Taksat dhe koncesionet, drejt Kushtetueses

Taksat dhe koncesionet, drejt Kushtetueses
Ta çojmë në Kushtetuese ... Kjo është zgjidhja e fundit që duket se mbetet për shumë ligje apo masa të qeverisë, të cilat pas debateve të shumta mes palëve, nuk arrijnë dot të gjejnë dakordësimin e tyre. Kësisoj, organi i lartë gjyqësor mbetet i fundmi që i merr në dorë ato dhe vendos nëse do të aplikohen apo jo. Kështu pritet të ndodhë në fakt, edhe taksën më të re të qeverisë, parashikuar në Paketën Fiskale 2018, pikërisht ajo për futjen e biznesit të vogël nën regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). E paralajmëruar kjo së fundmi nga vetë deputetët e Partisë Demokratike, gjatë diskutimeve të taksave të reja që do të aplikohen vitin e ardhshëm, në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Mesa duket, demokratët nuk kanë qenë të kënaqur as me tërheqjen e qeverisë për mosngarkimin me TVSH për të gjithë kategorinë e biznesit të vogël, por vetëm atë që figuron me një xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë. Konkretisht, bëhet fjalë për vetëm 9 mijë biznese të vegjël që do të futen në skemën e TVSH-së, ndërsa 70 mijë të tjerë do të mbeten jashtë skemës së deklarimit të saj. Dhe nëse do të ndodhë kështu, atëherë i bie që paketa fiskale për vitin e ardhshëm, të paktën për këtë pjesë të saj që ngarkon me barrën e TVSH-së biznesin e vogël, të mos vihet dot në zbatim, deri në daljen me një përfundim rreth kushtetueshmërisë, prej Gjykatës Kushtetuese. Njësoj në fakt siç ndodh ende me mosshpalljen dot prej ministrisë së Financave të kompanisë fituese që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit Online të Lojërave të Fatit. Dhe kjo, vetëm sepse vetëm para pak muajsh, në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar një kërkesë nga Shoqata e shoqërive që operojnë në fushën e lotove dhe basteve sportive, e cila kundërshton pikërisht koncesionimin e monitorimit të tyre. E thënë në thjesht, ato kanë qenë kundër vendimit të qeverisë, që industria e lojërave të fatit të paguajë tarifë shtesë, e cila për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit. Por të mos harrojmë, se ka qenë pikërisht Kushtetuesja, e cila pengoi edhe zbatimin në terren të të ashtuquajturave “supergjoba”, parashikuar dy vjet më parë në ndryshimet e ligjit “Për procedurat tatimore”. Konkretisht, ka qenë Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut, ajo që i çoi ato në Kushtetuese dhe kjo e fundit i rrëzoi ato, duke i dhënë të drejtë këtij organizmi.

Markimi i karburanteve, një tjetër koncesion i cili u dërgua drejt organit të lartë kushtetues

I njohur si “markimi i karburanteve”, ai ka qenë një tjetër koncesion i cili iu dërgua organit të lartë kushtetues për interpretim të tij. Konkretisht, 4 vjet më parë, ka qenë Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, e cila i kërkoi atëherë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin, sipas saj, si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të qeverisë për kontratën e koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve. Një kërkesë kjo e cila në fakt nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese, sipas së cilës, në këtë vendim qeverie, nuk kishte as cenim të Kushtetutës dhe as cënim të lirisë ekonomike si e tillë, siç edhe pretendonte në fakt Shoqata e Hidrokarbureve.

Ankimime dhe për taksat Vendore apo Kodin Penal

Të shumta janë taksat që gjatë viteve të fundit kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim të tyre. Mjafton të kujtojmë këtu edhe atë për taksat vendore, ankimimi rreth të cilave u paraqit pranë saj prej Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve. Konkretisht, kjo e fundit doli kundër Bashkisë së Tiranës, e cila nisi aplikimin e taksës së përkohshme për arsimin dhe që faturohet 1800 lekë në vit për familjet, 4000 lekë bizneset e vogla, 270 mijë për bizneset e mesme dhe 370 mijë lekë për bizneset VIP. Një taksë kjo që është në kundërshtim me parimin kushtetues, i cili garanton arsim falas në Shqipëri, sipas Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve. Por që si pretendim u hodh poshtë nga Kushtetuesja. Ndërkaq, biznesi i është drejtuar Kushtetueses edhe për ndryshimet e realizuara në Kodin Penal. Konkretisht, fjala ishte për të argumentuar si antikushtetuese të 14 neneve të reja që përcaktojnë dënime deri në 10 burg për shkelje të legjislacionit tatimor. Çështje kjo e cila nuk ka qenë e vetmja e paraqitur nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë pranë organit të lartë gjyqësor të Kushtetueses, por ka patur edhe disa të tjera.

REFORMAT

Por nuk kanë qenë vetëm koncesionet apo taksat ato që kanë shkuar në dyert e Kushtetueses, por edhe vetë reforma madhore të këtij vendi. Kështu, njëra prej tyre është ajo e sektorit të drejtësisë, disa ligje rreth së cilës u ankimuan pranë saj pikërisht prej Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Konkretisht, ato  depozituan një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe ndaj ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur gjithashtu si ligji i vettingut. Ku ky i fundit tashmë ka nisur rrugëtimin e tij praktik për t’u vënë në zbatim.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: