TRE GABIMET GJUHËSORE TË ZOTIT LU – OPINION NGA FRROK ÇUPI

TRE GABIMET GJUHËSORE TË ZOTIT LU – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Zoti Donald Lu, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, flet gjuhën shqipe, por e flet shumë keq. Aq keq, saqë shpesh më dhimbset kur e dëgjoj, siç më dhimbset zakonisht, një njeri me gjymtime fizike. Por ai mendon se flet mirë dhe e përdor gjuhën shqipe edhe kur ka për të përcjellë mesazhe shumë të mprehta diplomatike. Gjuha shqipe nuk është si gjuha angleze, që e flet keq ose mirë, askush nuk të konteston. Gjuha shqipe është pa farefisni, është e vetme në botë, madje në një komb të izoluar, dhe..., prandaj kur gabon, shqiptarët ta marrin për keq.

Ambasadori Lu, kohët e fundit, nuk bën vetëm gabime gjuhësore, por me ato që thotë, le të mendojmë se janë gabime gjuhësore. Para pak ditësh, u shfaq në krah të agjentëve të FBI-it e të qeveritarëve shqiptarë, dhe në gjuhën shqipe, bëri deklarata. Që nga ajo ditë, mediat dhe politika po ulërijnë kundër deklaratës së zotit Lu. Ose e kanë keqkuptuar, ose vetë zoti Lu, ka pasur pasaktësi në fjalimin e tij...

Cilat ishin gabimet gjuhësore të ambasadorit Lu?

1.

Gabimi i parë ishte gabimi i sasisë

Zoti Lu, në momentin kur tha se “qysh në fillim të vitit 2018, do të burgosen peshqit e mëdhenj”, la hije dyshimi. Po të thoshte se do të burgosen “peshqit më të mëdhenj”, atëherë nuk do të kishte asnjë keqkuptim të mëtejshëm. Jo vetëm gjuhësisht, por edhe për arsye se, zoti Lu ka thënë mijëra herë të njëjtën frazë: “burgosen peshqit e mëdhenj”. Kaq vite që këtu ndodhet zoti Lu, ose edhe paraardhësit e tij, nuk ka kapur rrjeta asnjë “peshk të madh”. I vetmi peshk i madh që ka rënë në rrjetë, është ministri i Brendshëm, i cili u kap si anëtar i bandave kriminale në Shqipëri dhe në Europë. Por kur zoti Lu thotë se, do të burgosen peshq të mëdhenj, ka dy kuptime: Ose kërkon të shpëtojë ministrin e zënë, duke thënë se nuk është ky peshku, por kemi të tjerë, ndaj mos u merrni me “të vdekur”. Ose ka një kuptim invers në masë. Qeveria shqiptare ka kapur disa peshq, por nga ata që nuk kanë bukën e gojës dhe nuk paguajnë dot energjinë elektrike. Këta kanë shkuar dhe po shkojnë në burg. Tani e tutje, do të burgosen edhe ata që nuk do të paguajnë ujin e puseve, gjethet e zabeleve dhe gurët e lumit. Nëse zoti Lu, në kor me qeverinë, quan këta “peshq të mëdhenj”, atëherë do të thotë se ka një gabim gjuhësor... Nëse zoti Lu do ta dinte mirë gjuhën shqipe, atëherë do të thoshe se do të burgosen “peshqit më të mëdhenj”, ku hyjnë presidenti i Republikës, kryeministri e të tjerë. Këtu, zoti Lu do të bëhej i kuptueshëm për njerëzit shqipfolës të botës.

2.

Gabimi i dytë gjuhësor i zotit Lu, ka lidhje me numërimin

Në momentin kur ambasadori tha se “burgosja e peshqve” nis në fillim të vitit 2018, që në atë moment njerëzit nuk besuan më. Nuk besuan gjuhën, thjesht gjuhën. Gjatë gjysmë shekulli, shqiptarët janë mësuar me fillimin e epokës komuniste, me fillimin e pesëvjeçarit, me fillimin e ri, etj. Të gjithë këto fillime kanë ndodhur, por kanë ndodhur në ëndërr dhe nuk kanë pasur kurrë fund. Fundi i tyre ka qenë ose tragjik, ose komik. Në fillimin e “rrugës komuniste”, drejt parajsës që premtoi regjimi diktatorial, përfunduam në ferr. Në fillimin e “pesëvjeçarëve”, përfunduam në varfëri... Sepse të gjitha fillimet ndodhen jo atëherë kur nis fillimi, por atëherë kur dikush thotë se “filloi”. Atëherë thoshte diktatori se filloi, tani thotë zoti Lu se do të fillojë. Zoti Lu thotë se tmerri ynë njerëzor, kur po na hanë kriminelët, duhet të fillojë të bjerë vitin që vjen... Po pse nuk duhet të fillojë tani, kur ne jemi në tmerr?... Për këtë nuk u bë dot i besueshëm zoti Lu. Me siguri do të jetë problem i gjuhës shqipe, që ai përdor. Por njerëzit e justifikuan si njeri i zakonshëm që është: Me siguri, zoti Lu do të largohet në vitin 2018; ai tjetri që vjen, nuk di gjë çfarë tha ky...

3.

Gabimi i tretë është mospërputhja e zotit Lu, me presidentin e Shteteve të Bashkuara

Nuk e dimë nëse zoti Lu e përfaqëson presidentin e Amerikës në Shqipëri, apo prezanton dikë tjetër. Asnjëherë deri më sot, ambasadori nuk është dëgjuar të thotë një fjalë për presidentin Donald Trump. Disa mendojnë me naivitet se edhe kjo është çështje gjuhësore. Sepse në Amerikë, emri i presidentit shkruhet Trump, ndërsa në gjuhën shqipe shqiptohet “Tramp”... Ngatërresa nuk është kaq e thjeshtë. Zoti Lu është pjesë e administratës së Hillary Clinton e Barack Obama, të cilët udhëhoqën politikën liberale të politikave demagogjike në Lindje. Prapa tyre ishte dhe është zoti Soros, që me të gjithë financimet e tij, po minon politikën e Trump. Zoti Lu nuk ka pse përfaqëson presidentin Trump. Aq më shumë nuk mund të përfaqësojë idetë e reja dhe politikën diplomatike moderne, të presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump, dje, gjatë vizitës në Kinë, shtjelloi idenë e një diplomacie me vlerë, “sa më pak diplomaci boshe”. Por zoti Lu nuk ka lidhje me këto ide. Prej gjithë kohës që ndodhet në vendin tonë, kam përshtypjen se bën diplomaci boshe. Fol e fol, e mos bëj asgjë!... Çfarë e gjeti zotin Lu nga vaniteti? Asgjë. Veçse, kësaj here, askush nuk e besoi kur foli për “peshqit”.

Diplomacia boshe e zotit Lu, erdhi në breg të lumit ku zihen peshq. Askush nuk beson. Edhe pse ai flet shqip.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: