Shtrenjtë... shumë shtrenjtë jetesa në kryeqytet

Shtrenjtë... shumë shtrenjtë jetesa në kryeqytet
Në Tiranë, që një familje prej katër anëtarësh “t’ia dalë” deri në fund të muajit i duhen të paktën 85.344 lekë

 Shumë e shtrenjtë “tingëllon” jetesa në kryeqytetin shqiptar. Ku për të mbyllur muajin, një familjeje të saj prej katër anëtarësh i duhen të paktën 85.344 lekë. Ku vetëm njëri prej tyre duhet të ketë minimalisht 21 mijë lekë në muaj që “t’ia dalë”. Shifra këto që konfirmohen nga vetë Instituti i Statistikave në Anketën e Buxhetit të Familjes, sipas të cilës rezulton se është pikërisht qarku i Tiranës ai i cili paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum në rang vendi. Për të vërtetuar kështu në praktikë teorinë se urbanizimi si i tillë, por edhe të jetuarit në një metropol kushton më shumë. Kjo e faktuar edhe po të shkojmë më tej, me qytetet ku jetesa e shqiptarëve paraqitet më e shtrenjtë. Konkretisht, është Durrësi ai që e pason Tiranën, pikërisht nga kostoja e lartë e të jetuarit, duke e kaluar mesataren e vendit për nga shpenzimet normale të tij. Kështu, në këtë qark, një familjeje prej katër anëtarësh thuhet se i duhen të paktën 77.933 mijë lekë për të kryer shpenzimet mesatare për konsum. Pasuar, nga qendra e veriut, Shkodra, e cila gjithashtu shoqërohet me një kosto të lartë jetese të qytetarëve të saj, pikërisht sepse konsiderohet si e tillë. Që një familje t’ia dalë në Shkodër, për t’u ushqyer, për t’u veshur apo realizuar nevojat më minimale të të jetuarit i duhen të paktën 75.503 lekë në muaj. Ose e thënë ndryshe, një shkodran duhet të ketë rreth 18 mijë lekë që të kryejë shpenzimet normale të tij mujore. Ndërsa qarqet ku duhen më pak para’ për të shpenzuar në muaj paraqiten pikërisht ai i Gjirokastrës dhe i Elbasanit. Respektivisht, në secilin prej tyre, një familje mund ta mbyllë muajin me vetëm 57 mijë lekë. Duke treguar në këtë mënyrë një lidhje të qartë mes urbanizimit dhe distancave mes zonave të zhvilluara të një vendi, me koston e të jetuarit, si e tillë.

 Familja tradicionale? Ruhet ende në Kukës, mesatarisht me 5.2 anëtarë

Familja tradicionale si e tillë duket se po shkon drejt zbehjes së saj, të paktën referuar numrit të anëtarëve të saj, që po shkojnë gjithmonë e më shumë drejt pakësimit të tyre. Ndërsa ka disa qarqe të caktuara ende në rang vendi, të cilat ende po e ruajnë “formatin” e trashëguar nga e kaluara të familjeve me shumë anëtarë. Dukuri kjo e konfirmuar edhe në Anketën e Buxhetit të Familjes, sipas të cilës rezulton, se në tërësi familja shqiptare në vitin e kaluar 2016, ka patur një numër mesatar prej 3.7 anëtarësh, nga 3.8 të tillë që ka patur në vitin pararendës, 2015. “Qarku që ka numër më të madh të anëtarëve të familjeve është Kukësi, me 5.2 të tillë, ndërsa Vlora dhe Gjirokastra kanë numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e tyre, 3.4 të tillë”, citojnë ekspertët e INSTAT-it lidhur me një dukuri të tillë. Në këtë këndvështrim, ata bëjnë më pas edhe lidhjen që ekziston mes numrit të anëtarëve dhe shpenzimeve që i duhen një familjeje për të mbyllur muajin. Ndërkaq, ajo që bie në sy mes të tjerash, është edhe fakti që në zonat veriore të vendit, janë të përqendruara kryesisht familjet me më shumë anëtarë, krasuar me ato jugore. Kështu, pas Kukësit, vazhdon në listë Dibra, me familjen mesatare prej 4.9 anëtarësh, pasuar më tej nga Lezha, që e ka këtë tregues në kufijtë prej 4 anëtarësh, apo edhe Shkodra deri në 3.9 anëtarë. Që të gjitha këto shifra më të larta krahasuar me jugun e vendit, që familjen e ka më të “mpakët”. Respektivisht me shifrat, qarku Vlorë me 3.6 anëtarë, apo ai Fierit me 3.4 të tillë etj.

Jeton vetëm? Paguan më shumë për t’u ushqyer dhe për qira

Nëse jeton vetëm, duket se ke një kosto më të lartë të jetuari, sesa kur je “në gjirin e familjes”. Dhe kjo, pasi i bie që të kesh më shumë shpenzime për t’u ushqyer apo edhe banuar, sesa kur një pjesë e tyre të reduktohen kur jeton në familje. Këtë dukuri e konstaton së fundmi edhe Instituti i Statistikave, sipas të cilit, rezulton se nëse je person i vetëm, rreth 51.3% e shpenzimeve mujore të shkojnë për ushqim dhe deri 15% për qera. Kosto këto që janë më të ulëta për një familje për shembull me fëmijë, e cila shpenzimet për ushqim i ka deri në masën prej 45.3%, apo ato për banesën, përfshirë këtu edhe energjinë elektrike apo ujin, i ka deri në masën prej 9%. Por duket thënë ndërkaq, se një familje e tillë paraqet nga ana tjetër, kosto të shtuara për zëra të tjerë, që një person i vetëm i ka më të reduktuara. Mjafton të përmendim këtu vetëm zërin “arsim”, për të cilin familjet shpenzojnë deri në 5.5% të shpenzimeve mujore, kurse një person i vetëm nuk i ka fare në listë ato. Apo për shembull, faktin që një familje me fëmijë shpenzon deri në 7% të buxhetit për transport, ndërsa të vetmuarit e kanë shumë të ulët këtë zë në buxhetin e tyre mujor etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: