Shqipëria dhe Botërori, i njëjti rrugëtim pa takim!

Shqipëria dhe Botërori, i njëjti rrugëtim pa takim!
Nga Aranit Muraçi

Ishte viti 1930. Në Shqipëri nisi zyrtarisht sezoni i parë futbollistik dhe, në të njëjtën kohë, do të zhvillohej Botërori i parë në Uruguai. Një rastësi e bukur. Do të nisnin kështu rrugëtimin e tyre, në të njëjtin vit, kampionati i parë futbollistik në vendin tonë dhe do të mbaheshin në vendin amerikano-jugor finalet e para të Kampionatit Botëror. Pas plot 88 vitesh, Shqipëria dhe Botërori, sot e kësaj dite, nuk kanë pasur asnjë pikë takimi.

Për një shtetas tjetër ballkanas, duket sikur botërori dhe futbolli shqiptar kanë ecur historikisht në kahe të kundërta, për të mos u takuar asnjëherë. Sepse, në rajonin e Ballkanit ku bën pjesë vendi ynë, nuk është kualifikuar asnjëherë në botëror, pikërisht vetëm Shqipëria. Vende të tjera si Rumania, Bullgaria, Kroacia, Turqia kanë arritur të shkojnë deri në gjysmëfinale të finaleve, në botërorët e dy-tre dekadave të fundit. Vende si Greqia, Bosnja dhe Sllovenia kanë qenë gjithashtu pjesëmarrëse në finalet e botërorit, pas ’90. Serbia dhe Kroacia janë të kualifikuara gjithashtu në botërorin e radhës, “Rusi 2018”. Dy vendet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi, janë të vetmet që nuk janë kualifikuar në këto dy dekada, pas pavarësisë. Para viteve ’90, edhe këto dy vende janë përfshirë në emocionet e këtij aktiviteti si pjesë të ish-Jugosllavisë, ndërkohë popullsia e tyre siç dihet, nuk i kalon 2 milionë banorë, duke përfshirë edhe faktin se një pjesë e mirë e kësaj popullsie është shqiptare.

Kësisoj, motoja e njohur e tifozëve kuqezi: “O sa mirë me qenë shqiptar!” mjafton të “përkthehet” në terma sportivë: “a është mirë me u ndje krenar?” Rrugëtimi i Shqipërisë në finalet e Kupës së Botës mund të ndahet në tri periudha:

  1. Para Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur pjesëmarrja apo mungesa nuk mund të quhej as sukses dhe as dështim, (nuk kishim ende asnjë stadium).
  2. Gjatë periudhës komuniste, varfëria, izolimi dhe tradita ende e pa krijuar, patën ndikimin e tyre negativ. Në këtë periudhë, duhet vlerësuar puna kolosale dhe vizioni i duhur për të ndërtuar infrastrukturën e parë sportive, të cilën fatkeqësisht nuk e kemi sot (Tiranës i mungojnë sot thuajse të gjitha fushat dhe stadiumet përveç “Selman Stërmasit”). Futbolli u shndërrua shumë shpejt, në një sport masiv popullor dhe nisi të konkurrojë pas gati dy dekadash, denjësisht në arenën ndërkombëtare. Kujtojmë një ndeshje 22 vjet pas Çlirimit: Shqipëri-Gjermani ‘67, 0-0, rezultat që la gjermano-perëndimorët jashtë Europianit.
  3. E pajustifikueshme është rruga dhe dështimi i Shqipërisë për t’u kualifikuar në botëror, gjatë 27 viteve të fundit. Futbolli shqiptar përfaqëson sot thuajse të gjitha trojet shqipfolëse, përfshirë edhe diasporën. Është dyfishuar ose trefishuar në sasi. Ka pasur gati universitete e akademi ku mund të zhvillohej bashkë me to, apo edhe media për t’u zhvilluar e për ta përcjellë ndryshimin dhe emocionin më mirë te tifozët, ndryshe nga vitet pas ‘45 kur betejë kryesore ishte lufta kundër analfabetizmit. Ndryshe nga koha e Panos e Boriçit, sot është e pajustifikueshme mungesa. Atëherë, cila është rruga e botërorit, që vetëm ne shqiptarët nuk e kemi gjetur në Ballkan?!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: