Të shpëtoftë poezia!

Të shpëtoftë poezia!
Nga Juela Meçani

Pas një jave të “fortë” me stres, të papritura, pasiguri, pak diell, pak ftohtë, ca rritje çmimesh e ca fjalë politike të babëzitura, mbërrita në shtëpi. Ime më, një grua e fortë Përmeti, por me disa dhimbje rresht, mjaftueshëm për këtë vit, ishte strukur e po më priste. Nuk ma kishte thënë në telefon, por ishte tronditur, sepse një tjetër njeri i dashur i familjes, ishte ndarë nga jeta, ashtu papritur. Një nga miqtë më të afërt të tim eti, ishte “tradhtuar” nga zemra e tij, përpara kohe. Nuk munda të nxjerr asnjë fjalë, as lot nuk munda të derdh për xhaxhi Tonin, mjekun, mikun, sivëllain e babës. E kisha takuar në vdekjen e tim eti në korrik, të lotuar nga humbja e shpejtë.

Me vete, teksa shikoja time më që ofshante, mendova se ky vit i pabesë, më kishte marrë tim atë e pak ditë më pas, xhaxhanë (ka dy fëmijë xhaxhai, kanë mbaruar fakultetin me dhjeta, por janë pa punë e këtë ai e vuante çdo minutë), dy burrat më të rëndësishëm në jetën time. Pra, që ishte një vit aq i mbrapshtë, sa që po numëroja me vete edhe sa ditë kanë mbetur. Por nuk vonoi shumë orë dhe, sapo kishte kaluar ora 10 e darkës, ime më hyn në derë e më thotë se i madhi, Aleksandër Lalo, edhe ai, ishte “tradhtuar” nga zemra e tij. Mami u ul në shtratin tim e filloi të më tregonte kujtimet nga njohja me të në Radio Tirana e të dyja, si profesioniste të së njëjtës fushë, po kujtonim meloditë e tij të paharrueshme. Madje unë, edhe po këndoja ndonjë prej tyre, me zë të ulët, si për ta përcjellë siç duhet. Iku gjumi në drejtim të paditur, e desha s’desha më shkoi telekomanda tek lajmet. Në fund të ekranit ishin titrat që lajmëronin vdekjen e Aleksandër Lalos, në ekran zëri teatror i politikës që “grindej” për buxhetin e kanabisin. Nuk e di, por janë ato momentet kur vdekja, sa do e rëndë, e bën një të mirë. Kupton se sa pak kohë mund të kesh ende në jetë dhe ridimensionon mendimet, pritshmëritë, prioritetet. Në lojën e trurit të rrethuar nga drama që jeta ka rëndomë, portretet e politikës që flisnin “në të mirë të popullit”, m’u dukën si klounë, veshët më të zmadhuar, goja më e shqyer, kokat me cepa e shtigje, buzëqeshjet si zgërdhima. Përbetimet e tyre mbi të vërtetën, m’u bë se i tha djalli vetë. “Po këta do flenë sot? A do t’i zërë gjumi? A do e ndalin teatrin, pas një gote verë e një puroje, e të “shkulin” maskën e të dëgjojnë një melodi nga Lalo gjenial?!?!” - mendova.

Të shpëtoftë poezia, zotëri! Edhe ti tashmë perandor, por siç thoshte gjyshja ime, në dhé do vesh edhe ti, një ditë, mos harro! Edhe ty zonja deputete me qerpikët fals si krahë palloi, teksa mburr investimet në qytetin tënd, ku je edhe pedagoge, edhe ty ish-ministër e ish-kryetar partie, që sot zgërdhihesh si i vetmi opozitar me pará të shtuara, edhe ty që pret sharjet e talljet e kundërshtarit me kokën ulur, se nuk arrin ta shikosh në sy, atë me të cilin je shtruar vençe e me një gisht, ke shitur idealet e 26 viteve. Ju shpëtoftë poezia të gjithëve! Poezia që sjell jeta kur të përplaseni me kokë në dysheme, se herët a vonë ndodh me të gjithë. Sepse falsiteti e makutëria juaj, janë bërë aleat me fatin e keq e po merr jetë njerëzish, zemra e të cilëve nuk e duroi dot aq thjeshtë pisllëkun tuaj, se kishin poezi në shpirt!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: