Takimi Kotzias-Bushati/ Zgjidhet Marrëveshja e Detit, në rrugë të mbarë edhe Ligji i Luftës e varrezat

Takimi Kotzias-Bushati/ Zgjidhet Marrëveshja e Detit, në rrugë të mbarë edhe Ligji i Luftës e varrezat
Duket se Marrëveshja e Detit është zgjidhur, mes dy ministrave të Jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias dhe Shqipërisë Ditmir Bushati.

Prej dy ditësh, kryediplomatët e vendeve fqinje janë mbledhur në ishullin e Kretës për të diskutuar mbi marrëveshjet e pazgjidhura mes dy vendeve.

Ministri i Jashtëm grek, Kotzias gjatë një dalie për mediat u shpreh se diskutimet po vijojnë për t’i hapur rrugë integrimin europian të Shqipërisë.

Bisedimet e mbasdites së të shtunës janë fokusuar në problemet e minoritetit grek që jeton në Shqipëri, si dhe do të diskutohet për pikat e mbetura pezull në marrëveshjet për të cilat palët kanë dakortësi sipas burimeve nga Top-Channel.

Lidhur me Marrëveshjen e Detit, pala greke ka pranuar se me marrëveshjen e viti 2009 Shqipëria humb sovranitet në territor ndaj dhe është rënë dakord që të ketë një ndarje të re.

Pikërisht për këtë do të ketë referime të reja në terren, nga të cilat Shqipëria nuk do të humbë asnjë metër katror sipërfaqe.

Ndërkohë edhe çështja e varrezave të ushtarëve grek gjatë Luftës së Dytë Botërorë është zgjidhur, teksa Greqia kërkoi që problemi të trajtohej si një çështje humane.

Diskutimet lidhur me problemet konsullore kanë dalë me sukses, teksa ngelet përfundimi në praktikë.

Për ligjin e luftës, palët kanë sjellë me vete edhe ekspertizën ndërkombëtare, ndërsa pala greke ka hulumtuar me presidencën për mënyrën ligjore të heqjes së ligjit në fjalë.

Për këtë temë ka një shqyrtim të presidencës greke, e cila ka vlerësuar se heqja e ligjit mund t’i bashkangjitet traktatit të ri të miqësisë, i cili do të formulohet në muajt në vazhdim.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: