Shqipëria e Panucci, pas "provimit" në Turqi

Shqipëria e Panucci, pas "provimit" në Turqi
Dopieta e Sadikut dhe goli i Grezdës, mjaftuan në fitoren 3-2 ndaj Turqisë. Me 10 lojtarë për 50 minuta, kuqezinjtë jo vetëm morën maksimumin në Antalia, por më e rëndësishmja, bindën në lojë duke i premtuar një të ardhme të sukseshme edhe Panucci-t 

Aranit Muraçi

Ishte miqësorja dhe testi i parë i Christian Panucci-t. Në “Antalya Stadyumu”, kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë të shkëlqyer, duke shënuar dy gola në dy-tre kundër zbritje të rrezikshme. E mbyllën me fitoren 3-0, miqësoren ndaj Turqisë, ku bindën edhe disa nga debutuesit.

Miqësorja

Turqia e nisi më kërkuese ndeshjen, por Shqipëria e gjeti golin në 24’, me anë të Sadikut, i cili pas një krosi të saktë të Roshit nga e djathta e sulmit,  godet saktë brenda zonës, duke tundur rrjetën. Në 39’ vjen goli i dytë me të njëjtin protagonist, elbasanlliun Sadiku, i cili merr sërish një kros në zonë nga i njëjti lojtar, Roshi, por në ndryshim realizon me kokë dhe dyfishon avantazhin për kuqezinjtë. Një minutë pas golit, gjyqtari nxjerr me karton të kuq Ledian Memushajn, duke e ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë. Mbyllet me epërsinë 2-0 pjesa e parë dhe me disa ndryshime për Turqinë, që në superioritet numerik, kërkoi përmbysjen e rezultatin në 45 minutat e dyta. Pas vetëm dy minutave lojë në pjesën e dytë, Turqia shkurton diferencën, 1-2. Under shumë pranë portës së Berishës realizon për vendasit pas një asisti të Tosun, nga krahu i majtë. Por në 55’, kur pritej reagimi dhe barazimi i Turqisë, Eros Grezda shënoi golin që befasoi turqit. Ishte Armando Sadiku i cili pretendoi një 11-metërsh në zonë, ndërsa Grezda vazhdoi aksionin dhe e dërgoi topin në rrjetë. Turqia rriti presionin dhe ia doli të rihapte ndeshjen. Në 60’, Emre Akbaba realizoi golin e dytë, i gjendur në qendër të zonës sonë, pas një kombinimi me  Cenk Tosun. Momenti për të bërë ndryshime në kampin kuqezi. Panucci guxon dhe aktivizon disa lojtarë që ishin grumbulluar për herë të parë prej tij si Qaka e Ajdareviç. Ia del që testi i parë i tij të mbyllet me fitore, por më kryesorja me një lojë bindëse. Sikurse bindën edhe të testuarit nga ana e trajnerit Panucci.

Panucci

Ishte një ndeshje e vërtetë. I lumtur me lojën dhe fitoren. Nuk mund të quhet miqësore, sepse për kombëtaren nuk ka miqësore,” – theksoi Panucci pas ndeshjes. “Natyrisht pësuam dy gola të evitueshëm, por edhe ata kishin lojtarë cilësorë.” Kartoni i kuq a e nervozoi Panucci-n? “Natyrisht sa i përket kartonit të kuq mund ta shmangnim,” theksoi ai. “Ishte një superndeshje në pjesën e parë, edhe pse vuajtëm në pjesën e dytë.”  Shqipëria e mbylli me fitore vitin, ndërsa për prurjet e reja,  Panucci tha “Jam i kënaqur” dhe se ato do të jenë pjesë e grupit në ecurinë e mëtejshme. Ai shprehu edhe një herë se i tërë grupi tregoi se është i denjë për të mbrojtur fanellën kuqezi, sipas filozofisë së tij në krijimin e një skuadre me mentalitet fituesit.

Dopieta e afron Sadikun me rekordin e Bogdanit

Armando Sadiku me dopietën në miqësoren e djeshme u ngjit në kuotën e 12 golave. Ai ndodhet vetëm 4 gola larg rekordit që mban Erjon Bogdani, por duke qenë se ka ende karrierë para, është shumë afër thyerjes së rekordit të ish-sulmuesit që drejton aktualisht U-19. “Ajo që më vjen mirë është se grupi funksionon. Ia dimë kualitetet njëri-tjetrit, si kombinimet me Roshin dhe kjo është më e rëndësishme,” – tha Armando Sadiku, autori i dy golave

Duka: Shkojmë në Euro 2020, Panucci zgjedhja e duhur

Presidenti i FSHF-së,  Armand Duka u shpreh i kënaqur me punën e deritanishme të trajnerit Panucci dhe i bindur tha se ka bërë zgjedhjen e duhur për stolin, ndërsa u shpreh se Shqipëria i ka mundësitë për të qenë pjesë e Euro 2020. “ Që nga momenti që menduam të kishim një staf të ri, donim që stafi të njihej mirë me ambientin dhe skuadrën për objektivin e madh që kemi: kualifikimi në Euro 2020. E kemi realizuar atë çfarë kishim qëllim,” - thekson Duka. - “Stafi është njohur me ekipin dhe ndeshjet miqësore do t’i shërbejnë akoma më shumë. Jam i bindur se kemi bërë zgjedhjen e duhur duke ulur në stolin e Shqipërisë një emër të madh të futbollit europian, i cili ka fituar pothuajse gjithçka dhe do të dijë ta transmetojë këtë te skuadra për të arritur objektivat. Ne i kemi të gjitha mundësitë për të qenë skuadër pjesëmarrëse në Euro 2020 dhe futbollistët e dinë shumë mirë këtë,” nënvizoi Armand Duka, ndërkohë që rezultoi pozitiv testi ndaj Turqisë. Lidhur me risitë e trajnerit Panucci, Duka tha se “nuk po ndërrohen breza në këtë skuadër, por janë afruar ata elementë që kanë qenë të nevojshëm.” Testi zyrtar i radhës do të jetë Liga e Kombeve. Për kreun e FSHF-së, ky është një kompeticion që do të testojë realisht kuqezinjtë për të prerë biletën, në Euro 2020.

 

Turqi-Shqipëri 2-3

Shënues: Under 47’, Emre Akbaba 60’/ Sadiku 24’ , 39’, Grezda

Turqia: Babaçan, Jardimçi Tufan 46’, Aziz (Demirok 46′), Sojunçu, Turan (Kojabashi 46′), Jukuslu, Ozjakup, Çalhanoglu (Jazici 75’), Under (Unal 71’), Karaman Emre Akbaba 60’, Tosun.  Trajner: M. Luçesku

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Mavraj, Veseli, Lenjani (Ajeti 66’), Lilaj (Lila 86’), Xhaka, Memushaj, Roshi (Qaka 66’), Grezda (Ajdareviç 82’), Sadiku (Aliji 61’). Trajner: Ch. Panucci

Gjyqtar: Georgi Nikolov Kabakov (Bullgari)

Karton i kuq: Memushaj 41’

 

Grezda, goli me dedikim

Të them të drejtën u gëzova shumë për golin e parë me fanellën e kombëtares, pavarësisht se ishte një ndeshje miqësore. Vrapova drejt pankinës nga entuziazmi dhe përpara më doli Panucci, që përqafova të parin dhe ndava gëzimin”, - tha Eros Grezda, një nga të besuarit e Panucc-it, pasi ka luajtur gjithmonë si titullar, ndërsa sulmuesi i Osijekut në Kroaci tregon se po përshtatet gjithmonë e më shumë me ekipin dhe po arrin të japë më të mirën në fushë.

“Është ndeshja ime e 5-të me përfaqësuesen dhe ende nuk i njohim mirë lëvizjet e njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës po harmonizohemi edhe më mirë dhe besoj se do të kem mundësi të jap më të mirën time”, - tha Grezda. Në fund, gjakovari ka edhe një dedikim për golin e parë me përfaqësuesen.

“Golin ia dedikoj babait tim, që më ka mbështetur dhe është gëzuar shumë që unë u bëra pjesë e përfaqësueses”, tha Grezda.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: