Shqipëria gati për Turqinë, Duka: I bindur se Panucci do të na çojë në Euro 2020

Shqipëria gati për Turqinë, Duka: I bindur se Panucci do të na çojë në Euro 2020
President i Federatës Shqiptare të Futbollit foli në prag të ndeshjes së sotme ndaj Turqisë, duke thënë se nga ky takim nis përgatitja e skuadrës që do tw prezantohet edicionin e ardhshwm.

Turqia është fillimi i përgatitjeve për edicionin e ardhshëm. Është ndeshja e parë miqësore, e cila do të shoqërohet edhe nga disa të tjera, të cilat do të shërbejnë për të kolauduar skuadrën dhe për të qenë të gatshëm për ndeshjen e parë të kompeticionit të ri në shtator”, shprehet Duka.

Kreu i FSHF-së vlerësoi trajnerin Panucci, si një zgjedhje të drejtë në krye të kombëtares kuqezi:

Skuadra ka elementë shumë të mirë në një kohë që do të vazhdojë të përforcohet. Mendoj që kemi bërë zgjedhjen e drejtë dhe të duhur duke afruar Panuccin në këtë ekip, një trajner përvoje pas një karriere si kampion në fushë. Mendoj dhe besoj se sot akoma më shumë stafi është njohur me ekipin. Në këto 4 ndeshjet e mbylljes së fazës eliminatore nën drejtimin e Panuccit skuadra ka luajtur mirë, ka prodhuar lojë, por ka patur edhe momente ku ka gabuar dhe që kërkojnë korrigjim. Mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur me një emër të madh të futbollit europian, në drejtim të kombëtares sic është mister Panucci. Këtë emër do të dijë ta transmetojë te skuadra drejt një objektivi madhor”, u shpreh Duka.

Për Dukën Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe cilësitë për t’u kualifikuar në Euro 2020. “Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe kualitetet që të jemi një skuadër kualifikuese në 2020. Kam bindjen që Panucci do ta çojë këtë skuadër në Europianin e vitit 2020”, theksoi kreu i FSHF.

Për emrat e rinj të përzgjedhur nga Panucci, Duka tha  se nuk po ndërrohen brezat por janë afruar elementë që kanë qenë të nevojshëm.

Çdo skuadër në çdo kohë ka nevojë për energji të reja dhe për elementë të rinj. Nuk po ndërrohen breza në këtë skuadër, por janë afruar ata elementë që kanë qenë të nevojshëm. Kam parimin se nuk ka moshë në një ekip kombëtar. Janë grumbulluar ata lojtarë që janë në formë, por me vizionin e startit të eliminatoreve të vitit të ardhshëm. Gjatë kësaj jave skuadra ka punuar shumë mirë dhe ka pas kohë që të forcojë frymën e grupit, ka patur kohën edhe për eksperimentet taktike në shërbim të trajnerit dhe stafit. Uroj që sot të kemi një rezultat pozitiv. Kam bindjen se kemi një rezultat të mirë, por as më të mirë dhe as më te keqe se sa Turqia. Shpresoj që ta fitojmë këtë ndeshje”,- theksoi presidenti i FSHF-së.

Sfida miqësore mes Turqisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet sot, ora 18:30, në stadiumin e qytetit të Antalias.

Formacioni zyrtar: Berisha, Veseli, Mavraj, Hysaj, Lenjani, S. Lilaj, Xhafaj, Memushaj, Roshi, Grezda, Sadiku. Trajner: Ch. Panucci

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: