SPAK-u DHE IMUNITETI NDAJ ARRESTIT, JO BASHKË NË KUSHTETUTË – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

SPAK-u DHE IMUNITETI NDAJ ARRESTIT, JO BASHKË NË KUSHTETUTË – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Struktura e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, ende nuk është krijuar sipas përcaktimeve në Kushtetutë dhe ligjin mbi funksionimin e saj. Por kur të krijohet e të fillojë punë, minimumi 10 prokurorë specialë dhe 10 gjyqtarë të posaçëm, do të luftojnë korrupsionin e ministrave e ish-ministrave, kryeministrave e ish-kryeministrave, deputetëve e ish-deputetëve, si dhe të çdo funksionari të lartë. Ndërkohë, pjesë e SPAK-ut do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit, anëtarët e së cilës do të trajnohen për 6 muaj në Shtetet e Bashkuara, dhe në 2 vitet e para, një komisioni i përbërë nga ekspertë të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do ta mbikëqyrë punën e tyre.

SPAK-u po krijohet (me këmbënguljen e partnerëve tanë ndërkombëtarë), për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të korruptuar apo të lidhur me krimin, e cila është pengesë madhore për zhvillimin e demokracisë shqiptare në çerekshekullin e fundit.

Gjatë këtij çerekshekulli, prokuroria dhe gjykatat shqiptare, ose kanë mbyllur njërin sy e njërin vesh, kur ka plasur ndonjë skandal në rangjet e larta të politikës, ose janë përdorur politikisht për të goditur politikanë të caktuar. Pikërisht, për të shmangur këtë rrezikun e fundit, partnerët ndërkombëtarë këmbëngulën në fillim të viteve ’90, që deputetët dhe figura të tjera të larta shtetërore, të kishin imunitet ndaj procedimit penal – imunitet që mund të hiqej vetëm me vendim të Kuvendit.

Falë imunitetit, Genc Ruli dhe Rexhep Uka nuk shkuan në burg në vitin 1995, për akuzën e stisur nga prokurorët e Berishës, rreth disa drunjve të arrës.

Në vitin 2012, imuniteti ndaj procedimit penal u hoq nga Kushtetuta, por u ruajt imuniteti ndaj arrestit dhe kontrollit të banesës e të personit, për disa kategori të politikanëve të lartë (ku përfshihen edhe deputetët).

Falë këtij imuniteti të pjesshëm, Samir Tahiri nuk shkoi në burg këto ditë, për akuza që, sipas shumicës, mund të jenë stisur nga prokurorë të nxitur prej Berishës. Procedimi penal ndaj Tahirit vazhdon, por jo duke qenë në qelinë e burgut.

Por me krijimin e SPAK-ut dhe fillimin e punës së tij, a do të duhet të ekzistojë më imuniteti ndaj arrestit dhe kontrollit të banesës e të personit, për veprat penale që janë në juridiksionin e tij? (Për vepra të tjera penale, duhet patjetër të ekzistojë, sepse përndryshe, edhe një polic i thjeshtë mund t’i bëjë gjimnastikë me pranga, një deputeti të opozitës).

SPAK-u po krijohet pikërisht që t’i jepet fund ndikimit politik në hetime, procedime e gjykime të ministrave e ish-ministrave, kryeministrave e ish-kryeministrave, deputetëve e ish-deputetëve, si dhe të çdo funksionari të lartë. Dhe kur të fillojë funksionimi i SPAK-ut, s’do të ketë më kuptim të ekzistojë në Kushtetutë, imuniteti i pjesshëm aktual, për veprat penale në juridiksionin e tij. Përndryshe, ekzistenca e mëtejshme e SPAK-ut, do të hamendësonte se ai do të mbetet përsëri nën ndikimin e politikës.

Me pak fjalë, do të krijohej një situatë paradoksale, ku krijohet një strukturë speciale për të luftuar korrupsionin në politikë, ndërkohë që hamendësohet se, kjo strukturë do të jetë e ndikuar nga politika. Ose thënë më shqip, hamendësohet se SPAK-u do të jetë edhe mace, edhe mi...

Që SPAK-u të jetë efektiv në punën e vet, subjektet që pritet të goditen prej tij, duhet të zhvishen nga çdo lloj imuniteti. Sepse imuniteti ndaj arrestimit dhe kontrollit të banesës e personit (që gëzojnë aktualisht shumë politikanë), e dëmton ndjeshëm befasinë e procedimit penal, që është shpesh faktor kyç i suksesit të tij.

Shqyrtimi i kërkesës së prokurorëve në Këshillin e Mandateve dhe, më pas, votimi në Kuvend, mund t’u japin kohë politikanëve të akuzuar të largojnë provat nga banesat e tyre ose të kontaktojnë me dëshmitarë të mundshëm (për të koordinuar me ta ose për t’i kërcënuar).

Me pak fjalë, me fillimin e punës së SPAK-ut, nuk mund të qëndrojnë më bashkë në Kushtetutë, edhe SPAK-u edhe imuniteti ndaj arrestimit dhe kontrollit të banesës e personit, për veprat penale në juridiksionin e tij.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: