Shqiptarët më shumë valutë nëpër duar, i “strehojnë” pranë bankave

Shqiptarët më shumë valutë nëpër duar, i “strehojnë” pranë bankave
Kohët e fundit, shqiptarët kanë patur më shumë valutë të huaj, euro dhe dollarë, nëpër duart e tyre. Një dukuri të tillë e konfirmon vetë Banka e Shqipërisë, sipas të cilës, një pjesë e mirë e tyre është kanalizuar tashmë nëpër banka, në formë depozitash. “Depozitat në valutë kanë shënuar rritje mesatare vjetore me rreth 4.6%, ndërsa ato në lekë vetëm me rreth 2.4%”, citojnë saktësisht ekspertët bankarë rreth kësaj, në raportin e fundit tremujor. Duke shtuar nga ana tjetër se “rritja e depozitave në sistemin bankar ka marrë kryesisht formën e depozitave të individëve në valutë”. E thënë ndryshe, janë pikërisht qytetarët ata që kanë gjeneruar më shumë euro apo dollarë dhe aspak bizneset, të cilët kanë vazhduar të veprojnë me monedhën vendase, lekun. “Depozitat e bizneseve kanë rezultuar gjithashtu me rritje, thuajse e gjitha në monedhë vendase”, saktësojnë ekspertët bankarë. Si për të vërtetuar kështu se bizneset nuk kanë patur ndonjë tepricë të re valute të huaj që mund të jetë gjeneruar gjatë këtij viti nga aktiviteti i tyre privat. Nga ana tjetër, një dukuri e re që ata kanë vënë re ata është edhe ajo e depozitimit të eurove apo dollarëve nga ana e individëve për një kohë të gjatë pranë bankave. Gjë që fakton se tepriva e valutës që ata kanë krijuar së fundmi, nuk u është dashur as për konsum dhe as shpenzime të ndryshme, madje as edhe për të realizuar ndonjë investim. Por mesa duket, vetëm për ta patur të sigurt atë në sirtarët e bankave. “Struktura kohore e depozitave tregon zhvendosje drejt komponentit të saj likuid dhe drejt depozitave me afat maturimi mbi dy vjet. Zhvendosjet në këtë të fundit kanë rezultuar të larta, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre, ndryshe nga herët e tjera, ka qenë në monedhë të huaj”, theksojnë konkretisht ekspertët për këtë dukuri.

Eurostat: Viti 2016, shqiptarët nxorën jashtë 113 milionë euro

Që shqiptarët kanë patur vitet e fundit më shumë valutë të huaj nëpër duart e tyre, këtë e ka konfirmuar edhe raporti më i fundit i Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat). Konkretisht sipas tij, rezulton se vetëm gjatë vitit të kaluar, ata kanë transferuar jashtë shtetit një sasi prej 113 milionë eurosh. Shumë kjo, e cila ua ka kaluar të gjitha vendeve të rajonit, tonë, përjashtuar këtu vetëm Serbinë. Konkretisht, nga kjo e fundit, vitin e kaluar, qytetarët serbë, gjithmonë sipas Eurostat-it,  kanë transferuar jashtë shtetit të tyre plot 178 milionë euro. Ndërsa vendi që ka transferuar më pak euro jashtë shtetit në rajonin tonë, figuron se është pikërisht Maqedonia, me një total prej 16 milionë eurosh. Pasuar nga Mali i Zi, qytetarët e të cilit kanë transferuar 34 milionë euro jashtë vendit të tyre, apo edhe kosovarët me plot 40 milionë euro. Nga ana tjetër, Eurostat ka konfirmuar se Shqipëria ka mundur që vitin e kaluar të “thithë” 900 milionë euro si hyrje valutore në territorin e saj, pikërisht falë remitancave të emigrantëve, por në të njëjtën kohë edhe investimeve të huaja direkte.

Mbiçmimi i Lekut, ekspertët: Ofertë e lartë e euros në tregun e këmbimit

Më shumë euro se më parë nëpër duart e shqiptarëve, duket se ka shkaktuar edhe zhvlerësimin e kohëve të fundit të saj në tregun e këmbimit të brendshëm valutor. Një dukuri kjo e konfirmuar vazhdimisht nga ekspertët e ekonomisë, por edhe nga vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Sipas tyre, ka qenë pikërisht një ofertë e shtuar e euros, ajo që ka bërë që monedha e njohur evropiane të shënojë vlera mjaft të ulëta këmbimi të saj, krahasuar me monedhën vendase, lekun. Konkretisht, për të arritur në nivelin prej 133.3 lekësh që u shënua ditën e djeshme, apo deri në nivelin e 131 lekëve gjatë muajit gusht të këtij viti. Por ekspertët ende nuk dinë ta thonë se nga “buroi” papritur kjo sasi e tepërt eurosh në tregun vendas, teksa remitancat kanë qenë me ritme rritëse gati të njëjta si edhe në vitet e tjera.

Interesat mjaft të ulëta, qytetarët po preferojnë më mirë depozitat pa afat

Interesat mjaft të ulëta bankare të depozitave, po bëjnë që qytetarët të jenë mjaft të predispozuar ndaj atyre pa afat. E thënë më thjesht, sa t’i kenë të kushtëzuara paratë e tyre për të mos i nxjerrë dot nga sirtarët e bankave kundrejt një afati të caktuar kohor, qytetarët po preferojnë t’’ua besojnë ato bankave kundrejt asnjë afati. Kjo dukuri pohohet nga vetë banka qendrore, sipas të cilës, depozitat pa afat kanë shënuar rritje të dukshme. “Në fund të muajit shtator, depozitat rrjedhëse dhe pa afat përbëjnë rreth 40.8% të depozitave në total, ose rreth 0.5 pikë përqindje më lart se fundi i tremujorit të dytë të vitit”, saktëson Banka e Shqipërisë, lidhur me dukurinë në fjalë.

Vetëm 0.9%, norma mesatare që kanë aktualisht depozitat nëpër bankat tona

Interesat për depozitat e reja në tremujorin e tretë të vitit janë shfaqur të qëndrueshme, duke mbetur pranë niveleve minimale të tyre. Kështu pohojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë, duke saktësuar se norma mesatare e interesit rezultoi në nivelin prej 0.9%, sa edhe në dy tremujorët e parë të vitit. “Gjatë këtij tremujori, është vërejtur rritje e normave të interesit në segmentet me maturitet më të lartë, si dhe rritje e vendosjeve në këto maturitete”, saktësojnë gjithashtu ekspertët bankarë. Ndërsa lidhur me norma e interesit për depozitat e reja në euro, ata pohojnë se ajo në këtë tremujor rezultoi në nivelin prej 0.2%, duke regjistruar një rritje kundrejt dy tremujorëve të mëparshëm. Duke treguar kështu se normat e depozitave në euro janë gjithmonë më të ulëta se ato në monedhën vendase.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: