Takimi Kotzias-Bushati, së shpejti një marrëveshje për Ligjin e Luftës, detin dhe vulave Apostille

Takimi Kotzias-Bushati, së shpejti një marrëveshje për Ligjin e Luftës, detin dhe vulave Apostille
Bisedimet mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushatit dhe homologut të tij grek, Nikos Kotzias janë në zhvillim e sipër prej më shumë se 24 orëve tashmë.

Duket se ishulli i Kretës ka sjellë një klimë "paqe" mes dy vendeve fqinje teksa dy ministrat. së bashku me stafet e tyre. kanë diskutuar dhe vijojnë bisedimet për çështjet e pa zgjidhura mes dy vendeve.

Nëse një ditë më parë bisedimet ishin të fokusuara më së shumti tek Marrëveshja e Detit, dita e dytë ka nisur me Ligjin e Luftës, i cili mban pezull pronat e shqiptarëve në Greqi.

Por bashkëlidhur me këtë temë është dhe ajo e varrezave të ushtarëve grekë, si dhe tema të çështjeve historike.

Tashmë raportohet se ministrat kanë gjetur një rrugëzgjidhje për heqjen e ligjit të luftës teksa po shqyrtohet mundësia juridike dhe praktike për heqjen e ligjit që ka mbetur në fuqi që pas Luftës së Dytë Botërore.

Një tjetër temë e cila mësohet se ka pasur avancime dhe për të cilën është gjetur një zgjidhje është ajo e vulave apostille. Greqia ka pranuar heqjen e kësaj burokracie, sipas të cilës, çdo qytetar shqiptar që jeton në Greqi duhet të legalizonte çdo dokument të lëshuar nga institucionet shqiptare në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Kjo njohje nënkupton heqjen e kostove 27-vjeçare me të cilat u është dashur të përballen mbi gjysmë milion emigrantë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj.

Gjithashtu edhe shumë lehtësira të tjera për emigratët shqiptarë janë pranë gjetjes së një zgjidhje të pëlqyer nga të dyja palët.

Mësohet ndërkohë se bisedimet do të vijojnë edhe nesër, pasi fillimisht u programua se do të mbylleshin pasditen e sotme.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: