit, i janë pakësuar lojtarët vendas nga 10 që ishin, në 6 lojtarë. Bushi tha se Durmishaj është i dëmtuar, prandaj edhe nuk është grumbulluar.

Zbulimi i talentit

Zbulimi dhe zhvillimi i talentit nuk është çështje thjesht e trajnerit të kombëtares. Detyra e trajnerit është përzgjedhja e më të mirëve. Fakti që më të mirët gjenden jashtë kufijve të vendit, do të thotë se klubet shqiptare nuk kujdesen për lojtarët e së ardhmes. Skënderbeu dhe Kukësi, klubet që rivalizojnë për titullin kampion, në fakt, investojnë për të blerë lojtarët më të mirë, që të arrijnë objektivat. Strategjia  e tyre maksimalisht, zgjat dy vjet. Ashtu veprojnë edhe klubet e mëdha europiane, si Real Madrid, Barça, Bajern, Juve, Chelsea. Por në kombëtare, ndryshon gjithçka si te Spanja, Italia, Anglia, Gjermania, Holanda, ashtu edhe te vendet fqinje, si Greqia, Kroacia, Serbia nuk importojnë kaq shumë lojtarë nga jashtë, për të pasur një ekip kombëtar. Diçka nuk shkon me talentin në Shqipëri, ndoshta jo vetëm në fushën e futbollit. Dikur diçka shkonte më mirë. Alban Bushi, për shembull, si ish-futbollist i kombëtares, është zbuluar në Tiranë.

 Portierë: Erhan Kastrati (Teuta), Gentian Kastrati (Laçi)

Mbrojtës: Leonardo Maloku (Santacargiolese), Shaqir Tafo (Palermo), Irlian Ceka (Lazio Primavera), Ardit Toli (Kisamikos), Ardit Krymi (Vllaznia), Albi Doka (Tirana), Bardhec Bytyqi (Alborg), Arijan Qollaku (Grassopers), Marlon Marishta (Home Farm)

Mesfushorë: Sherif Kallaku (Laçi), Ylber Ramadani (Alborg), Emanuele Ndoj (Breshia), Qazim Laçi (Ajacio), Kristal Abazaj (Luftëtari), Kejdi Bare (Altetiko Madrid), Endri Çekiçi (Lokomotiva Zagreb)

Sulmues: Rubin Hebaj (Domzale), Agim Zeka (Lilë), Valdrin Mustafa (Kaiserslauten U-19)

 

Shembulli anglez

Po aq sa Ylber Ramadani... Derby blen 150 mijë euro, një 15-vjeçar

Pasi ekipi përfaqësues i Anglisë, U-17, fitoi Kupën e Botës, pak ditë më parë, është rritur interesi i këtij vendi për të zhvilluar futbollin e të rinjve, duke besuar se vetëm kështu “Tre Luanët” do të rikthehen te titulli kampion, që u mungon nga viti 1966. Vlerësohen 3 mijë fëmijë, nga 9 - 16 vjeç që luajnë me akademitë e klubeve të Premier League, e me mijëra lojtarë të tjerë në ligat e tjera. Investigimi i “BBC” zbuloi se sistemi i akademive në Angli, investon deri në 150 mijë euro për të gjetur Cristiano Ronaldon e ardhshëm. Një 15-vjeçar anglez është blerë për 150 mijë euro nga Atletico Madrid, shifër e përafërt me atë që Partizani përfitoi për shitjen e Ylber Ramadanit (200 mijë euro), në Danimarkë. Lojtari u grumbullua së fundi, nga Christian Panucci. Zac Brunt ka qenë pjesë e akademive të Aston Villa, Manchester City, Atletico Madrid, për t’u blerë së fundmi nga Derby, ekip që nuk i takon elitës së futbollit anglez, por që po investon më shumë për talente të së ardhmes, se sa për t‘u ngjitur sezonin tjetër në Premier League.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: