Shqiptarët, më shumë karta dhe llogari bankare

Shqiptarët, më shumë karta dhe llogari bankare
Sot çdo qytetar shqiptar ka të paktën një llogari bankare, ndërsa njëri në 2-3 prej tyre disponon një kartë. Shifra këto që janë mjaft larg realitetit të vetëm pak viteve më parë

Më shumë karta dhe llogari bankare se më parë. Kjo është ajo që bie në sy tek qytetarët shqiptarë gjatë kohëve të fundit, teksa për të kryer një vepitm financiar, tani preferojnë që t’u drejtohen bankave. Këtë e faktojnë së pari, edhe shifrat gjithmonë e më të larta të disponimit prej tyre të llogarive bankare si të tilla. Nuk janë pak, por rreth 3.47 milionë të tilla në fundvitin e kaluar, 2016. E thënë ndryshe, një qytetar shqiptar, disponon më shumë se një të tillë, po ta krahasojmë me numrin total të tyre, prej 2.8 milionë, të paktën sipas regjistrimit zyrtar të popullatës, Censusit të vitit 2011. Kujtojmë se kanë qenë vitet 2012-2013, kur numri total i llogarive bankare vërtitej rreth kësaj shifre. Ishte pikërisht atëherë koha kur mund të thoshim se çdo shqiptar, kishte një llogari në bankë. Por vitet e fundit, kultura bankare, në të njëjtën kohë edhe nevoja për t’iu drejtuar bankave, pasi janë shtuar shërbimet që kërkojnë domosdoshmërinë kalimin përmes tyre, kanë bërë që kjo shifër të tejkalohet. Ndërkaq, nga totali prej 3.47 milionë llogarish, sot rezulton se pjesa më e madhe e tyre janë personale të individëve, saktësisht rreth 3.23 milionë të tilla. Ndërsa vetëm 210.8 mijë rezultojnë se janë llogari të kompanive të ndryshme private. Që do të thotë se qytetarët shqiptarë tashmë i zgjidhin punët që kanë për pagesa të ndryshme përmes llogarive të tyre personale dhe shumë pak prej tyre, përmes atyre të biznesit që mund të kenë apo edhe mund t’i shërbejnë si të punësuar. Por natyrshëm, që numri në rritje i llogarive bankare, është i shoqëruar edhe me një shtim të dukshëm të kartave që qytetarët disponojnë. Kështu, në fillim të këtij viti, ato arritën një total prej 1 milionë të tilla, ndërsa tre vjet më parë, kjo shifër ishte vetëm 800 mijë.

Të paguash nga interneti, një “hobi” që tani po aplikohet gjithmonë e më shumë

Dikur, për të kryer çfarëdolloj pagese, shqiptarëve iu duhej që të shkonin patjetër në sportelet e bankës, nëse dispononin një llogari brenda saj. Por tani kohët duket se janë ndryshuar edhe për këto të fundit. E thënë ndryshe, edhe vetë veprimet me llogaritë bankare si të tilla, janë “modernizuar”, duke bërë që qytetarët të përpiqen të gjejnë zgjidhje më të shpejta, përmes tyre, pa humbur kohë dhe duke i shfrytëzuar ato në të njëjtën kohë. Mjafton të përmendur këtu për shembull rastin e llogarive bankare, të cilat mund të jenë të aksesueshme edhe nga interneti. Kështu, numri i tyre rezulton se është mjaft i shtuar kohët e fundit, duke treguar kështu se qytetarët po i aplikojnë gjithmonë e më shumë veprimet financiare përmes tyre, pa iu dashur fare që të dalin nga shtëpia apo zyra. Mjafton vetëm një klik... Kështu, sipas të dhënave, rezulton se numri i të tilla llogarive ka qenë në një shifër prej 209 mijë të tillash në fund të vitit të kaluar. Një shifër kjo që është gati 20-fishuar, po ta krahasosh me realitetin e një dekade më parë, kur numëroheshin vetëm 11 mijë të tilla në total. Për të arritur tek viti 2013, kur mund të thuhet se ato patën një shtim të dukshëm në numër, për të arritur në rreth 100 mijë të tilla, ose gjysma e atyre që janë të disponueshme aktualisht dhe që thuhet se kanë njohur një shtim akoma edhe më të madh në të dhënat statistikore të këtij viti që po mbyllet.

Llojet e kartave, ato VISA dominojnë nëpër xhepat dhe portofolet tona

Sa i përket llojit të kartave që qytetarët shqiptarë preferojnë të përdorin për veprime të ndryshme financiare, ato VISA rezulton se janë të përhapura në masën më të madhe. Këtë e tregojnë dhe të dhënat statistikore të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave rezulton se nga totali prej 1 milionë kartash që shqiptarët mbajnë nëpër xhepat, apo edhe portofolet e tyre, rreth 744 mijë prej tyre janë pikërisht të këtij lloji. Për të vijuar më pas me kartat e llojit MasterCard, të cilat duket se janë ende më pak të përhapura mes tyre, përkatësisht me një shifër prej 241.8 mijë të tillash. Kartat lokale, ndërkaq, janë një lloj që ende mesa duket nuk po gjejnë përhapje tek popullata shqiptare, pasi ato ende kanë një shifër të ulët të tyre, në krahasim me totalin, vetëm 66 mijë. Për të përfunduar me kartat e llojit American Express, të cilat duhet thënë se janë më pak të shpërndara nga të gjitha tek shqiptarët, vetëm 22 mijë të tilla.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: