SPILLEJA DHE BABËZIA NË VJEDHJEN E BREGDETIT – OPINION NGA PLATOR NESTURI

SPILLEJA DHE BABËZIA NË VJEDHJEN E BREGDETIT – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Hetimi nga ana e prokurorisë së Kavajës për tjetërsimin e 36 ha tokë në zonën e Spillesë ka hapur një skandal të madh abuzivizmi se si mund të përvetësohet toka nga zyrtarët e investitorët të lidhur me pushtetin. Lëshimi I dokumenteve të pronësisë në zonën bregdetare për banorë vendas e që më pas këta e shesin për dy lekë tek të tretët hap kështu një kalvar të vjedhjes së rajoneve të shijshme për zhvillim turizmi në të gjithë vendin. Skema e përdorur, çka bëhet e ditur nga hetimet e prokurorisë është sa e thjeshtë edhe e pacipë. Banorë të ndryshëm lajmërohen se u kanë dhënë tokë nëpërmjet ligjit 7501 si mbështetje nga bashkia apo komuna meqë janë të vobektë. Dhe këto certifikata lëshohen në këto vite, kur vetë ligji 7501, pra shpërndarja e tokës bujqësore tek fshtarët, është kryer në fillimet e viteve 90.  Pa e ditur se ku e kanë pronën për të cilën u është dhënë pronësia, I marrin në rresht para noterit dhe bëhet shitja e terrenit për llogari të personave të tretë, që për ironi qëllojnë të rastisin ose pushtetarë lokalë ose investitorë ndërtimi. Veçse ndërsa u është thënë që në çertifikatën e pronësisë u janë dhënë 3000 metra katrorë, tashmë del se në emër të tyre janë tjetërsuar mbi 15 mijë metra katrorë. Dhe tokat për të cilat është kryer shitja, rastis që qenka në bregdet. Jo si tokë bujqësore, çka merr përsipër të shpërndajë ligji 7501, por si ranishte apo kullotë dhe që vlerën e saj nuk e ka për të mbjellë speca apo shalqij, por për të mbjellë hotele në breg të detit.

Nga të dhënat që dalin nga hetimet dhe investigimi I medias rezulton se një pjesë e atyre banorëve që paskan përfituar tokë bujqësore dhe që e paskan shitur këtë te të tjerët, as që kanë patur dijeni për një fakt të tillë. Ky është më skandal Akoma. Pasi nuk kemi thjesht rast mashtrimi si në rastin e parë kur pushtetarë "babaxhanë" u kanë thënë se po të japim 3000 metra si hallexhi dhe ndaj shite te noteri, megjithëse më vonë del se qenkan shitur 15 mijë metra katrorë. Kur banorët që dilkan si pronarë me letra nuk paskan asnjë dijeni se çfarë është bërë në emër të tyre, si janë tjetërsuar, shitur, e kanë përfituar në kurriz të tyre, e bën më të rëndë gjithshka. Pasi kështu del se pushtetarët, lokalë apo qëndrorë, mund të të bëjnë gjithshka me letrat pronësore. Mund të shpallin pronarë kë të duan, në vendin që duan, ta shesin te noteri që duan, tia rregullojnë dokumentacionin si të duan në hipotekë, që më pas ti japin leje ndërtimi në bregdet kujt të duan, madje dhe vetes. Po qe kështu, e gëzofshim vendin. Nuk paska pikë rëndësie toka dhe pronarët. Pasi kësaj i thonë shqyerje tokash për qëllim përfitimi e pasurimi duke shfrytëzuar pushtetin deri në babëzi.

Gjithësesi, vështirë të mendohet se rasti i Spillesë dhe abuzimi i zyrtarëve të Kavajës është një rast i veçantë dhe sporadik. Gjithë zona bregdetare ka referenca se ka qenë objekt i abuzimit me tokat dhe i përvetësimit nga të pushtetshëm apo ndërtues. Nuk kanë qenë ta paktat rastet e kapjeve në flagrancë të dokumenteve hipotekorë dhe shumë prej drejtuesve të Hipotekave në qytetet bregdetare ose janë shkarkuar ose u është hapur process penal për abuzim apo paaftësi. Aq flagrant është bërë ky fenomen sa në qytetin e Vlores psh marrja e postit të kreut të hipotekes është parë si mallkim, pasi jetëgjatësia në detyrë nuk ka zgjatur më shumë se disa muaj. Të detyruar për të firmosur dokumente pronësie me urdhër nga lart apo të joshur nga rushfete të majme, ka bërë që askush të mos i rezistojë tundimit dhe të zbatojë ligjin. Por të dënuar nga gjykata e të bërë shembull nuk rezulton të ketë patur.

A është përdorur skema e vjedhjes së Spillesë dhe në vende të tjera përgjatë zonave bregdetare? Nëse hetohet seriozisht do dalin shumë llumra në sipërfaqe. Për këtë mjafton të shihet me vëmendje se sa certifikata pronësie të reja janë dhënë në bazë të ligjit 7501 në zonat bregdetare. Po flasim veç për një dhjetëvjeçar, pa kaluar më parë. Pra, sa janë dhënë si toka bujqësore në bregdet, tek subjektet e rinj, aty ku nuk ka patur kurrë më parë toka bujqësore, por veç ranishte, kullota apo zona shkëmbore.

Prej kohësh në media ka zënë vend termi Mafia e Tokave. Këta mbase me hashah nuk merren, por dëmin e kanë shumë të madh si për ekonomine ashtu dhe në dëm të pronarëve të tokave. A nuk duhet të hetojë një shtet ligjor mbi këtë veprimtari kriminale? Që jo thjesht tjtërson e pasurohet në dëm të vendit dhe banorëve lokalë, por dhe moleps shtetin e korrupton zyrtarët?  Se çfarë dëmi po bëhet, mjafton të shihet se si është operaur për shumë terrene në bregdet, që nga Velipoja, Shëngjini, Durrësi, bregdeti i Lushnjës e Fierit, Vlora, Himara dhe Saranda. Mund të shihen se janë dhënënë këto vitet e fundit qindra certifikata pronësie si tokë bujqësore në bregdet për njerëz që nuk ka pasë as lidhje pronësore të trashëgueshme mbi këto troje, dhe as se po e nxjerrin bukën e gojës me bujqësi atje ku banojnë. Dhe jo rastësisht mbi këto terrene tashmë të tjetërsuara si sheshe ndërtimi po ngrihen tashmë hotele apo resorte turistike. Një babëzi e vërtetë dhe që duhet ndalur sa jemi në kohë. Pasi kështu jo vetëm nuk bie era shtet por do të thellojmë dhe pakënaqësitë sociale.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: